Hetuesit kontrollojne suiten e Fullanit ne zyrat e bankes

Hetuesit kontrollojne 'suiten' e Fullanit ne zyrat e bankes

Dy net më parë, paralelisht me aksionin e Policisë së Tiranës për arrestimin e guvernatorit Ardian Fullani, dy hetues të prokurorisë kanë shkuar në zyrën e tij, në godinën e re të Bankës së Shqipërisë, që është marrë me qira prej vitesh. Synimi i tyre ka qenë përditshmëria e guvernatorit, nëse zbatonte apo jo ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” apo udhëzimet dhe rregulloret e miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, të cilat, nga këqyrjet e deritanishme, ka rezultuar se i “injoronte”. OPGJ-të, në prani edhe të punonjësve të tjerë të bankës, kanë bërë sekuestrimet përkatëse, ndërsa kanë kërkuar më shumë dokumente nga personeli, pasi edhe bashkëpunimi i deritanishëm i bankës me prokurorinë ka lënë për të dëshiruar. Megjithatë, krahas këtyre sekuestrove, hetuesve u ka bërë përshtypje luksi i tepërt në zyrën e Fullanit, ku mësohet se është zbuluar edhe një “suitë”, e ndërtuar posaçërisht për drejtuesin prej vitesh të Bankës së Shqipërisë, i cili u ka bërë ballë dy “regjimeve”.

“Suita” e Fullanit

Rreth orës 21:00 të së premtes, hetuesit, me një urdhër kontrolli të firmosur nga prokurori Ramadan Troci, kanë shkuar në zyrat e Bankës së Shqipërisë, në ish-godinën e firmës piramidale VEFA, e cila është marrë me qira nga banka, deri në përfundim të rikonstruksionit të godinës qendrore të saj. “Hetuesit kishin edhe urdhrin për kontrollin në zyrat qendrore të bankës. Më konkretisht, synohej të mblidheshin prova nga zyra ku qëndronte Fullani, pasi kishte të dhëna se ai kishte firmosur disa urdhra për vartësit për vjedhjen 713 milionë lekë”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Hetuesit janë ndeshur me një mobilim ekstra të zyrës, ndërsa kanë gjetur edhe një “suitë” të tij, ngjitur me zyrën. “Kemi kontrolluar për prova të mundshme, në kuadër të procedimit penal që kemi filluar pas konstatimit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit. OPGJ-të konstatuan edhe vendin luksoz ku qëndronte për një kohë të gjatë Fullani. Madje, në këtë ambient kishte divane, televizorë dhe të gjitha pajisjet e tjera, si minibarë apo tavolina e karrige”, pohojnë burimet nga akuza. Kohë më parë, Fullani u akuzua për shpenzime ekstra për ambiente me qira, kryesisht për ish-godinën e VEFA-s, e cila është marrë 1.2 milionë euro. Më pas, kjo godinë u përshtat si zyra për Bankën e Shqipërisë, ku u zhvilluan tenderë apo prokurime të drejtpërdrejta. U harxhuan miliona euro të tjera për mobilime apo për tenderët e sigurisë, ndërsa edhe personali pati “fryrje”.

Dokumentet e sekuestruara

Akuza thotë se ka dokumente që vërtetojnë se Fullani ka shpërdoruar detyrën, si për supervjedhjen në Thesarin e Shtetit, ashtu edhe për përditshmërinë në Bankën Qendrore. Pikërisht për këtë shkelje, akuza thotë se ka marrë edhe urdhrat e tij të fundit, për vartësit apo edhe letërkëmbimet me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mësohet se një sërë veprimesh të Fullanit janë bërë pa miratimin e Këshillit, i cili nuk vihej asnjëherë në dijeni për veprimet e tij, duke qenë se ai, sipas dëshmive të anëtarëve të Këshillit, “kishte dorë të lirë”.

Akuza thotë se do të kontrollojë edhe për shtimin e personelit në bankë, i cili kohët e fundit është “fryrë”, madje edhe për krijimin e departamenteve të reja, të cilat kanë “lindur” vetëm me një firmë të Fullanit.

Megjithëse akuza nuk e konfirmon zyrtarisht, një ndër veprimet e akuzës do të jetë edhe vendimmarrja e Fullanit për komisionet e ngritura për miratimet e kredive të lehta për punonjësit, por edhe për të tjerë që janë larguar. Ka të dhëna se kreditë e dhëna kanë interes shumë të ulët, madje 0.5 për qind në vit, ndërsa do të hetohen edhe vendimmarrje të tjera të Fullanit.

“Do të hetojmë edhe buxhetin e Bankës së Shqipërisë apo edhe vendimet e Këshillit Mbikëqyrës. Ka dyshime se Fullani ka miratuar buxhetin pa pyetur më parë këshillin”, pohojnë burimet, teksa thonë se janë në kërkim të provave.

Ligji

Prokuroria, hetim pasurisë së Fullanit?

Prokuroria po shikon mundësinë që të fillojë një hetim pasuror ndaj të gjithë personave që akuzohen për vjedhjen e Thesarit të Shtetit, megjithëse kanë akuza të ndryshme. Deri më tani, akuza ka verifikuar pasurinë e Ardian Bitrajt dhe Mimoza Bruzisë, të arrestuarit e parë pas zbulimit të këtij skandali, të cilët akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Por, të arrestuarit dhe të proceduarit e tjerë, akuzohen vetëm për shpërdorim detyre, një akuzë e cila nuk parashikon hetimin pasuror. Por, deri më tani, akuza mund të hetojë të proceduarit edhe për pastrim parash, ku pasuria e gjithsecilit do të jetë në “sitë”. Akuza mund të nisë hetimet ndaj Fullanit edhe pas denoncimeve mediatike, ku tregohet jeta luksoze e familjes së tij, të cilët blejnë automjete dhe ora luksoze. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë prokuroria do të sekuestrojë të gjitha deklarimet e pasurisë në vite të çiftit Fullani. Megjithatë, edhe ILDKPKI-ja ka njoftuar nisjen e disa verifikimeve të pasurisë së familjes Fullani, të cilët zotërojnë disa apartamente dhe vila luksoze.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama