Hakmarrja per vdekjen e Karelit shperthen makina e nje gardiani

Hakmarrja per vdekjen e Karelit, shperthen makina e nje gardiani

Një grup kriminal ka pranuar autorësinë e një sulmi ndaj automjetit të një gardiani të Burgut të Nigritas në Greqi, ku dhe u torturua për vdekje i burgosuri shqiptar, Ilia Kareli. “Orët e të gjithë gardianëve që torturuan për vdekje të dënuarin shqiptar, Ilia Kareli, janë të numëruara”, ishte deklarata kërcënuese dhe hakmarrëse ndaj vrasjes së 42-vjeçarit shqiptar e bërë nga një grup kriminal të vetëquajtur “Zero Bandat”.

Sipas mediave greke, grupi në fjalë ka pranuar autorësinë e shpërthimit të një granate në automjetin e një prej gardianëve, G.Baradaki, ndodhur në 8 prill në Egaleos. Grupi “Zero Bandat” ka theksuar në një deklaratë se ky sulm është “akt minimal kujtese” për vrasjen e Ilia Karelit, shqiptarit që u gjet i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas më 28 mars të këtij viti, pas torturave makabre që i bënë gardianët në prani dhe dijeni të vetë drejtorit të burgut. Deklarata paralajmëruese e grupit kriminal ndaj gardianëve përfshin kërcënime të forta për jetën e tyre. “Zero Bandat” thotë se edhe gardianët që nuk janë arrestuar për dhunën ndaj Karelit, por që emrat e tyre janë njohur përmes aktakuzës “janë në listën përfundimtare të “fshirjes”. “Paralajmërim: Të gjithë gardianët që morën pjesë në torturimin, vrasjen në grup të Ilia Karelit quhen nga sot të shënjestruar. Njoftojmë që ata që nuk u arrestuan, se emrat e tyre janë tashmë të njohur përmes aktakuzës, por edhe nga të burgosurit.

 

Janë në listën përfundimtare ‘të fshirjes’. Kudo që të fshihen, në çdo detyrë që të ndërrojnë ta dinë që do t’i zbulojmë dhe do të bien në pritën tonë. Sa u përket gardianëve të burgosur, ata duhet të dinë që në çdo burg apo sektor sigurie që të shkojnë do të takohen me fatin e tyre. Orët e tyre janë të numëruara”, thuhet në deklaratën e këtij grupi kriminal. Ndërkohë, mediat greke kanë publikuar disa momente shtesë nga videoja, që tregon Ilia Karelin e torturuar në burgun e Nigritas në Greqi, ku dhe ndërroi jetë. Madje, videoja tregon edhe momentet e hyrjes së tij në dhomë dhe përpjekjet për t’u shtrirë në shtrat. Ai shfaqet ende me duar të lidhura dhe tërësisht i zhveshur.

 

Prokuroria e Fierit  heton gardianët grekë për vrasje

 

Prokuroria e Fierit nis hetimet për gardianët grekë, që dhunuan për vdekje të dënuarin shqiptar, Ilia Kareli, për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Kjo vepër, parashikon një dënim prej jo më pak se 20 vjet apo edhe burgim të përjetshëm. Hetimi për këtë akuzë, sipas prokurorisë, ka nisur, pasi nga provat e dokumentuara deri më tani, ku duket qartë se Kareli është vrarë si pasojë e dhunës hakmarrëse të gardianëve të burgut. Ndërkohë, në Greqi, gardianët akuzohen për vepra të tjera penale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama