Guvernatori Fullani nga qelia Me prene ne bese!

Guvernatori Fullani nga qelia: Me prene ne bese!

TakimetFullani, gjatë këtyre pesë netëve, ka takuar efektivë policie, gardianë, avokatin Maks Haxhia, si dhe familjarët e tij

Bisedat – Mësohet se bisedat me ta janë bërë me “kode”, ku i burgosuri VIP te 302, pa përmendur emra, ka thënë se “jam prerë në besë”

 

Guvernatori i pezulluar, Ardian Fullani, ka qenë tepër i irrituar me cilindo që ka biseduar gjatë këtyre ditëve në qeli. Ai u arrestua pasditen e së premtes, ndërsa fillimisht ka qëndruar dy net në Policinë e Tiranës, për t’u transferuar që prej të dielës në paraburgimin 302. Gjatë këtyre pesë netëve, ai ka biseduar me oficerë policie, gardianë, avokatin Maks Haxhia dha familjarë. Megjithëse takimet kanë qenë “private”, burime nga paraburgimi thanë për gazetën Shqip se Fullani u është ankuar vizitorëve se “është prerë në besë”. Bisedat mësohet se kanë qenë me “kode”, duke mos iu referuar ndonjë personi në veçanti, pasi guvernatori ka pasur frikën e ndonjë përgjimi në ambientet e burgut. Madje, diskutimet me familjarë apo avokatët, sipas burimeve, ngjasonin me ato të politikanëve, duke folur në përgjithësi për çështje të caktuara, pas shkuar në thelb të tyre. Fullani ka qenë një nga drejtuesit e institucioneve të pavarura që i mbijetoi rotacionit politik, ndërsa publikisht nuk është akuzuar nga krerët e shtetit. Shpeshherë ai ka “drejtuar” edhe politikën, ndoshta nga politikat e bankës, apo edhe nga nepotizmi. Kujtojmë këtu se në Bankën e Shqipërisë punojnë aktualisht të afërm të të dyja krahëve të politikës, madje edhe në departamente të rëndësishme.

 

10 vite guvernator

Gjatë 10 viteve në drejtimin e Bankës së Shqipërisë, Fullani u ka mbijetuar dy rotacioneve të politikës. Megjithëse ishte “pagëzuar” nga Nano, Berisha e mbajti në detyrë, duke mos i dalë asnjëherë kundër. Gjatë tetë viteve të “sundimit” të së djathtës, ku në mandatin e dytë kishte disa nuanca majtas, Fullani i ka shërbyer ish-mazhorancës, madje kulmi arriti me disa transaksione të dyshimta të Bankës së Shqipërisë që i kalonte miliona euro qeverisë për disa blerje godinash, kryesisht e ish-hotel Dajtit, i cili ende edhe sot vazhdon të mbetet gërmadhë, me gjithë tenderët e shumtë të rikonstruksionit. Në këtë kohë, në BSH u punësuan shumë të afërm të politikanëve, duke e bërë Fullanin një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri. Madje, edhe në vitin e fundit, i cili ishte edhe i pari i qeverisjes të së majtës, guvernatori nuk është sulmuar nga krerët e lartë të shtetit. Përjashtim bënte vetëm deputeti Erjon Braçe, njëherazi edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë.

Me këtë “mburojë” mbi supe, Fullani vazhdonte të “sundonte” në Bankën e Shqipërisë, ku askush nuk i kërkonte llogari, ndërsa për një kohë të gjatë nuk emëroi as zv.guvernatorin e dytë, i cili kishte pikërisht detyrat kontrolluese në BSH. Madje, para zbulimit të supervjedhjes në Thesarin e Shtetit, një hetim ndaj Bankës së Shqipërisë kishte filluar në polici dhe prokurori, i cili bënte fjalë për privatizimin e ish-hotel Dajtit, apo edhe për qiratë e paguara. Por, askush nga politikanët nuk denjoi të fliste apo të akuzonte.

 

Takimet pas supervjedhjes

E njëjta situatë vazhdoi edhe pas zbulimit të skandalit në Thesar, ku BSH pretendon se e zbuloi vetë vjedhjen. Në datën 19 korrik të këtij viti, Fullani mëson se në Departamentin e Emisionit në Linzë kishte ndodhur një vjedhje. Pa shumë bujë në media, ai zhvillon takime me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Financave dhe me Kryeprokurorin. I informon për ndodhinë, ndërsa mësohet se diskuton edhe për të ardhmen. Në atë kohë, kishte disa informacione për qëndrimin e guvernatorit, ku mund të ketë kërkuar edhe dorëheqjen. Pikërisht në këtë kohë, Fullani ka marrë edhe “besën” nga politikanët për qëndrimin e tij në detyrë, me gjithë skandalin që në atë kohë nuk ishte bërë publik.

Fullani ka takuar edhe Llallën, duke denoncuar vjedhjen, ndërsa në bisedë me kryeprokurorin u ra dakord për konfidencialitetin e çështjes. Por, vetëm dy ditë më vonë, Banka e Shqipërisë njoftoi se kishte denoncuar dy punonjës të Thesarit të Shtetit, pa përmendur detaje të tjera. Në fillim u arrestua organizatori Ardian Bitraj dhe bashkëpunëtorja e tij, Mimoza Bruzia, por “presioni” ndaj bankës u rrit nga opinioni publik, nëpërmjet medias, e cila, krahas hetimeve për këtë vjedhje, publikoi detaje nga jeta e familjes së guvernatorit, apo edhe pasurinë e tij.

Pavarësisht akuzave mediatike, Fullani doli në disa konferenca për shtyp, ku tha se “ka ceduar elementi njerëzor, që do të dënohet, me ata që janë dërguar dhe njëkohësisht me gjithsecilin që ka bërë gabim në shkeljen e ligjit”, pa e ditur se një nga të hetuarit do të ishte edhe ai vetë. Më pas do të deklaronte se “i pari që është i interesua për t’u zbardhur çështja jam unë”.

 

“Më prenë në besë”

Përpos deklaratave të Fullanit, prokuroria vazhdonte hetimet, duke urdhëruar arrestime herë pas here. Kështu, në fillim të muajit gusht, u ndaluan disa zyrtarë të Thesarit të Shtetit, me në krye drejtorin e saj, Dorian Çollaku, të gjithë të akuzuar për shpërdorim detyre. Më pas, akuza lëshoi edhe urdhër arreste për grupet e auditit, ndërsa do të deklaronte se në pyetje do të merreshin edhe krerët e lartë të Bankës së Shqipërisë. Pesë ditë më parë, disa orë pas dëshmive të dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi, prokuroria kërkoi në gjykatë arrestimin e guvernatorit Ardian Fullani. Gjykata e aprovoi kërkesën, ndërsa policia e ekzekutoi disa orë më pas, në hyrje të godinës së Bankës së Shqipërisë. Por, mësohet se Fullani, duke pasur miq dhe të afërm në gjyqësor, mësoi më herët për këtë masë sigurie “sekrete”, teksa pasditen e asaj të premteje, telefonoi edhe avokatin Maks Haxhia, ku i kërkonte mbrojtje ligjore. Gjatë ekzekutimit të kësaj mase, Fullani u duk i qetë në pamje të parë, madje pa bërë rezistencë, pranoi prangosjen dhe u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dy ditë më vonë, doli për herë të parë para gjyqtares dhe prokurorit, ndërsa mohoi edhe akuzën. Menjëherë pas kësaj mase sigurie, Fullani u shoqërua në paraburgimin 302, ku dhe vazhdon të qëndrojë në një qeli veçmas të arrestuarve të tjerë. Pikërisht në këto ambiente izolimi, guvernatori i pezulluar është shprehur se është prerë në besë. Por nga kush? Nga politikanët apo nga kryeprokurori? Ky i fundit ka edhe një të afërm të punësuar në Bankë, ashtu edhe politikanët që kanë heshtur deri më tani. Por, i arrestuari nuk ka preferuar të japë emra, apo detyra të këtyre “tradhtarëve”, duke qëndruar në qeli, të paktën deri në një vendim të Gjykatës së Apelit. s.ç

 


Prapaskena
Negociata edhe për dëshminë e dorëheqjen

Prokuroria, në aktakuzën ndaj Ardian Fullanit, thotë se ka qenë e “detyruar” të kërkojë një masë shtrënguese ndaj guvernatorit, por pa shpjeguar përse kërkoi arrestin. Disa ditë pas ekzekutimit të kësaj mase, e cila “kënaqi” mbarë opinionin publik, por i dha fund disi edhe pandëshkueshmërisë, dalin prapaskenat e para. Burime nga akuza qendrore pohojnë se krerët e prokurorisë i kanë bërë disa ftesa zotit Fullani për t’u paraqitur të japë shpjegime, të paktën në lidhje me mënyrën e funksionimit të Departamentit të Emisionit. Por, në të gjitha rastet, ai ka refuzuar, ndërsa ka kërkuar shtyrjen e këtyre seancave të pyetjeve për më vonë, pasi “ndodhej me pushime”. Hetuesit kanë vijuar me verifikimet e këtij skandali, ku kanë shkuar edhe në zyrat e shpërndara të Bankës së Shqipërisë, në qendër të kryeqytetit dhe në zonën e Medresesë. U arritën të sekuestroheshin dhjetëra urdhra dhe rregullore, ndërsa përgjegjësia nga dita në ditë po shkonte drejt zinxhirit komandues të Bankës së Shqipërisë.

“Ftohja” e parë mes guvernatorit dhe prokurorisë erdhi në momentin e arrestimit të drejtorit të Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku, i cili sipas burimeve, ishte një njeri i besuar i Fullanit, madje kishin edhe lidhje familjare. Pas këtij momenti, mësohet se ka pasur disa negociata mes akuzës dhe guvernatorit, ku të paktën kërkohej dorëheqja e tij deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Informacionet e prokurorisë flisnin se Fullani po “fshihte” provat, duke vështirësuar nga dita në ditë hetimet, ndërsa me ngulm kërkohej një ndërmjetësues, i cili duket se ka qenë nga politika. Hetimet e akuzës po shkonin drejt “kupolës”, ndërsa disa urdhra të guvernatorit u “zhdukën”. Pas 45 ditëve nga zbulimi i skandalit, prokuroria kërkoi arrestimin e tij, duke pasur vështirësi të theksuar në verifikimin e kësaj çështjeje dhe vetëm një masë e tillë mund të zgjeronte këto hetime. Si për çudi të gjithkujt, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi arrestimin, i cili u la në fuqi edhe gjatë vlerësimit të kësaj mase. Tashmë, pritet një vendim i Gjykatës së Apelit, ndërsa akuza thotë se po heton të gjithë veprimtarinë e guvernatorit, ku deri më tani ka gjetur pesë shkelje, duke e akuzuar për shpërdorim detyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama