Grupi i PS Rama sot perplasja me kater deputetet rebele qe rrezuan KLD-ne

Grupi i PS, Rama sot perplasja me kater deputetet rebele qe 'rrezuan' KLD-ne

Bojkoti i deputetëve rebelë të PS-së në seancën e së enjtes që solli “rrëzimin” e ligjit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërcënimet e socialistëve për reformën territoriale do të jenë objekt i debatit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Sipas burimeve, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i cili pritet që të mblidhet sot rreth orës 13:00, do të përcaktojë qëndrimin përfundimtar të deputetëve të saj në lidhje me votimet e ligjeve të qeverisë në seancën plenare të ditës së enjte, të cilat kërkojnë 84 vota. Do të jetë pikërisht mbledhja e sotme, ballafaqimi me kreun e PS-së, Edi Rama, si dhe me kreun e grupit parlamentar, Gramoz Ruçin, ajo që do të bëjë të mundur edhe “bindjen e deputetëve rebelë” për të votuar disa nga ligjet më të përfolura së fundi, siç është ai i Policisë së Shtetit apo ai për reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Rebelët”

Grupi i deputetëve, që kanë bojkotuar votimin e ligjeve të qeverisë në mbledhjen e fundit të seancës plenare, Armando Prenga, Pjerin Ndreu, Parid Cara si dhe Tom Doshi pritet që të jenë sot prezentë në mbledhjen e grupit. Pjesë e bojkotit të votimit të ligjeve u bë edhe aleati i koalicionit mazhoritar, Mark Frroku, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me kundërshtinë për draftet e qeverisë. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, konfirmoi se do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit, edhe pse nuk bën të ditur se si do të votojë në seancën e fundit plenare ligjet e qeverisë që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. “Unë jam dhe do të jem pjesë e grupit parlamentar të PS-së. Sigurisht nuk ka arsye pse të mungojnë edhe në mbledhjen e radhës të grupit. Në lidhje me votimin e ligjeve, flasim pas mbledhjes”, ka thënë deputeti Ndreu. Konfirmimin se do të votojë ligjet e qeverisë dhe se do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit dhe në seancën e fundit plenare e ka bërë para pak ditësh edhe deputeti Armando Prenga. Për deputetin e Kavajës, Parid Cara, vota e tij ishte kundër vetëm për reformën territoriale dhe konkretisht për Komunën e Kryevidhit, për të cilën kreu i saj pranoi variantin e qeverisë dhe jo propozimin e deputetit të zonës.

Aleatët

Socialistët për çështjen e hartës territoriale duket se kanë kundër edhe aleatët e tyre, si Vangjel Dulen e PDBNJ-së dhe Mark Frrokun e PKD-së. Kreu i partisë së demokristianëve, Mark Frroku, deri më dje e ka argumentuar votën e tij kundër vetëm për projektligjin e reformës territoriale, për të cilën tha se kishte propozimet e veta. Nga ana tjetër, Frroku nuk është parë që të ketë replikuar në Komisionin e Ligjeve, aty ku është dhe anëtar, në lidhje me draftet e qeverisë për Policinë e Shtetit apo atë të KLD-së. Nga ana tjetër, ai që pritet të ngjallë debate është deputeti Tom Doshi, i cili është i pari deputet i mazhorancës që doli hapur kundër ligjit të Ministrisë së Brendshme për Policinë e Shtetit, madje lëshoi akuza për kreun e kësaj ministrie për emërime politike në Policinë e Shtetit. Reforma territoriale, për të cilën deri më tani votat kundër janë ato të deputetit të PS-së, Andrea Marto, dhe ajo e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, do të jetë një tjetër çështje e diskutimit në mbledhjen e sotme të grupit të majtë. Duket se mbledhja e sotme e grupit do të jetë vendimtare për të bindur këta deputetë, teksa javës që kaloi kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe ministri i Brendshëm u përpoqën të bindin disa prej deputetëve të Komisionit të Ligjeve në lidhje me ligjin për Policinë e Shtetit, ndërsa Nasip Naço kërkoi mbështetjen për ligjin e KLD-së. Projektligji për Policinë e Shtetit pritet që të votohet sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe atë të Shëndetësisë, ndërsa të enjten ato do të duhet që të kalojnë për votim në Parlament. Nëse të majtët e rebeluar nuk do të votojnë projektligjet që kërkojnë 84 vota, atëherë do të jetë sesioni i ri parlamentar ai që do të vendosë për to. Kjo javë do të jetë vendimtare për miratimin e reformës territoriale, për të cilën, mazhoranca në komisionin e posaçëm parlamentar ka shtyrë deri ditën e enjte afatin për pranimin e propozimeve nga opozita, të cilët kërkojnë më shumë njësi vendore sesa 61 bashki që ka miratuar qeveria.

Tom Doshi

Është i vetmi deputet i cili ka dalë hapur kundër disa ligjeve të qeverisë, duke lëshuar edhe akuza mbi ministrin e Brendshëm

Parid Cara

Ka deklaruar votën kundër për reformën territoriale, teksa nga ana tjetër, ka qëndrim kundër të kryetar të Komunës së Kryevidhit

Pjerin Ndreu

Deputeti i PS-së pranoi se do të jetë pjesë e mbledhjes së grupit, ndonëse ka kritikuar në distancë reformën territoriale


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama