Greqia nderhyn per ndarjen Venizelos dhe Bushati perplasen per Himaren

Greqia nderhyn per ndarjen, Venizelos dhe Bushati perplasen per Himaren

Bushati - Kjo është një çështje e brendshme, një reformë e rëndësishme dhe e nevojshme që është diskutuar gjatë në Kuvendin e Shqipërisë dhe është trajtuar nga një komision i posaçëm parlamentar

Shehu - Unë nuk kam të dhënë zyrtare për tensione me Greqinë, por mund të them se kjo reformë cenon shumë elementë të brendshëm të vendit përfshirë këtu edhe minoritetet. Pra realisht dëmton klimën

Bumçi - I gjithë ky është një debat i stisur, pseudonacionalist, një përpjekje e turpshme e qeverisë për të devijuar vëmendjen nga ndarja territoriale që ka prodhuar, e cila nuk respekton asnjë kriter

Bido - Greqia edhe njëherë po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. Çdo lëshim nga cilido në Shqipëri përpara këtij shantazhi meskin dhe të pafytyrë do të ishte në kushtet e tradhtisë kombëtare

Greqia ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, duke i kërkuar llogari Tiranës zyrtare në lidhje me hartën territoriale, e veçanërisht për Himarën. Ndërhyrja e Athinës zyrtare ka qenë direkte nëpërmjet numrit dy të qeverisë greke, i cili ka shprehur haptazi kontestimet mbi ndarjen e re territoriale. Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, nëpërmjet një telefonate bërë homologut të tij, Ditmir Bushati, i ka shprehur shqetësimet në lidhje me reformën e re territoriale që ka ndërmarrë vendi ynë. Lajmi, i cili bëhet i ditur nga faqja zyrtare e Ministrisë së Jashtme greke, duket se do të mbajë pezull marrëdhëniet mes dy vendeve për çështje të caktuara, përfshirë këtu çështjet e kufirit detar, apo atë të përkohshme të problemeve me toponimet, probleme që Venizelos i shpreh dhe në telefonatën me Bushatin. Ministri i Jashtëm grek në bisedën e tij mësohet se ka ngritur si shqetësim pikërisht pretendimin për ndryshimin e entitetit lokal dhe rajonal në fushat me rëndësi të veçantë të minoritetit kombëtare grek. Sipas Ministrisë së Jashtme greke, Venizelos, në bisedën me homologun shqiptar ka theksuar rëndësinë e reformës territoriale, ndjeshmërinë e lartë që ekziston rreth saj dhe nevojën për të çuar përpara zgjidhjen e çështjeve të hapura midis dy vendeve, pa shtuar të reja.

Reagimi i Bushatit

Në kundërpërgjigje të këtij shqetësimi, ministri i Jashtëm, Bushati, mësohet t’i jetë përgjigjur se kjo është një çështje e brendshme e vendit, e aq më tepër e konsultuar dhe e diskutuar nga një komision i posaçëm parlamentar. “Kjo është një çështje e brendshme, një reformë e rëndësishme dhe e nevojshme që është diskutuar gjatë në Kuvendin e Shqipërisë dhe është trajtuar nga një komision i posaçëm parlamentar”, mësohet t’i ketë thënë Bushati homologut të tij grek. Burime pranë Ministrisë së Jashtme thonë se gjatë komunikimit të tij, kryediplomati Bushati është shprehur se kjo reformë është në interes të të gjithë qytetarëve duke përfshirë këtu rritjen e funksionalitetit të njësive vendore. “Ministri Bushati theksoi se reforma administrative-territoriale ka si synim kryesor rritjen e funksionalitetit të njësive vendore dhe rritjes së kapaciteteve dhe burimeve të tyre financiare në interesin e të gjithë qytetarëve, në respekt të parimeve dhe standardeve europiane”, citojnë burimet. Për një nga çështjet që me sa duket ka qenë shqetësimi i Athinës, atë të Himarës, mësohet se ministri Bushati i është përgjigjur Venizelos se Himara është një nga njësitë funksionale të vendit dhe do të trajtohet njësoj si të gjitha njësitë e tjera të vendit. Në lidhje me çështjen në fjalë Ministria e Jashtme greke shkruan se kjo çështje ka ndjeshmëri të lartë ndaj ministri Venizelos ka theksuar se duhen zgjidhur një herë çështjet që janë ende të hapura me vendin tonë, duke mos shtuar të tjera. “Zgjidhja e çështjeve duhet bërë me praktikat europiane. Shqipëria tashmë është kandidate në BE dhe ka detyrime shtesë”, mësohet të ketë përfunduar bisedën telefonike Venizelos me homologun e tij shqiptar. Biseda mes dy homologëve vjen disa ditë pas letrës që Venizelos i drejtoi Bushatit dhe një numri përfaqësuesish diplomatikë më 10 qershor, ku theksoi rëndësinë e reformës, si dhe moscenimin e minoritetit grek në vendin tonë.

Ish-ministrat

Për dy ish-ministrat e Jashtëm, Tritan Shehu dhe Aldo Bumçi reagimi i palës greke në lidhje me reformën territoriale në vendin tonë është i drejtë, për sa kohë mazhoranca nuk është konsultuar me minoritetin grek, po ashtu dhe s’ka marrë parasysh propozimet e tyre, si dhe të opozitës për ndarjen e re të territorit. Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-deputet i PD-së, Tritan Shehu, në një prononcim për gazetën Shqip, thotë se kjo reformë jo vetëm që cenon elemente të brendshme të vendit, por prek edhe minoritetet në vendin tonë, në këtë rast atë grek. “Si ish-ministër i Jashtëm dhe si politikan mund të them që kjo reformë administrative që është paraqitur ka krijuar dhe krijon probleme, sepse nuk merr parasysh dhe në konsideratë elementë shumë të rëndësishëm të popullsisë si elementë kulturorë etnikë, lidhje territoriale, çështje sociale, probleme ekonomike dhe aq më shumë pastaj nuk merr parasysh dhe nuk bazohet në një konsensus politik. Unë nuk kam të dhëna zyrtare për tensione me Greqinë, por mund të them se kjo reformë cenon shumë elementë të brendshëm të vendit përfshirë këtu edhe minoritetet. Pra realisht dëmton klimën demokratike dhe artificialisht krijon probleme”, thekson për gazetën Shqip, ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu. Ndër të tjera, ai shton se është detyrë e mazhorancë që të ishte konsultuar me minoritetet në vendin tonë, në mënyrë, duke marrë parasysh këtu se konsultimi është princip europian. “Bashkëpunimi për një reformë territoriale në një vend demokratik që është kandidat për në Bashkimin Europian dhe që synon shpejt të hapë negociatat me BE duhet të marrë në konsideratë plotësisht kërkesat e minoritetit. Është detyra e mazhorancës të respektojë në radhë të parë minoritetet kur ndërmerr të tilla ligje dhe reforma territoriale. Ky është një princip europian”, thotë Shehu. Ndërkohë, për ish-ministrin e Jashtëm, Aldo Bumçi, i gjithë ky është një debat dhe një përpjekje e turpshme e qeverisë për të devijuar vëmendjen nga reforma që ka prodhuar. “I gjithë ky është një debat i stisur, pseudo-nacionalist, një përpjekje e turpshme e qeverisë për të devijuar vëmendjen nga ndarja territoriale që ka prodhuar, e cila nuk respekton asnjë kriter, nuk i shërben zhvillimit ekonomik të vendit, nuk respekton trashëgiminë e madhe kulturore, identitete lokale të krijuara në shekuj, si dhe terrenin malor të vendit. Identitetet lokale duhet të respektohen kudo njësoj, si në jug dhe në veri, janë një pasuri e madhe e vendit. Kjo ndarje territoriale nuk u shërben interesave të qytetarëve shqiptarë, por interesave afatshkurtër të dyshes Rama-Meta”, ka thënë për gazetën Shqip, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi.

Qëndrimi i PDIU

“Greqia edhe njëherë po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë”, është ky reagimi që vjen nga sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU, Ardit Bido. Në një reagim në rrjetin social, Facebook, Bido thekson se do të ishte tradhti kombëtare nëse vendi ynë do të bënte lëshime ndaj palës greke. “Është ai vend që krijoi superprefektura sui generis, për të pamundësuar minoritetet të kenë qoftë edhe një njësi të pushtetit vendor. Kërcënimet me kriteret e Kopenhagës (të cilat Shqipëria po i respekton në detaj, duke krijuar, pa qenë e detyruar, komuna të minoritetit), nga vendi që nuk zbaton asnjë prej këtyre kritereve, është qesharake, e dhimbshme dhe e papranueshme. Çdo lëshim nga cilido në Shqipëri përpara këtij shantazhi meskin dhe të pafytyrë do të ishte në kushtet e tradhtisë kombëtare”, komenton më tej Bido gjithë zhvillimin e djeshëm në lidhje me ndërhyrjen e palës greke për pakënaqësitë që ka ndaj reformës territoriale. Vetëm PDIU u bë pjesë e miratimit të reformës, ndonëse propozoi që harta e re territoriale e Shqipërisë të kishte më shumë njësi vendore se 61 bashki që miratoi komisioni parlamentar dhe qeveria.

 

Kreu i PBDNJ-së

Dule në Greqi, takim me Venizelos

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, pritet që të takojë sot kreun e diplomacisë së jashtme greke, Evangelos Venizelos, takim ky që vjen pas reagimit të qeverisë greke në lidhje me reformën territoriale. Më herët Dule është takuar me përfaqësues të minoritetit grek në vendin tonë, kryesisht në Himarë. Shqetësime për cenim të identitetit të tyre kanë ardhur nga fshatrat e jugut, kryesisht ata mes Sarandës dhe Gjirokastrës, të cilët kanë shprehur qëndrimin që të jenë në njësinë e Livadhjasë.

 

Derviçan

Pasdite zëvendësministri i Jashtëm, Alqi Puli, në cilësinë e përfaqësuesit të PBDNJ-së ka zhvilluar një takim në Derviçan, së bashku me përfaqësuesit e “Omonia”-s. Në këtë takim, Puli, i cili shoqërohej dhe nga kreu i shoqatës së minoritetit, Vasil Bollano, u shpreh se janë për variantin e pestë të hartës territoriale, ai me 63 bashki, që nuk e përfshin Vranishtën me Himarën. “Ndarja e qeverisë është për interesa politike dhe ekonomike nga deputetët, politikanët dhe qeveritarët”.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama