Grabitesi i bankes humbi 1.2 mld $ ne Brazil 2014 luajti 10 mln ne finale

Grabitesi i bankes humbi 1.2 mld $ ne 'Brazil 2014', luajti 10 mln ne finale

Ardian Bitraj, i cili akuzohet për vjedhjen e një shumë prej 6 miliardë dollarë në Bankën e Shqipërisë, dyshohet se nuk i ka humbur në kumar lekët. Policia dhe prokuroria kanë verifikuar disa nga pretendimet e tij, se paratë i ka lënë në lojërat e fatit pranë shtëpisë.  Fillimisht, hetuesit kanë marrë në pyetje punonjësit e një prej kazinove ku zyrtari i Bankës së Shqipërisë pretendon se ka lënë shuma të konsiderueshme parash.

Punonjësit e kazinosë, por edhe pronari i saj kanë pohuar se Ardian Bitraj ishte klient dhe luante herë pas here, por shumat e parave që ai ka lënë janë të papërfillshme në krahasim me paratë e vjedhura nga Banka e Shqipërisë.  Sipas tyre, Bitraj luante shuma të vogla parash dhe për këtë arsye nuk u ka rënë ndonjëherë në sy si klient që shpenzonte shumë në kazinonë e tyre.

Këto dëshmi sipas prokurorisë do të krahasohen me të dhënat e raportuara nga kazinoja mbi xhiron dhe fitimin që ajo ka patur, pasi shifrat e pretenduara nga zyrtari i Bankës janë të dukshme, për një kazino lagjeje, sikundër ka qenë qendra e lojërave të fatit ku Bitraj ishte klient.

Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se dëshmitë e kazinosë rrëzojnë një pjesë të alibisë së të akuzuarit, duke përforcuar dyshimet se paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë mund të jenë fshehur apo investuar në pasuri të paluajtshme nga i arrestuari.

Megjithatë prokuroria thotë se do të hetojë edhe pretendimin e dytë të ngritur nga Ardian Bitraj, sipas të cilit vetëm përgjatë botërorit “Brazil 2014” ai ka lënë rreth 1.2 miliardë lekë në baste sportive.  I arrestuari ka treguar edhe pikat e basteve ku ka luajtur, të cilat janë pranë banesës së tij në rrugën ‘Fortuzi” në kryeqytet.

Fillimisht policia ka marrë në pyetje punonjësit dhe pronarët e katër pikave të basteve që ndodhen në këtë zonë, si dhe ka urdhëruar sekuestrimin e kompjuterave të tyre.

Nëpërmjet kompjuterave, ekspertët do të nxjerrin të gjitha lëvizjet financiare të kryera përgjatë periudhës 1-mujore të Kampionatit Botëror, për të parë shumat e parave të luajtura nga klientët e këtyre pikave të basteve sportive.  Punonjësit e pikave pranë shtëpisë së tij, në rrugën “Fortuzi” thanë se në finalen e Botërorit ai kishte vendosur 10 milionë lekë bast. Megjithatë, kjo nuk ka qenë shuma më e madhe, e luajtur prej tij, raporton “Mapo”.

Maksimumi i parave të luajtura nga Bitraj, sipas fqinjëve ka qenë 60 mijë euro brenda një nate. Gjatë marrjes në pyetje, Bitraj tha se në këtë pikë bastesh, poshtë pallatit të tij kishte luajtur pjesën më të madhe të parave të vjedhura. Sipas hetuesve është gati e pamundur që një shumë e tillë parash të shpenzohet në baste sportive apo kazino, pasi edhe vetë pikat e basteve analizojnë riskun e humbjes në rast se luhen shuma të konsiderueshme.

Përveç kësaj ka pikëpyetje se si ka arritur Bitraj të grabisë thesarin e BSH-së. Përveç Ardian Bitrajt dhe Mimoza Bruzit akuzohet si e përfshirë në grabitje. Por, prokuroria dyshon se në supervjedhjen e Bankës së Shqipërisë mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Deri tani janë marrë në pyetje disa zyrtarë të bankës, përfshi drejtorin e Emisionit dhe punonjës të kësaj drejtori, ndërsa lista e zyrtarëve që do të merren në pyetje është shumë e gjatë.

Hetuesit dyshojnë se vjedhja ka ardhur si pasojë e neglizhencës së personave që kishin si detyrë të kontrollonin sektorin e Stokut i njohur si sektori “X” në godinën e Emisionit, e cila konsiderohet si një prej godinave më të sigurta në vend.

Godina e cila ndodhet në periferi të kryeqytetit, në zonën e Linzës, është kthyer në një objekt super të sigurt pas rikonstruksionit të bërë dy vite të shkuara.  Ekspertët thonë se ndërtesa e Emisionit të Monedhës, apo siç njihet ndryshe “Thesari” ka kushte maksimale sigurie, pasi është e pajisur me kamera dhe sensorë thuajse në gjithë ambientet e saj.  Në këtë godinë ka sisteme elektronike gjurmimi, ka protokolle strikte, ka rreth 43 punonjës si dhe 50 roje sigurie të cilët ndjekin dhe zbatojnë protokollin e hyrje-daljeve nga godina.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama