Goditje ndaj Europes enderrimtare

Goditje ndaj Europes enderrimtare

Vladimir Myrtezai/ Arti dhe liria. Sa e rrezikuar është liria e të shprehurit pas ngjarjeve në “Charlie and Hebdo”… Çfarë e ndan e bashkon artin me politikën

Një dorë e ngritur lart që shtrëngon fort lapsin. Kjo është karikatura që shihet në faqen zyrtare të mbuluar nga errësira të “Charlie and Hebdo”. “Lapsi nuk do të ndalet” është mesazhi që kanë përcjellë karikaturistët e revistës në këto ditë zie. Ngjarja e disa ditëve më parë në Paris, vuri në pikëpyetje lirinë e të shprehurit. “Charlie and Hebdo” tregoi se në shekullin XXI në qytetin nga ku kishin nisur dikur protestat për lirinë e mendimit, dhe ku vitet e fundit dukej se beteja historike e medias me lirinë ishte fituar, liria ishte ende e brishtë. Për Vladimir Myrtezain, artist dhe njohës i mirë i kufijve të lirisë, “është cenuar dhe tronditur liria e shprehjes si një nga kolonat themeltare të mbrojtura nga qytetërimet e sotme”. Duke e krahasuar me sulmin e 11 shtatorit të viteve më parë në New York, ngjarja në Paris, ishte një kërcënim ndaj Europës. “Europa e parë në historinë moderne si ëndërrimtare përmes kulturës liberale e të lirë është goditur në zemër të saj ku liria e shprehjes duhet të ishte çelësi si verifikim i vetë lirisë”, thotë Myrtezai në një bisedë më poshtë për “Shqip”.

Europa nuk do të jetë më ajo që ishte dje, kanë shkruar mediat pas sulmit në revistën satirike franceze. Po arti?

Po ka një të vërtetë që e tejkalon thjesht të konstatuarit e një akti kriminal mu në zemër të Europës. Është cenuar dhe tronditur liria e shprehjes si një nga kolonat themeltare të mbrojtura nga qytetërimet e sotme. Goditja vrasëse dhe kërcënimi ndaj vlerave të lirisë ka lëkundur e kërcënuar realisht një kolonadë e ngjashme në paralel me krimin e shëmtuar të 11 shtatorit në New, York por edhe më shumë se aq ka marrë përmasë të rëndë edhe më shumë pasi ka lënduar idealin e lirive si një nga vlerat e konsoliduara të Europës. Dëmi është shumëfish më i madh se vetë qëllimi i krimit të realizuar. Ka prekur në një ind mjaft të ndier në diferencën kulturore që vjen si një gropë e madhe ndarëse mes kulturash që nuk qasen e pranohen sesa në një raport ndarës statistikor e numerik mes besimesh dhe popujsh siç dhe serviret nga ana e prapme e medaljes. Europa e parë në historinë moderne si ëndërrimtare përmes kulturës liberale e të lirë është goditur në zemër të saj ku liria e shprehjes duhet të ishte çelësi si verifikim i vetë lirisë. Dhe arti pa lirinë e shprehjes është i pamundur apo le të themi i kërcënuar e pa shpresë. Por reagimi i menjëhershëm i miliona njerëzve të identifikuar “Je sui Charlie Hebdo“, bën të dallueshme e menjëherë tronditjen e krejt botës së qytetëruar nga ky lloj provokimi kriminal e i verbër.

Maskat e “Charlie Hebdo”, duket sikur kanë vendosur përfundimisht një maskë mbi mendimin e lirë?

Një trishtim që duhet ndarë si një çast i humbjes njerëzore me respektin dhe lutjen për ata që humbën jetët e tyre. Por efektet e humbjes apo të tronditjes nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do riradhisin në frontin e lirisë të të shprehurit një radhë të tërë të intelektualëve të Europës së zgjuar. Dhe këtë do e vërtetojë dhe më fort solidariteti i botës së qytetëruar dhe qëndresa e tyre në frontin e lirisë të të shprehurit. Për këtë, kam bindje dhe: – unë jam një Charlies.

Kufiri mes artit dhe politikës ka qenë gjithnjë i brishtë. Cili sipas jush duhet të jetë raporti mes këtyre dy skajeve?

Shpesh në strukturë dhe perceptim politika dhe arti janë të përfshira e të ngjashme si e njëjta gjë pasi gjenerojnë e modifikojnë ide, por besoj të destinuara që të rrinë në skaj apo kundër për nga natyra ideale dhe e kulluar nga njëra anë dhe nga prakticiteti apo aplikimi dhe pragmatizmi për mënyrën si implementohet nga krahu i politikës. Por gjithsesi, historikisht të varura, si pjesë e formulimit të së tërës, në interesa njerëzore. Në të dyja rastet kemi kontribute që do duan të ndryshojnë e zhvillojnë njerëzimin, pasi kanë në dorë forma krejt të ndryshme mjetesh dhe mundësish dhe si të tilla, janë të destinuara të raportohen në një korelacion skajesh. Nëse direkt do më pyesnit për atë çfarë ne quajmë art direkt të angazhuar siç dhe është arti politik i karikaturës këtu kemi të bëjmë me një destin të ekzistencës së të dyjave si artit dhe politikës, për të qenë skajshmërisht kundër në një opozitë aktive e të parehatshme me siguri.

Besoni në një art ndërgjegjësues. Në një art që rrezikon?

Arti vjen si shfaqje e ndërgjegjes dhe në të shumtën si korrektim kritik i saj, pikërisht për këtë modus të saj hyn në parehatinë e lëvizjes së këtyre ndërgjegjeve si pikëshikime e besime që shpesh janë dhe përjashtuese dhe me histori krejt të ndryshme prejardhjesh dhe origjinash. Ky diversitet që shpesh është kulturor dhe i botëkuptimit ka krijuar balanca dhe zoonifikime që më shumë ju ngjajnë besimeve se vetë lojës së kulturuar si zhvillim i thellë i intelektit dhe botës së mistershme të species në planet. Arti në vetvete është një mundësi shprehjeje, si dhe filozofia apo historia e zhvillimit të mendjes së njeriut. Ka në mision të sajë të afrojë me gjuhën e saj apo formën e të vetëshprehurit kufij të paprekshëm që afron mendja dhe vullneti i njeriut. Dhe kjo e vërtetë e artit që vjen nga kushtëzime të mendjes ka hapësirën të jetë e ndryshueshme dhe jo si një ndalesë absolute pra e lëvizur evolutive. Në rastin e një arti të angazhuar duhet respektuar me patjetër si një liri shprehjeje dhe si e vërteta e një loje arti që artikulon ide pse jo dhe politikë.

Në Shqipëri këto vite duket se karikatura është në kohët e arta, që ishte dikur, edhe pse nën censurë. Çfarë e rrit sipas jush një karikaturist të mirë?

Është e vërtetë që ka një shenjë dalluese në zhanrin e karikaturës të para viteve nëntëdhjetë, por e kompromentuar ideologjikisht dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të politikës së atëhershme. Të paorientuar dhe të kompleksuar nga efektet e përmbysjes nuk pati kurajë që ky zhanër të ishte aktiv dhe të ndikonte në jetën shoqërisë shqiptare. Por ka dhe faktorë të tjerë që solli pasnëntëdhjeta në Shqipëri. Liria e fjalës i dha një fuqi të madhe jo imazhit në ato vite, sesa komunikimit të lartë të titujve, përmes kuptimit të fjalës. Tituj të mëdhenj bombastikë hynin më me uri në veshin e padëgjuar të atyre viteve si një mesazh verbal me efekte të drejtpërdrejta. Por karikatura është një territor bosh që njerëz të talentuar do mund të hyjnë në një shprehje mediatike jo më minore, por e një toaliteti të emergjencës në komunikimin e rralluar të artit të satirës. Duhet talent dhe angazhim politik në këtë panoramë mediatike, e të mendimit të progresit në një luftë të pakompromis të një bote të zhytur në ndarje interesash. Prapë për arsye të efekteve të izolimit shqiptarët hynë në demokraci me frikërat e mospërsëritjes së rreshtimit të tyre si të angazhuar dhe në politikë gjë që e frenoi lirinë e tyre të pavarur dhe ndërgjegjen e tyre të pamolepsur.

Nga karikaturat e “Charlie Hebdo”, kë do të veçonit sot, pas gjithë kësaj ndjesie humbjeje?

Do të veçoja kushtin e parë të ekzistencës së tyre me lirinë e shprehjes dhe guximin për t’u çliruar nga çdo varësi dhe frikë nga kjo botë ngushticash paragjykimesh dhe kufijsh të frikshëm ndarës të kulturës. Do të veçoja të gjithë atë reagim mbarëqytetar të botës së kulturuar për t’u identifikuar me “Je sui Charlie Hebdo”. Më mori vëmendjen vizatimi i dy lapsave në formën e dy kullave binjake në Nju Jork, si një trajtë metafore të sulmuara sërish nga maskat që duan të frenojnë lirinë e shprehjes.

A duhet të jetë arti i veçuar nga feja? Fillesat artistike kanë qenë pikërisht nga ikona apo piktura murale…

Po nuk duhet ta ngatërrojmë mendoj, pasi nga vetë modusi arti gjeneron ndryshim dhe ka natyrë tradhtare në ciklet që është afruar dhe ka herë-herë karakter që ka të bëjë me aritmetikën e mendjes. Ndërsa feja apo teologjia ka një karakter të pandryshueshëm sipas meje që shkon drejt përsosjes së besimit apo jetës së amëshueme. Kanë fillesa të përbashkëta në themele e filozofi, por mesa kuptoj gjëja që i bashkon përfundimisht në formën më të pashpjeguar është territori i errësirës si një dritë e ardhme e dijes që ende nuk se jam i sigurt që vlen për të dyja. Feja është si një kanon i përsosmërisë drejt besimit, ndërsa arti si një kanon kufi ku pritet të alternohet me kufij të tjerë përmbysës. S’e di! Ka shumë pika pamjeje në këtë interpretim të dy gjërave në baza të ndryshme strukturimi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama