Gjinari komuna e shpallur si pike turistike ne vitin 2001 mbahet peng

Gjinari, komuna e shpallur si pike turistike ne vitin 2001, mbahet peng

Jemi në Jug-lindje të Elbasanit, në zonën e Shpatit, e më konkretisht në Gjinarin turistik, shtrirë në 1000 m lartësi nga niveli i detit. Sigurisht, që nuk e patëm të lehtë ta zbulonim këtë vend. Na u desh një mik që të na e tregonte, pasi edhe për të parë kësisoj bukurish në Shqipëri të duhet një mik, në të kundërt rrezikon të shkosh nga kjo botë pa i parë e shijuar... Pastaj ndal imagjinatën time edhe shoh ç'kam përreth... "Një zonë turistike të mbajtur peng!" Në vitin 2001 kjo zonë, me vendim të Këshillit të Ministrave është shpallur pikë turistike dhe që atëherë s'kanë lënë dorë njeriu ta prekë. Dhe mirë kanë bërë se dora e njeriut ka dëshmuar se di të bëjë batërdi, ama...edhe mrekulli kur do.

 Ashtu siç, ka bërë këtu në Shpat me krijimin e një liqeni artificial, që të krijon ndjesinë se ka qenë gjithnjë aty, mes natyrës shijeplotë dhe ajrit që të mbush mushkëritë. Fundja...mirë dorë njeriu që s'kanë lënë, por as vetë nuk kanë vënë dorë mbi këtë zonë, e cila duket sikur ka mbetur dergjur nën regjimin komunist. E meqë jemi te regjimi, këtu në qendër të Gjinarit kemi ndërtesën e parë të ngritur në vitin 1939 nga italianët, të cilën mendohet ta kenë shfytëzuar për qëllime ushtarake. E pas viteve '70 kjo ndërtesë u shndërrua në muze, i cili dëshmonte gjithë historikun e kësaj zone. Ndërsa sot, ajo s'është gjë tjetër veçse një magazinë ku njëri nga banorët e fshatit mban veglat e punës, të cilat i përdor për bujqësi.

Mungesa e infrastrukturës po bëhet pengesa më e madhe e turizmit në Gjinar

Pak më lart kemi kabinat e pushimit, që kënaqësinë e tyre turistike e patën vetëm gjatë viteve '75-'90. Ato të japin idenë e një shtëpize komode, me një dhomë, aneks, e pak metra korridor. Të paktën kur i sheh së largu mbuluar me çati, se kur afrohesh e kupton se janë tërësisht jashtë funksionit. Madje çelësat e njërës nga ato i ka Petro, një nga banorët më të vjetër të zonës, që bëhet i papërtuar edhe udhërrëfyesi ynë në këtë udhëtim.

Ai mban aty drutë e stivosura, të cilat i shërbejnë për t'u ngrohur gjatë dimrit. Në kohën kur këto kabina ishin funksionale pushuesit rrinin aty përgjatë 15 ditëve, të rrethuar nga hijeshija dhe pastërtia e bimësisë halore si pisha dhe bredhi, karakteristikë e kësaj zone. Tanimë, mungesa e infrastrukturës po bëhet pengesa më e madhe e turizmit në Gjinar... Përpos 22 km rrugë të asfaltuar, që lidh qytetin e Elbasanit me këtë pjesë juglindore të tij, gjithçka tjetër ka mbetur pas. Megjithëse, ka shumë për të thënë edhe për këto 22 km ku mungon sinjalistika rrugore. Mungojnë sinjalet paralajmëruese për ndonjë kthesë të rrezikshme, gropë të mundshme, dishezë të fortë, ulje shpejtësie apo për ndonjë rrezik të panjohur. Asnjë! 

 Asnjë hotel për pushuesit

 Që pas rënies së komunizmit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi për të ngritur qoftë edhe një hotel për pushuesit që 10 ditëshin a 15 ditëshin e tyre do të donin ta kalonin aty. Ndërkohë, ata që vijnë në Gjinar strehohen në ndonjë nga dhomat, që banorët e zonës e vetofrojnë për turistët kundrejt një vlere prej 100-150 mijë lekë të vjetra në ditë, nëse qëndrojnë 10- 15 ditë. Të tjerët që s'gjejnë ndonjë dhomë, kthehen mbrapsht. Siç bëmë edhe ne. U kthyem...Me çfarë u kthyem?! Me një makinë të rastit, e cila fikej, herë në malore e   herë në dishezë. Zbrisnim, ecnim pak në këmbë, pastaj hipnim prapë në makinë me dorë në zemër (po të ecnim në këmbë deri në Elbasan do të na duhej së paku tre orë dhe kushedi ku na zinte nata). Po kujt i shkon në mendje se mund të ktheheshim përsëri aty, pa një transport të sigurt?!! Është më minimalja, por edhe më e rëndësishmja që mund të kërkohet nga turistët, qofshin ata vendas ("të stërvitur" me këtë transport ) apo të huaj ( të pamësuar me këtë lloj transporti). Jeta është njësoj e shtrenjtë për të gjithë...

Po sikur, komuna të vinte nja dy autobusë   me të gjitha kushtet e transportit, t'i vinte qoftë edhe nja dy muaj falas (atëherë kur mund të ishte dhe periudha e fluksit turistik) a nuk do të thitheshin më shumë turistët?! A nuk do të niseshin ata me vrap për t'u kuruar nga ajri i pastër i halorëve përzierë me erën e ajrit të jodizuar që vjen nga perëndimi? E nga këtu, në një ditë të kthjellët si kjo e sotmja, do dukej qartazi deti nga Sazani në Kavajë... Po sikur, në qendër të vendosej një sistem orientimi? Një shigjetë do të mjaftonte për t'i treguar vizitorëve se, Gjinari nuk fillon e mbaron te qendra e fshatit, përkundrazi ai zgjerohet e thellohet duke u ngjitur lart në mal, aty ku dashamirësit e pushimeve dimërore mund të kalisin muskujt, duke bërë ski e alpinizëm. Një shigjetë tjetër do të mjaftonte për t'i orientuar turistët në kishën e re, (ndërtuar në vitin 2001) këmbana e së cilës kish' rënë përpara se ne të arrinim.

Të rinjtë ndaj futbollit në fushë, pasivë

Pse do të duhej të kërkonim ndihmën e banorëve të fshatit për të na treguar ku dhe si duhet të shkonim për të parë gjithçka që e bënte Gjinarin turistik? Pse të hiqnim të urtin e të diturin Petro nga puna dhe t'i kërkonim përmes ndjesës, të lodhej e çapitej sa andej- këndej për të na treguar ne të paditurve çdo pëllëmbë të Gjinarit? Mos duhet të bëjnë këtë, të gjithë turistët që shkojnë atje? Mos Petro, duhet t'i shoqërojë të gjithë një e nga një?! Ai as nuk paguhet për këtë...Një shigjetë... Një shigjetë mund ta zgjidhte fare lehtë situatën.

Po ne jemi me fat që gjetëm Petron. Ai ecën paralelisht me ne dhe s'lodhet të na tregojë gjithçka që ka parë, dëgjuar e di për Gjinarin e tij turistik. I mjafton të rrotullojë shikimin në vendin ku është lindur për të ndjerë emocion, nostalgji, po edhe trishtim. Siç ndjen për shtëpitë e vjetra kthyer në gërmadha apo edhe për fushën e sportit, ku dikur stërviteshin të rinjtë e ekipit të Labinotit. Sot, aty nuk luan më askush dhe ai s'e fsheh dot zemërimin që ndjen kur e sheh të boshatisur. S'mund ta justifikojë pasivitetin e të rinjve ndaj futbollit në fushë, ku dikur ata vrisnin gjunjët e pambrojtura me gjunjëza dhe ku shënonin gola në portën pa rrjetë. Po ndoshta, kjo është një histori personale dhe emocionale e Gjinarit të tij me fushën e futbollit.

Në fshatin Shelcan të Komunës së Gjinarit gjendet kisha e Shën Kollit

 Sot jemi këtu për Gjinarin turistik... Banorët e Gjinarit i përkasin besimit ortodoks. Petro na tregon duke qeshur sesi në kohën e pushtimit otoman gjyshi i tij, nga Konstandin u bë Beqir dhe sesi për festën e Pashkëve, i fshihnin vezët poshtë nëntokë. Dhe meqë jemi te besimi...A e dini se në fshatin Shelcan të Komunës së Gjinarit gjendet kisha e Shën Kollit, ndërtuar në mesjetë (viti 1554), e pikturuar nga Onufri? Po për kishën e Shën Premtes në Valësh keni dëgjuar?

 Edhe ajo është ndërtuar në mesjetë, pikturuar me afreske nga Onufri, sipas stilit bizantin. Edhe po nuk i dini këto, edhe po mos t'i keni dëgjuar ndonjëherë emrin e Gjinarit turistik a zonës së Shpatit...mos u shqetësoni! Nuk është për fajin tuaj. Në qytetin e Elbasanit me zor qëndron varur një tabelë, e cila të tregon rrugën ku shkohet për në Gjinar, e jo më t'ju tregojë se çfarë është ai apo çfarë bëhet aty. Veç kur ngjitesh lart në Shpat e kupton që ke shkuar në një vend turistik dhe kjo, jo falë infrastrukturës dhe zhvillimit të turizmit, por falë natyrës që e ka bërë këtë vend, kështu siç e ka bërë....


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama