Gazeta Bild/ Asnje leshim Greqise Sot duam nje Kancelare te Hekurt

Gazeta 'Bild'/ Asnje leshim Greqise: 'Sot duam nje Kancelare te Hekurt'

Gazeta gjermane “Bild” ka paralajmëruar Merkelin që të mos i bëjë asnjë lëshim Greqisë, duke e nxjerrë në faqe të parë me një helmetë ushtarake në kokë dhe me titullin kryesor: “Sot kemi nevojë për një Kancelare të Hekurt”.


Ky është në fakt, emri me të cilin njihet në historinë gjermane, kancelari i famshëm Oto Bismark.

“Bild” është më shumë e natyrës tabloide si gazetë, por ajo shpreh njëfarësoj lodhjen e opinionit publik gjerman me stërzgjatjen e bisedimeve me Greqinë në pesë muajt e fundit. Më e rëndë për Ciprasin ka qenë humbja e të majtës gjermane, e cila ishte kritike ndaj Merkel fillimisht. Por retorika nacionaliste e të majtës greke sidomos akuzat ndaj Gjermanisë në tërësi në planin kombëtar dhe jo në atë ideologjik, i ftohu dalëngadalë mbështetësit e Syrizës në Berlin.

Sot, takimi i nivelit të lartë europian do të diskutojë situatën pas referendumit në Greqi. Cipras ka bërë disa lëvizje të shpejta për të shuar shijen e hidhur të fushatës njëjavore. Ai pranoi largimin (ose e largoi vetë) nga qeveria të ministrit kontroversial të Financave, Varufakis dhe bëri një marrëveshje me partitë e opozitës. Deklaratat e tij të fundit kanë qenë kaq të zbutura sa është ripërsëritur pyetja se pse nevojitej ky referendum?

A do të merret sot ndonjë vendim i rëndësishëm është vështirë të thuhet. Është shkruar se shefja e FMN-së nuk do të jetë e pranishme. Pra vendimet nuk mund të jenë afatgjata. Ka shumë mundësi që Merkel dhe Hollandë do të testojnë temperaturën politike të vendeve të eurozonës. Cipras shpreson se disa vende do të marrin anën e Greqisë. Ndonëse pjesa më e madhe e borxhit grek është ndaj Gjermanisë, një pjesë e madhe e tij i detyrohet vendeve si Spanja, Franca e Italia, situate ekonomike e të cilave nuk është duke shkëlqyer.

Cipras dhe Syriza thonë shpesh se ka një kufi të lëshimet që mund të bëjnë për shkak të vullnetit të shprehur me votë të vendit të tyre. Por edhe Merkel dhe politikanët e tjerë të Eurozonës do të përballen me votuesit së shpejti. Dhe sentimenti popullor në ato vende nuk është premtuese për Greqinë. Kjo ballinë e gazetës “Bild” sot ishte një sinjal.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama