Gaz Demi Nexhipi u be si barsalete...

Gaz Demi: Nexhipi u be si barsalete...

Partizani ka presidencë, por jo president. Vendimet merren nga një bord drejtues (emrat e të cilëve nuk janë bërë asnjëherë publik, në fakt), jo nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe ai që hedh paratë. Kjo ka qenë paranteza e pohuar me gojën e vet nga Gaz Demi, kreu i klubit të kuq, i cili ka qenë i ftuar mbrëmë në “Rubrikën Sportive” në TVSH. Në prani të një paneli të ftuarish, gazetarë, analistë e futbollistë, Demi ka dhënë garanci se shumë shpejt nis puna për ndërtimin e kompleksit të kuq, i cili do të jetë një shkollë eduikimi e mirëfilltë dhe do të spikasë si më i miri në Ballkan.

Po ashtu, kreu i Partizanit ka mohuar ta ketë larguar njeri nga skuadra ish-kapitenin Nderim Nexhipi, duke shtuar se në skuadrën e tij nuk është askush i pazëvendësueshëm. Ka pohuar se i ka vënë në dispozicion trajnerit Starova dy skuadra, ndërsa pret të korrë frytet e punës së bërë në merkato. Demi shton se mund të bëhet edhe një goditje, mund të afrohet një lojtar i kërkuar nga trajneri, por nuk ka dashur të përmendë emra.

Natyrisht, njëfarë pakënaqësie edhe për mosgrumbullimin e Fejzullahut në kombëtare, si dhe një “shigjetë” drejtuar për kushedi se ku, kur ka thënë se “tashmë kanë filluar të bëjnë menaxherin edhe gazetarët”. E ka fjalën për ndonjë gazetar pranë kombëtares, me ndikim te presidenti Duka dhe trajneri De Biazi, apo ndonjë tjetër, kjo vetëm mund të hamendësohet.

Nuk ndihej komod kur pyetej për ish-kapitenin Nderim Nexhipi. Madje reagonte shpejt dhe me njëfarë habie, përse është tjerrur kaq gjatë kjo histori nga media. Për të, të flasësh më për largimin e Nexhipit është si të tregosh një barcaletë. “Çfarë është kjo pyetje? Akoma merreni me këtë çështje ju? Nuk ju duket se është bërë si barcaletë? Unë kam miqësi me lojtarin, ai ka vlerësim maksimal për kohën që ka kaluar me fanellën e kuqe, por te Partizani nuk është askush i pazëvendësueshëm.

Ndoshta nuk e dini, por isha unë, që e bëra kapiten të skuadrës, vetëm se e kishte qejf vajza ime. Te Partizani, Nexhipi ka marrë më shumë sesa ka dhënë. Fusha është ajo që flet. Partizani i ka dhënë shpërblimin për atë që ka bërë aq sa ndenji,” – thotë Gaz Demi, i cili vijon të ngacmohet nga moderatorja e emisionit me pyetjen e radhës: Si t’u duk Nexhipi kundërshtar, në ndeshjen e fundit, kur ai ishte pjesë e Flamurtarit?

Dhe numri një i të kuqve përgjigjet jo pa ironi: “Si m’u duk si kundërshtar? Ndeshjen e së premtes pyeta se ku është Nexhipi, nuk binte lehtë në sy.” Por, goli erdhi nga këmbët e tij, ama, – vijon më tej ngacmimi. “Goli nuk erdhi nga këmba e tij, Nexhipi vetëm ekzekutoi goditjen e këndit,” – shton Demi.

Dikush mund të ketë menduar se një barazim tjetër në javën e dytë të kampionatit mund t’i kishte lëkundur pozitat e Starovës në krye të Partizanit. Por nuk mendon aspak kështu Gaz Demi. Për të, llogaritë e para do të bëhen në dhjetor. Atëherë do të ulet me trajnerin dhe do të analizojnë punën e bërë dhe arritjet apo mosarritjet:

“Unë nuk e kam zakon të shkarkoj trajnerë pas dy ndeshjesh. Besoj e kam treguar këtë gjë në dy vitet që kam në krye të Partizanit. Starova mori drejtimin e skuadrës para ndeshjeve të Ligës së Europës, sepse Shpëtim Duro u largua vetë. Zhvilloi dy ndeshje të bukura, për mua, ndaj norvegjezëve, edhe pse u eliminuam. Nuk patëm fat. Tani po vijon punën në kampionat. Objektivat i kemi paracaktuar në fillim të sezonit. Për to do të flasim herë pas here, por jo pas dy javësh kampionat. Në dhjetor mund të ulemi e të shohim si kemi ecur.”

Një besim i plotë te Starova, aq sa Gaz Demi thotë se nuk bën as përpjekjen më të vogël për t’i ndërhyrë në formacion, a bërë sugjerime teknike: “Në anën teknike të skuadrës nuk hyj, sepse nuk marr vesh. Një gjë të tillë nuk e pranoj as nga tifozët. Ishin ata që më kërkonin me ngulm “hiqe Duron, hiqe Duron”, pastaj kur ish-trajneri iku vetë, ndryshuan qëndrim, duke thënë “pse e largove Duron”. Trajneri është mbreti te Partizani, ai vendos. Po ju tregoj një episod të veçantë. Ne kemi një lojtar të ri, një Bardhi, që i kam kërkuar Starovës ta fusë në formacion. Vetëm kaq, por nuk ia imponoj trajnerit. Ai di se kë aktivizon, sepse për mirë dhe për keq është përgjegjësi.”

Po një lojtar si Nexhipi nuk i duhej Partizanit, ndërkohë që nuk ka ende një fantazist, që të organizojë lojën e “demave”. “Nuk kam autoritetin për të folur dhe sugjeruar teknikisht. Kemi edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj, si Sukaj, Bici apo Plaku. Nuk e di përse kapeni vetëm me Nexhipin, pse nuk flisni për këta të tjerët. Ndoshta e bëjnë me dashakeqësi. Nuk ka pasur asnjë polemikë, e ka fryrë media. Dua të jem korrekt dhe të them që nuk e ka hequr Starova. Ai nuk pranoi rregullat e skuadrës. S’ka pasur asnjë problem në atë rast, Nexhipi është larguar vetë,” – reagon Demi.

Dy javët e para të kampionatit Partizani është gjendur në disavantazh, por ka gjetur forca të reagojë. Ndaj Laçit ka barazuar, ndërsa ndaj vlonjatëve ka fituar “in extremis”. Si i ka parë kreu i klubit të kuq këto dy performanca të të tijve? “Me Flamurtarin më pëlqeu vetëm rezultati. A do të kishte ndryshim raporti me Starovën në rast se nuk fitonim? Nuk kanë përse të ndryshojë asgjë. S’ka asnjë logjikë që të ketë gjëra të tilla, të bëhen lëvizje pas vetëm dy ndeshjesh”.

Sot është dita e fundit e merkatos së verës. Partizani mbetet në lojë edhe për një përforcim, të cilit ia ka vënë syrin Starova. Gaz Demi thotë se nuk merret ai me këtë punë, por vetëm përmbush dëshirat e trajnerit për lojtarë të ndryshëm. “Unë nuk merrem drejtpërdrejt me merkaton. Starova ka udhëhequr gjithçka në këtë drejtim. A do ketë afrime të tjera? Di të them se i kam vënë Starovës në dispozicion dy skuadra, njëra më e mirë se tjetra. Mendoj se do të bëjmë edhe përforcimin e fundit. Ai ka pikasur një lojtar, por s’dua të përmend emër. Unë kam vënë në dispozicion buxhetin, për të tjerat e di Starova,” – sqaron kreu i klubit 15 herë kampion të vendit.

Në fund, s’mund të mbetej jashtë vëmendjes së emisionit, por edhe rrëfimit të Gaz Demit, projekti i “shtëpisë së re” të Partizanit. “Projekti është në rrugën e duhur. Brenda këtij muaji nisin punimet. Partizani do të ketë shtëpinë e vet të përmasave europiane, diku tek “Antibiotiku”. Vlera e investuar do të jetë rreth 5 milionë euro. Do të jetë nga më të mirët në Ballkan. SPA-ja do të jetë më e mira në Tiranë. Do të ketë tri fusha olimpike futbolli dhe 2 kalçetoje.

Me pishinë të brendshme dhe të jashtme. Vetëm hoteli do të ketë 50 dhoma. Do të jetë një qendër edukimi e mirëfilltë për të gjithë fëmijët. Prindërit nuk do të kenë merak për fëmijët e tyre, sepse do të vijnë në klub si zotërinj dhe do të largohen po kështu. Nuk do të zhvishen rrugës dhe do të ikin në shtëpi pa bërë dush. Do të hapim një tjetër kapitull në këtë drejtim. Po ashtu, do të hapim edhe një kanal televiziv enkas për Partizanin,” – sqaron Demi.

Dita e fundit e mnerkatos mund të sjellë përforcimin e fundit te Partizani, por njëri nga emrat më të lakuar për t’u larguar drejt një klubi europian ka qenë Arbnor Fejzullahu. Ky i fundit, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet i kuq. Gaz Demi e lë të kuptohet këtë gjë: “Nuk e kuptoj përse nuk e ka grumbulluar De Biazi për këto ndeshje. Problem është fakti që shumë gazetarë kanë filluar të bëjnë menaxherin. Zbulojnë edhe faktin që është i shitur, por unë dua ta mbaj akoma në ekip.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama