Fullani Nuk flas per akuzen pa njohur provat dhe dosjen

Fullani: Nuk flas per akuzen, pa njohur provat dhe dosjen

“Nuk mund të flas për akuzën që më është ngritur. Në situatën që jam, kërkoj që të njihem me provat dhe faktet e dosjes. Në këtë pozicion që do të pyetem jam me të njëjtin e atij të të pandehurit”. Këto kanë qenë fjalët e para të Guvernatorit Ardian Fullani, pas pesë ditësh në qeli, ku dje ka refuzuar të flasë gjerë e gjatë për akuzën që i është ngritur nga Prokuroria e Tiranës. Dy hetuesit e çështjes, Elidon Hysenaj dhe Lazër Tuni, kanë vizituar guvernatorin në qelinë e paraburgimit 302 në rrugën “Mine Peza”, teksa kanë qëndruar në ambientet e burgut një orë. Por, mundi u ka shkuar dëm, pasi i arrestuari nuk ka pranuar të dëshmojë, ndërsa kërkoi më parë të njihej me provat që ka organi i akuzës.

 

Seanca e pyetjeve

Dje në mesditë, në Prokurorinë e Tiranës, shkoi avokati i zotit Fullani, Maks Haxhia. Ai kontaktoi me grupin hetimor, në lidhje me marrjen e provave apo me procedurat standarde të procedimeve penale. Prokurori i çështjes, Ramadan Troci, i kërkoi avokatit për të marrë në pyetje të arrestuarin. Madje, prokurori i bëri me dije se seanca e pyetjeve do të bëhej paraditen e së enjtes. Por, avokati Maks Haxhia tha se në këtë ditë nuk ishte në Shqipëri dhe do të udhëtonte jashtë vendit. Më pas, avokati dhe prokurori ranë dakord që seanca e pyetjeve të bëhej të mërkurën. Disa momente më vonë, avokati Haxhia shkoi drejt paraburgimit 302, i cili është vetëm pak metra larg Prokurorisë së Tiranës, për t’u takuar me klientin e tij.

Rreth orës 13:30, dy hetuesit janë parë te dera e paraburgimit dhe pasi kanë lajmëruar drejtuesit e këtij institucioni, u lejuan të futen brenda. Hysenaj dhe Tuni shkuan në ambientet e posaçme të burgut ku të arrestuarit merren në pyetje. Ata pritën disa minuta, teksa Fullani, sërish i kuruar në veshje, u paraqit së bashku me avokatin. Mësohet se Fullani dhe Haxhia kanë diskutuar për një kohë të gjatë “tetë a tetë” dhe kanë rënë dakord për ato që do të deklaronin para hetuesve. Këta të fundit kishin përgatitur disa pyetje, në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e guvernatorit për Departamentin e Emisionit në Linzë, ku ndodhi supervjedhja.

 

Përgjigjja e shkurtër

Hetuesit kishin përgatitur edhe procesverbalet përkatëse të pyetjeve të Fullanit, ku pasi i bëheshin me dije detyrimet dhe të drejtat, filluan t’i merrnin gjeneralitetet. Pas pyetjeve standarde, ata i bënë pyetjen e parë që kishte lidhje pikërisht me disa shkelje të konstatuara nga akuza. “Rezervoj të drejtën për të folur në një moment tjetër. Më sillni aktet për të cilat më akuzoni dhe dyshoni”, – iu përgjigj Fullani, ndërsa më pas tha se nuk mund të japë më shumë shpjegime pa parë dosjen. Pas kësaj përgjigjeje, hetuesit dolën nga paraburgimi dhe shkuan në prokurori, teksa kanë parashikuar që në pyetje të marrin edhe inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, e akuzuar për shpërdorim detyre. s.çobo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama