Formula 1 Rosberg zot ne shtepi

Formula 1, Rosberg 'zot' ne shtepi

Piloti i Mercedes Benz, Nico Rosberg vendosi diktatin në shtëpinë e tij, duke fituar garën e Hockenheim. Piloti i Mercedes dominoi në të gjitha drejtimet javën gjermane të Formula 1. Rosberg fitoi provat e lira ditën e premte, dominoi provat zyrtare të shtunën dhe ruajti pozicionin e parë që prej nisjes e deri në fund të garës. Me këtë sukses në shtëpi, të katërtin në këtë sezon, Rosberg konsolidon edhe më tej vendin e parë në klasifikim. Gjermani ka 190 pikë ndërsa ndjekësi i tij më i afërt, shoku i skuderisë, Lewis Hamilton ka 176 pikë në klasifikimin total. Piloti britanik i Mercedes zhvilloi një garë spektakolare, pas problemeve në provat e lira. I nisur nga vendi i 20-të, britaniku arriti të ngjitej në vendin e tretë në fund të garës. Ferrari nga krahu tjetër vijon të ketë probleme. Fernando Alonso u rendit i pesti në garën  e Hockenheim. Ai u bë protagonist i disa dueleve mjaft emocionuese. Fillimisht me Vettel dhe më tej me Ricciardo-n mbajti të hapur garën e tij deri në vijën e finishit. Vendi i dytë në këtë garë e mori Valtteri Bottas i cili konfirmoi pozicionin e tij të nisjes pas shpatullave të Rosberg. Rezultat mjaft i mirë ky për pilotin e Williams, pasi është gara e tretë radhazi që ngjitet në podium.

Gara:Një fillim me drithërima ishte gara e Gjermanisë. Felipe Massa që në kthesën e parë fërkohet me Magnussen dhe braziliani është i detyruar të lërë garën, pasi Williamsi i tij u kthye 180 gradë, fatmirësisht pa dëmtime për pilotin. Një nisje të mirë pati Alonso dhe Hamilton. Piloti i Ferrarit edhe pse niset nga prapa ngjitet menjëherë në vendin e katërt, pas Vettelit. Raikkonen nga krahu tjetër ngjitet brenda dy xhirosh në vendin e 9-të.

Super Hamilton rekuperon menjëherë 10 pozicione. I nisur nga vendi i 20-të, britaniku brenda xhiros së parë arrin në pozicionin e 10-të ndërsa brenda pak xhirosh kalon Raikkonen dhe Ricciardon, duke rrezikuar edhe përplasjen me finlandezin. Britaniku është i pandalshëm dhe brenda 16 xhirove, duke përfituar dhe nga një strategji pit stopesh të detajuar arrin të ngjitet në vendin e parë për pak momente. Pasi hyn në pit stop, Hamilton gjenden në luftë të hapur me Bottas për vendin e dytë, por pit stopi i dytë e lë prapa anglezin që tashmë e sheh veten në ndjekje të podiumit. Vendin e tretë do ta arrinte vetëm 19 xhiro nga fundi i garës duke fituar një duel shpejtësie me Ferrarin e Alonsos. Hamilton e mbylli garën disa sekonda pas Bottas dhe po të kishte pasur më shumë xhiro në dispozicion britaniku mund të ishte ngjitur edhe në vendin e dytë.

 

Rossberg nga krahu tjetër ishte mjaft i qetë, udhëhoqi garën nga momenti i parë deri në të fundit dhe me një strategji pit stopesh me tre ndalesa, ku nuk pati asnjë problem. Në fund të garës së Gjermanisë skuadra Mercedes drejtohet pa asnjë problem drejt titullit për konstruktor, 9 gara të fituara nga 10-të në total, ku ka grumbulluar 366 pikë, kundrejt 188 pikë të Red Bull(e vetmja që ka fituar një garë  pas diktatit Mercedes). Sa i takon pilotëve sfida është mes dy pjesëtarëve të skuderisë Mercedes, pas një fillimi të mirë të Hamilton, tashmë është Rosberg që  udhëheq kampionatin me 14 pikë diferencë. Shumë prapa është Ricciardo me 106 pikë, ndërsa Alonso është me 97 pikë në vendin e 4-t.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama