Filmat sot vuajne censuren ekonomike

Filmat sot vuajne censuren ekonomike

Pas 40 vitesh rishfaqet në Tirana Film Festival, filmi “Çështja Sabiel”, i bazuar në historinë e rrëmbimit të liderit maroken Ben Barka. Yves Boisset, regjisori i njohur francez, rrëfen karrierën e tij mes shesheve të xhirimit dhe përplasjeve me policinë. Kontakti i parë me Shqipërinë, përtej brigjeve të Korfuzit

Vite më parë, Yves Boisset i pa brigjet shqiptare nga një anije me të cilën ishte nisur nga Korfuzi. Bashkë me miqtë me të cilën kishte nisur një udhëtim përmes detit, ai do të habitej nga “rezidencat verore” që dukeshin tej larg. “U nisa bashkë me miqtë e mi me një anije nga Korfuzi… përballë ishin brigjet shqiptare. Ne vumë re se bregu ishte i mbushur plot me rezidenca verore, që ishin bunkerë ku qëndronin njerëz me mitraloza. Ishin njerëz simpatikë, por besoj se ishin të aftë të na qëllonin nëse ne do të afroheshim më shumë. Megjithatë ne vazhduam të notonim drejt brigjeve shqiptare…”. I ulur në verandën e hotelit, ku po qëndron këto ditë në Shqipëri, ai vazhdon të pijë cigare ndërsa vijon rrëfimin. Tashmë ndodhet këtu, në kryeqytetin e vendit, që i dukej aq bukur nga larg, dhe është rikthyer në kohë për të treguar qasjen e parë drejt Shqipërisë.

 

“Sigurisht që ata nuk kishin ndërmend të na qëllonin, por thjesht donin të na paralajmëronin kthehuni në vendin tuaj, rrini me kapitalistët tuaj dhe mos na shqetësoni më”, thotë ai me humor. Por, Yves Boisset kishte “shkelur” në Shqipëri, përpara se ta shihte nga brigjet greke. Filmi i tij “Atentati” (1972), ose ashtu siç njihet nga shikuesi shqiptar “Çështja Sabiel”, ishte ndër të paktët filma të huaj që regjimi komunist i dha lejen për t’u shfaqur në ekranin e vetëm shqiptar. Filmi është bazuar në historinë e vërtetë të liderit maroken Ben Barka, i cili u zhduk në një nga kafenetë e Parisit.

 

Filmi, i cili i hapi jo pak probleme regjisorit në ato vite, duke qenë se akuzonte personazhe të politikës aktuale në atë kohë në Francë, është rishfaqur për publikun shqiptar sërish pas 40 vitesh në ekranin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, i cili prej dy ditësh ka hapur siparin. Në të interpretojnë emra të njohur të kinemasë franceze, si Jean-Louis Trintignant, Michel Piccoli, Gian Maria Volonte, Michel Bouquet, Bruno Cremer, Philippe Noiret, François Perier, Roy Scheider etj. Për Boisset, audienca që filmi ka pasur në Shqipëri ishte diçka e papritur. Komisioni që sugjeronte filmat e huaj për Shqipërinë në atë kohë kishte propozuar dy filma të tij, “Çështjen Sabiel” dhe një tjetër, i cili fliste për një revoltë për policinë ndaj shtetit. “Siç duket Enver Hoxha e ka parë filmin dhe e ka pëlqyer, ose nuk ka dashur të jepet filmi tjetër, i cili mund të ngjallte reagime në një sistem komunist siç ishte vendi juaj”, thotë Boisset. Në karrierën e tij si regjisor numërohen 50 filma dhe gati 40 prej tyre janë censuruar.

 

Në filmat e tij ai është frymëzuar gjithnjë nga ngjarje reale dhe tema të forta për kohën, si policia, racizmi etj., çka e ka çuar ndonjëherë edhe si dëshmitar para trupit gjykues në procese gjyqësore, ndërkohë që ka adaptuar edhe vepra autorësh të njohur. Teksa tregon peripecitë e tij me shtetin, gjatë xhirimeve të filmave të ndryshëm, ai ndalet te historia e “Çështjes Sabiel”. “Sigurisht censura franceze nuk më ka kërcënuar ndonjëherë me mitraloz”, thotë ai. Filmi “Çështja Sabiel” tregon historinë e vërtetë të atentatit që iu bë militantit revolucionar maroken Ben Barka. Ai u rrëmbye në mes të Parisit, përpara një kafeje të njohur, dhe nuk u dëgjua më kurrë për të. Për Boisset ai ka mundësi të jetë eliminuar nga shërbimet e fshehta franceze. Bashkë me Çe Guevarën dhe Patrik Polumbën ai kishte krijuar një organizatë, e cila quhej “Tre kontinentet”, dhe qëllimi i tyre ishte ndryshimi i rendit të botës.



Filmi është xhiruar menjëherë pas kësaj ngjarjeje dhe në të atakohej politika franceze. “Sigurisht financimi i këtij filmi ishte i vështirë për t’u gjetur, pasi atakonte vetë gjeneralin De Gol. U krijua një situatë si macja me miun me policinë, e cila gjithnjë gjente justifikime për të ndaluar xhirimet në vendet që ne kishim planifikuar për filmin.



Boisset kujton një moment xhirimi nga skena në kafenenë ku ishte kryer rrëmbimi. Në Francë ishte një ligj, i cili i jepte pronarit të lokalit të drejtën mbi pronën dhe pronari i atij lokali kishte të drejtën mbi 1.20 metra. Kështu ai u detyrua të realizonte xhirimet vetëm në ato metra. “Shkuam të xhironim në 7 të mëngjesit, dhe pamë që vendi ishte mbushur me furgona policie”, kujton Boisset. Por, edhe pse i shoqëruar me policë gjatë xhirimeve të filmave të tij, ai ia ka dalë t’i realizojë ato. “Ndoshta ngaqë e doja shumë punën time dhe kisha një dëshirë për ta çuar deri në fund një rrugë, pavarësisht sfidave”, thotë ai.

 

Në sfidat e tij profesionale janë bashkuar edhe shumë aktorë yje të kinemasë franceze. Nëse shumë regjisorë të tjerë e kishin të lehtë të xhironin në një aeroport të Francës, atij i duhej të merrte pamje nga aeroporti i Gjenevës për të ilustruar filmin e tij. Por a ka përfunduar censura në kinemanë franceze? Për Boisset ajo sot është po aty, po e shndërruar në një formë tjetër në censurën ekonomike. Mungesa e fondeve po e ul ritmin dhe pulsin e kinemasë. Ky është një problem që shihet jo vetëm në Francë, po kudo në botë. Por edhe pse censura e ka penguar të krijojë lirshëm, nga ana tjetër ajo i është kthyer në një moto publiciteti. “Sot në botën e lirë, artistët kërkojnë të marrin tema që lidhen me censurën për të bërë shou dhe për ta shitur filmin e tyre më lehtë”, thotë ai.

 

Pas viteve ’80, Boisset i është përkushtuar televizionit. I lindur më 1939-n, ai është një nga emrat më të njohur të kinemasë franceze. Fillimisht i angazhuar në revistat e specializuara kinematografike, më tej ai fillon të angazhohet si skenarist dhe regjisor. “Fati im ishte që punova me emra të mëdhenj të kinemasë franceze dhe isha vetëm 20 vjeç. Isha asistent regjisor dhe nuk e dija se kinemaja do të mbetej pasioni im më i madh. Por çdo gjë erdhi natyrshëm”. Cila është këshilla e tij për kinemanë shqiptare? “Kam parë një film tuajin kohë më parë ‘Prilli i thyer’ (filmi ‘Të paftuarit’ prodhim i vitit 1985) dhe më ka pëlqyer. Në atë kohë në Shqipëri kishte një parti, por arrinte të prodhonte 15 filma në vit, kurse tani mund të ketë më shumë se 15 parti, por mezi bëhet një film në vit. Gjejeni çfarë ka që nuk shkon këtu?!”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama