Fillon edicioni i nente i Giffoni-t ne Shqiperi

Fillon edicioni i nente i Giffoni-t ne Shqiperi

Kinema Millenium priti dje qindra fëmijë që u takuan me një motiv, të shohin e të diskutojnë për kinemanë. Nisi kështu festivali i filmit “Giffoni Shqipëria”, një nga projektet e “Giffoni World Alliance”, pjesë e “Giffoni Experience”, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë e të Rinj. Fëmijët e të rinjtë shqiptarë, nga mosha 13 deri në 18 vjeç, do të përjetojnë në tri ditë, emocionet që i mungojnë kryeqytetit e që ua dhuron filmi. Mungesa e ndjeshme e prodhimit të filmave për fëmijë në Shqipëri është një tjetër arsye pse Edicioni i Nëntë i Festivalit të Filmit pritet me padurim nga fëmijët.

 

Filmat e këtij edicioni janë, “L’ultimo Goal” (Goli i fundit), “Mike says goodbye” (Majk thotë lamtumirë), “La jaula de oro” (Kafazi i artë), “Black Diamonds” (Diamantet e zinj), “The pices of me” (Një pjesë e imja) dhe “Regreet” (Pendimi), prej të cilëve, sot u transmetuan “Majk thotë lamtumirë” dhe “Pendimi”. “Prej vitit 2005 – shpjegon Namik Ajazi, organizatori i këtij festivali – kemi përfshirë rreth 60.000 të rinj në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Është pikërisht ky qëllimi i këtij festivali, të përfshijmë fëmijët e të rinjtë që nuk kanë asnjë mundësi tjetër pjesëmarrjeje në aktivitete të këtij lloji në Shqipëri”. Pas Tiranës, rrugëtimi do të vijojë në tri qytete të tjera; Durrës, Elbasan dhe Shkodër.

 

Është bërë tashmë traditë që çdo edicion të përcillet përmes një tematike të caktuar. Këtë vit, tema është “Be different”. Të jesh ndryshe dhe ta shohësh këtë si një mundësi për të ndryshuar botën rreth teje e për të çuar përpara pranimin e diferencave të shoqërive sot. Paralelisht me festivalin, gjatë pesë ditëve në Tiranë do të zhvillohet forumi “Giffoni Voyager”, ku do të jenë të ftuar përfaqësues dhe organizatorë të festivaleve të filmit për fëmijë e të rinj nga 12 vende (Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria, Gjeorgjia, Spanja, Portugalia, Tunizia, Kroacia, Serbia, Kosova, Rumania dhe Italia). Ky edicion do të jetë i rëndësishëm edhe në aspektin e prezantimeve ndërkombëtare me shfaqjen e 6 filmave. “Është një projekt ambicioz, – komenton Claudio Gubitosi, drejtori i ‘Giffoni Experience’ – që sheh gjithnjë nga e ardhmja, pjesë e të cilit janë gjithë këta fëmijë”. Mes të tjerësh, të ftuar të këtij edicioni do të jenë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, vlerësuesja për kulturën e rajonit Campania, Caterina Miraglia, si dhe presidenti i “Giffoni Experience”, Piero Rinaldi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama