Festivali i Kanes gati per konkurrencen e forte

Festivali i Kanes, gati per konkurrencen e forte

Festivali i 67-të i filmit në Kanë nis sot. Në të konkurrojnë 18 filma kryesorë. Njëzetë filma të tjerë shfaqen në kategorinë “Un Certain Regard”, dhjetëra të tjerë në “Directors Fortnight”, “Critics Week” dhe programe tjera. Festivalin do ta hapë filmi “Grace of Monaco”, një film që është kundërshtuar nga familja e princeshës së Monakos. Prodhimi francez "Grace of Monaco" i regjisorit Oliver Dahan ishte caktuar prej kohësh se, do të ishte filmi hapës i festivalit. Dahan paraqet në film disa vite vendimtare të jetës së aktores së Hollivudit, Grace Kelly, e cila u bë princesha e Monakos. Një film biografik me aktorë të shkëlqyer. Nicole Kidman luan rolin kryesor. Grace Kelly dhe princi Rainier III ishin njohur në 1955 në Festivalin e Kanës. Nga Monaco në Kanë përmes Côte d'Azur do të kishin qenë vetëm disa kilometra për familjen princërore. Por ajo është shumë e zemëruar, sepse gjatë përgatitjeve për filmin pjesëtarët e familjes ishin përzier në skenarin e filmit.

Sipas “The Hollywood Reporter”, kritiku Scott Roxborough ka thënë se festivali i sivjetshëm sjellë fytyra të njohura dhe vende të njohura, shumë filma francezë dhe disa të tjerë nga vende tjera të botës. “Gjëja interesante është se programi mbështetet shumë në Evropën e Vjetër dhe Amerikën, ka pak filma aziatikë, nuk ka filma gjermanë, shumë pak nga Skandinavia dhe jo aq shumë nga Evropa Lindore ose Rusia”, ka thënë ai. Regjisori turk Nuri Ceylan, i cili ka në konkurrencë filmin, “Winter Sleep” thotë se, festivali është një mundësi për të sjellë Turqinë në këtë festival, por edhe industrinë që ai ka krijuar në këto vite. Por, Festivali i Kanës që për shumëkënd është si aheng, nuk ka lënë pa futur variacion në program. Këtë vit do të shfaqë animacionin “How to Train Your Dragon 2", si dhe një version të ripërpunuar të filmit kult horror “The Texas Chainsaw Massacre”. Juria udhëhiqet nga regjisorja Jane Campion, e vetmja femër që ka fituar “Palmën e artë”.  

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama