Festa e Pashkeve besimtaret kremtojne ringjalljen e Krishtit urojne politikanet

Festa e Pashkeve, besimtaret kremtojne ringjalljen e Krishtit, urojne politikanet

“Krishti u ngjall, vërtet u ngjall. Me këtë frazë, besimtarët e krishterë kanë pritur datën më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, ngjalljen e Krishtit”.

 

Në meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, mbajtur në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ky i fundit ka bërë thirrje për më shumë paqe e mirëkuptim mes njerëzve.

 

“Kjo dritë, me të gjitha ngjyrimet e saj, të na zgjojë gjatë gjithë periudhës së sivjetshme dhe të udhëheqë besimtarët dhe jobesimtarët në një përpjekje të re për mirëkuptim të ndërsjellë, pajtim, vëllazëri dhe ecuri krijuese”, u shpreh kryepeshkop Anastasi.

 

E kur akrepat kanë shënuar mesnatën, Flaka e Shenjtë u është shpërndarë të gjithë besimtarëve të pranishëm.

 

Një tjetër rit i kësaj feste është dhe thyerja e vezëve të kuqe.

 

Edhe këtë vit, besimtarët janë lutur për më shumë mbarësi e lumturi në familjet e tyre.

 

Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët me qirinjtë e ndezur në duar kanë çuar në banesat e tyre Flakën e Shenjtë.

 

Edhe në Katedralen e Shën Palit, besimtarët katolikë kanë pritur mesnatën për të kremtuar ngjalljen e Krishtit.

 

Në meshën e drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita është bërë thirrje për më shumë paqe e dashur mes tyre.

 

“Të mos kemi frikë, të dashur vëllezër e motra. Sepse në galilenë e jetës sonë, plot drita të rreme e dëshira të vërteta, gjendet Krishti i ringjallur, i cili na mbush me dritë e me jetë”, deklaroi Imzot Rrok Mirdita.

 

Edhe në Katedralen Katolike nuk kishte si të mungonte veza e kuqe, simboli kryesor i Pashkës.

 

Besimtarët katolikë, pasi kanë uruar njëri-tjetrin, shpresojnë që kjo Pashkë t’i gjej me më shumë lumturi në familjet e tyre.

 

Pas ceremonive fetare në Kishë, festa zhvendoset në familje, ku dreka e së dielës është përmbyllja e Javës së Madhe, që sjell për të gjithë besimtarët e krishterë, mesazhin që jeta mbizotëron mbi vdekjen dhe shpresa mbizotëron mbi zhgënjimin.

 

Top Channel, me këtë rast, uron të gjithë të krishterët shqiptarë, Gëzuar ditën e Pashkëve!

 

Rama merr pjesë në ceremonitë në qytetin e Korçës

 

Mesha e shenjtë është mbajtur edhe në Katedralen e qytetit të Korçës, një qytet me traditë të njohur fetare. Klerikët drejtues të Mitropolisë së Korçës kanë drejtuar ceremoninë kushtuar Pashkëve. Këto ceremoni dhe mesha janë ndjekur edhe nga kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, të cilët u ndodhën në qytetin e Korçës.

 

Meta: Të duam njëri-tjetrin dhe të bëjmë që edhe të tjerët të na duan neve

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u ka uruar të gjithë besimtarëve të krishterë Pashkët, ditën simbol të ringjalljes së Krishtit, festa më e rëndësishme në kalendarin e tyre, por ai e ka përgjithësuar urimin duke ia drejtuar edhe të gjithë popullit shqiptar, duke u shprehur për më shumë dashuri. 

 

Në fjalën e tij, zoti Meta u shpreh: “Sikurse zoti na deshi dhe na mësoi me sakrificën dhe shembullin e tij, edhe ne duhet të duam njëri-tjetrin dhe të bëjmë që edhe të tjerët të na duan neve. Ky është mesazhi im i dhënë për të gjithë besimtarët e krishterë, si dhe për të gjithë qytetarët tanë në këtë ditë feste”, uroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta, duke dalë nga kisha ortodokse.

 

Nishani: Të jemi më të priur ndaj bashkëjetesës së harmonishme

 

Urimin e tij e ka dërguar edhe kreu i shtetit shqiptar, presidenti Bujar Nishani, për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik në faqen e Presidencës.

 

“Të dashur besimtarë ortodoksë! Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, besimtarë ortodoksë apo jo, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve. Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme! Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen. Të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më i natyrshëm në këtë festë. Dhe ne meritojnë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë. Gëzuar Festën e Pashkëve!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

 

Kumbaro e Nikolla urojnë së bashku

“U urojmë të gjithë shqiptarëve, të harmonisë mes besimeve fetare, le të jetë kjo ditë ringjallje një ditë bashkimi për të gjithë politikanët, për të ecur përpara në rrugën e progresit në projektet tona inovatore dhe për të çuar Shqipërinë shumë më pranë vendeve të Bashkimit Europian” deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

 

“Gëzuar pa dallim, majtas e djathtas, sa më shumë bashkëjetesë, aq më shumë festa e dashamirësi. Le t’ia lëmë këtë ditë të sotme dashurisë, e cila triumfon mbi të gjitha problemet dhe ndasitë e tjera politike” u shpreh ministrja Kumbaro.

 

Kodheli: Më shumë punë, më shumë siguri, më pak pabarazi

 

“Uroj që Shqipëria jonë të ketë më shumë punë, më shumë siguri, më pak pabarazi dhe hendeku mes nesh dhe botës së zhvilluar të zvogëlohet gjithmonë e më shumë”, ishte urimi i ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

 

Basha: Të mbushur me shpresën dhe besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja

 

Ndërkohë, urimi i kreut të opozitës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në Facebook, është si më poshtë: “Të dashur besimtarë të krishterë, zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra! Gëzuar Pashkët, këtë kremtim të ringjalljes të mbushur me shpresën dhe besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Në këtë festë të mrekullisë hyjnore, ju uroj nga zemra mbarësi dhe mirësi për gjithsecilin prej jush dhe familjet tuaja. Nga mot Gëzuar!”.

 

“Në këtë ditë kremtimi të ringjalljes hyjnore dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve anembanë botës, mirësi e mbarësi sjelltë e ardhmja në familjet tuaja. Dua të uroj priftërinjtë dhe arkipeshkët që i shërbejnë Kishës katolike e ortodokse. Dua të uroj më shumë bashkim, shpresë, besim dhe lumturi për të gjithë. Bëj thirrjë për më shumë përgjegjshmëri e dhembshuri, solidaritet mes nesh”, u shpreh Basha pas daljes nga kisha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama