Felix Baumgartner realizon testimin final duke u hedhur nga 29455 metra lartesi

Felix Baumgartner realizon testimin final, duke u hedhur nga 29,455 metra lartesi


Ditën e djeshme, më 25 Korrik 2012, Felix Baumgartner realizoi testimin e fundit, përpara përmbushjes së misionit dhe ëndrës së tij për të qenë i pari person që do të kalojë shpejtësinë e zërit gjatë hedhjes së lirë nga stratosfera. Sipas të dhënave paraprake, gjatë testimit të hedhjes nga një lartësi mbi 29,455 metra, ai realizoi një rënie të lirë, ku përgjatë kohës 3 minuta e 48 sekonda arriti shpëjtësinë prej 862 kmh.

Baumgartner mbërriti me helikopter në një shkretëtirë në Roswell, New Mexico pas 15 minutash nga zbritja e tij në tokë. Ndërsa i gjithë ekipi ishte mbledhur në Qendrën e Kontrollit për të pritur përfundimin me sukses të këtij testimi, drejtori teknik i projektit Art Thompson tha: “Është e pamundur të mos emocionohesh sot. Ne jemi shumë të lumtur që e kemi Felixin sërish në tokë pas një jave shumë të gjatë dhe në kushte shumë të vështira atmosferike. I gjithë ekipi ka bërë një punë të jashtëzakonshme.”

Data e thyerjes së rekordit dhe e përmbushjes së misionit të Red Bull Stratos do të jetë në varësi të kushteve atmosferike dhe vlerësimit që do ti bëhet kapsulës si dhe pajisjeve të tjera pas këtij testimi.

“Kanë qenë disa ditë shumë të vështira dhe një lodhje e jashtëzakonshme. Tani jam vërtetë shumë i lumtur. Kjo ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja, jam vetëm një hap larg tashmë,” tha Baumgartner pasi zbriti në tokë.

Red Bull Stratos, krijuar nga Red Bull dhe Felix Baumgartner, është misioni drejt kufijve të hapësirës. I mbështetur nga një ekip ekspertësh, Felix Baumgartner do të realizojë një hedhje nga stratosfera, nga një lartësi prej më shumë se 36,576 metrash, duke thyer rekordin e 50 viteve dhe duke u regjistruar si personi i parë që tejkalon shpejtësinë e zërit. Ky projekt do të ketë rendësi të madhe për nxjerrjen e të dhënave statistikore për mjekësinë dhe shkencën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama