FSHF Vendimi i KAS-it ne fund te majit

FSHF: Vendimi i KAS-it ne fund te majit

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për ndeshjen Serbi – Shqipëri, do të jepet më 29 maj. Në lajmin e bërë publik në faqen zyrtare të FSHF-së në internet thuhet se vendimi do të bëhet publik më këtë datë, por ekziston mundësia që edhe të shtyhet për shkak të hetimeve që po bën KAS-i.

“Ne kemi shpresë për një qëndrim dinjitoz dhe korrekt ndaj Kombëtares sonë. Një qëndrim në favor të Shqipërisë është në favor të futbollit, duke i thënë ‘STOP’ urrejtjes dhe racizmit, në sportin më të dashur në botë”, thuhet në shkrimin e postuar nga FSHF-ja.

Seanca dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë për palën shqiptare u zhvillua në 17 prill, ndërkohë që një ditë më parë ishte dëgjuar pala serbe.

Kujtojmë që ndeshja Serbi – Shqipëri në stadiumin e Partizanit të Beogradit u ndërpre për shkak të dhunës që ushtruan tifozët serbë dhe stafi teknik i stadiumit ndaj lojtarëve të Kombëtares shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama