Europa League/ Kualifikohet Inter zhbllokohet Kovacic

Europa League/ Kualifikohet Inter, zhbllokohet Kovacic

Inter është kualifikuar në fazën e ndeshjeve të grupeve në Europa League pasi mposhti në shtëpi islandezët e Stjarnan me rezultatin e thellë 6-0. Zikaltërit hynë në fushën e lojës të qetë dhe pa presion për shkak edhe të fitores 3-0 që kishin arritur një javë më parë në Islandë.

Skuadra e Walter Mazzarrit dominoi gjatë 90 minutave duke dhuruar spektatël për tifozët që ndodheshin në shkallët e “Giuseppe Meazza”.

Një tjetër lajm i mirë për tifozët e Interit janë edhe 3 golat e Mateo Kovacic, i cili mbrëmjen e djeshme arriti të zhbllokohej duke shënuar golin e parë me fanellën e Interit pasi 1 vit e gjysmë që ka mbërritur në skuadër.

Ishte pikërisht kroati ai që në minutat e 28 dhe 38 realizoi dy golat e parë për Interin. Në pjesën e dytë një tjetër lojtar, kësaj herë Osvaldo, shënoi edhe ai golin e parë me fanellën zikaltër në minutën e 47. Dy minuta më vonë Kovacic realizoi tripletën e tij, duke treguar se do të luaj një sezon fantastik me Interin në Serie A dhe Europa League.

Por në këtë ndeshje nuk mund të mungonin as golat e Mauro Icardit, i cili shënoi në minutat e 69 dhe 79 dy golat e fundit në “Giuseppe Meazza”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama