Ettore Sequi Po largohem... pak kilometra me tutje

Ettore Sequi: Po largohem... pak kilometra me tutje

Jemi mësuar që ambasadorin e BE në Tiranë ta shohim shpesh në ekranet dhe faqet e shtypit. Ettore Sequi nuk do të jetë më përfaqësues i Brukselit në vendin tonë. I emëruar në katet e larta të diplomacisë italiane, ai bën në këtë intervistë një bilanc të dy mandateve ta kaluara në Shqipëri. "Po iki pa u dhënë statusi, por rruga tashmë është përcaktuar", thotë Sequi. "Jam sard, për pasojë ngjaj shumë me shqiptarët. Jemi kokëfortë dhe nuk harrojmë kollaj"


Ambasadori Sequi, prej disa ditësh publiku shqiptar ka mësuar për mbarimin e mandatit tuaj në Tiranë. A mund të na thoni diçka më të saktë?


Konfirmoj se më 18 prill do të largohem zyrtarisht nga drejtimi i Delegacionit Evropian në Shqipëri për të marrë detyrën e Shefit të Kabinetit të Ministres së re italiane të Punëve të Jashtme, Federica Mogherini. Largimi nga Tirana, për të qenë i sinqertë, ngjall tek unë një përzierje ndjenjash. Jam sigurisht i kënaqur për besimin që më ka dhënë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe jam i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësive të mëdha që më presin. Por nuk mund ta mohoj se veçantia e raportit të vendosur me miqtë shqiptarë, me autoritetet dhe me median, nuk e bën aspak të thjeshtë këtë ndarje. Një ndarje që –e them me bindje –është vetëm në dukje: kilometrat e pakta që ndajnë Tiranën nga Roma nuk do të mund ta errësojnë kurrë lidhjen time të thellë me vendin tuaj. Po ashtu, edhe nga pikëpamja profesionale, për mua bëhet fjalë thjesht për të ndërruar perspektivën, por jo angazhimin që i rezervoj Shqipërisë, një vend me të cilin Italia  është e lidhur nëpërmjet raportesh të jashtëzakonshme dypalëshe, të vulosura së fundmi edhe nga vizita e Presidentit Napolitano në Tiranë. Gjatë mandatit tim si përfaqësues i Bashkimit Evropian në Shqipëri kam pasur privilegjin që t’u njoftoja autoriteteve tuaja rekomandimin historik të Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga Roma shpresoj të jem dëshmitar i përparimeve të mëtejshme me rëndësi në procesin e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë – siç e dini -  për një rrugëtim që Italia e ka mbështetur gjithnjë me bindje dhe të cilit pa dyshimnuk do t’i mungojë inkurajimi ynë i bindur.
 
Ju keni shërbyer në Shqipëri në dy periudha të ndryshme. Si do t’i përkufizonit?


Unë do ta përkufizoja veten si “një dëshmitar të privilegjuar të ndryshimit”, të transformimit të vendit tuaj. E mora detyrën time të parë në Shqipëri para 14 vjetësh si numri dy i Ambasadës Italiane në Tiranë. Nuk ishte një periudhë e lehtë për Shqipërinë. Rruga dukej e gjitha në ngjitje, rrugëtimi që kishte përpara populli shqiptar ishte i vështirë dhe i mbushur me pengesa. Megjithatë, kur mbërrita në Tiranë, pata menjëherë përshtypjen se Shqipëria do t’ia dilte mbanë, se pas disa vitesh do të hynte në udhën e ringritjes, të rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe social. Ishte një ndjesi që më transmetohej nga vitaliteti dhe dëshira e thellë për ndryshim që perceptoja tek populli shqiptar, në kontaktet e përditshme me shoqërinë vendase. Shqipëria në ato vite kishte pak infrastruktura, aeroporti ishte në gjendje të keqe, kur binte shi ishte e vështirë të ecje në rrugë. Të gjitha këto gjëra mungonin, por nuk mungonte dëshira e njerëzve për t’u ringritur dhe për të besuar në një vend më të mirë. Infrastrukturat mund t’i ndërtosh, zhvillimin mund ta krijosh. Por dëshirën e një populli për të besuar në një të ardhme më të mirë, jo! Atë duhet ta kesh përbrenda. Dhe populli shqiptar e kishte të rrënjosur mirë. Faktet, 14 vjet pas herës sime të parë në Tiranë, po e demonstrojnë konkretisht. Provat i mora kur –pas mandatit tim si Ambasador i Italisë në Afganistan –u ktheva në vitin 2010 si Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Provat i kam këto ditë kur nxitoj të largohem nga vendi për detyrën time të re në Romë.
 
Ju po largoheni ndërkohë që vendi ende po përpiqet për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ju vjen keq që ky rezultat nuk u arrit gjatë mandatit tuaj?


Rruga e afrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian është shumë e qartë, kërkon afate teknike dhe përbëhet nga pjesëza të vogla, të cilat pasi të bashkohen, mundësojnë plotësimin e mozaikut. Po largohem nga Tirana para se mozaiku të përfundohet, por me kënaqësinë e madhe dhe me krenarinë se kam mundur të kontribuoj, në sajë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm të autoriteteve shqiptare, për të sistemuar disa prej këtyre pjesëzave të vogla që jam i sigurtse së shpejti do të çojnë në plotësimin e mozaikut. Përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë kanë fituar një vlerësim të konsiderueshëm me rekomandimin nga ana e Komisionit tetorin e kaluar për t’i dhënë statusin e vendit kandidat. Me gjithë rekomandimin e favorshëm të Komisionit për dhënien e statusit të vendit kandidat, Këshilli Evropian i dhjetorit 2013 – në mbështetje të rezervave të disa shteteve anëtare – e shtyu vendimin Këshillit Evropian për në qershor 2014, pas një raporti të ri të Komisionit. Ndaj, në këtë perspektivë, është e rëndësishme që nga pala shqiptare të vihen në jetë masat e kërkuara nga BE-ja në sektorët e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Besoj se tashmë objektivi është shumë pranë dhe jam i bindur se Shqipëria do të dijë ta përmbushë atë përpjekje shtesë që i kërkohet.
 
Duke vështruar pas, cilat kanë qenë çastet tuaja më delikate si ambasador i BE-së në Shqipëri?


Dy ditë pas mbërritjes sime në Shqipëri, përjetova ngjarjet tragjike të 21 janarit. Bëhet padyshim fjalë për një ndër fazat më komplekse të periudhës gjatë së cilës kam qenë në krye të Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Por ai moment ishte i dobishëm për krijimin e një uniteti synimesh mes disa prej aktorëve kryesorë ndërkombëtarë në vend, duke i dhënë origjinë asaj që mediat vendore e kanë përkufizuar si “trojka”, pra një njësi që bashkonte Kreun e Delegacionit të BE-së, Ambasadorin e OSBE-së dhe Ambasadorin amerikan Arvizu. Me këtë të fundit, lindi mes të tjerash, një raport i jashtëzakonshëm personal dhe profesional. Së bashku kemi ndarë edhe çaste të tjera të rëndësishme dhe delikate për të ardhmen e Shqipërisë si, për shembull, zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe ato parlamentare të vitit 2013.


Një tjetër moment i veçantë që kam jetuar personalisht së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Evropian të asaj kohe ka qenë edhe marrëveshja e 1 nëntorit 2011 kur pas një procesi emocionuesh bisedimesh u arrit marrëveshja politike mes PD, që në atë kohë ishte në pushtet, dhe PS në opozitë, një marrëveshje kjo bashkëpunimi për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian. Në vijim të kësaj mërrëveshje u arrit më pas miratimi me konsensus i të ashtuquajturave "tri ligjet e integrimit" në maj të 2013. Gjithnjë mes çasteve më delikate dua të përmend gjithashtu vizitat e shumta dhe intensive të funksionarëve të lartë evropianë, duke nisur nga ato të Komisionerit për Zgjerim Füle, deri tek ajo e Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Duhet të them – më lejoni një batutë – se interesi i Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë e ka bërë veçanërisht impenjative punën time në Tiranë!
 
Ju keni pasur detyra diplomatike shumë të ndryshme, duke kaluar nga OKB-ja, në Shqipëri, Bashkimin Evropian, Afganistan, etj. Çfarë i mbetet një diplomati nga gjithë këto eksperienca pas shumë viteve punë?


Të jesh diplomat do të thotë të kesh mundësi të jetosh shumë jetë të ndryshme gjatë ekzistencës sënde profesionale. Aq jetë sa janë vendet ku thirresh për të shërbyer. Çfarë mbetet pas shumë viteve punë? Mbeten kujtimet e një jete të jetuar sipas kulturave të shumta, e nënkuptuar si dëshirë për të depërtuar vërtet në shpirtin, kulturën dhe ndjesitë e popujve dhe vendeve me të cilët bie në kontakt. Mbetet valixhja diplomatike me përvoja unike profesionaleqë të bëjnë më të fortë. Mbetet valixhja e kujtimeve, kujtime jetësh, individësh, ëndrrash të njerëzve dhe vendeve që në fund të fundit të bëjnë më njerëzor, të bëjnë të kuptosh brishtësinë e jetës dhe të bëjnë ta vlerësosh çdo ditë më shumë.
 
Ju jeni me origjinë sarde. Është e vërtetë që ka ngjashmëri mes sardëve dhe shqiptarëve, lidhur me temperamentin dhe disa aspekte të tjera?


Shqiptarët ngjajnë shumë me sardët. Kemi vlera dhe karakteristika të përbashkëta si mikpritja, ndjenja e miqësisë dhe e nderit, respekti për fjalën. Të dyja palët jemi kokëfortë dhe me “kujtesë të gjatë”.
 
Pse gjithçka është kaq e vështirë në Shqipëri? Keni krijuar një mendim mbi këtë?


Besoj se fjala kyçe për të kapërcyer çdo vështirësi – në Shqipëri ashtu si kudo – është dialogu dhe bashkëpunimi mes njerëzve. Mendoj se në Shqipëri po piqet ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e dialogut dhe të punuarit së bashku për objektiva të përbashkët. Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton ka thënë se "shpreson qe ajo që është arritur mes Prishtinës dhe Beogradit të shërbejë si frymëzim dhe t'i japë momentum edhe të tjerëve në Ballkanin Perëndimor".  Këtu do të shtoja se nëse shqiptarët dhe serbët e kanë gjetur rrugën e dialogut, pse duhet të jetë kaq e vështirë që t’i shohim socialistët dhe demokratët të kuptohen mes tyre, veçanërisht nëse nga ky mirëkuptim varet e ardhmja evropiane e vendit? Një dialog konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian do të jetë jetik për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 
 
Mendoni se do të dështojmë sërish me statusin këtë verë?


Unë nuk mund veçse të jem i një mendjeje me përgjigjen që Komisioneri Füle i ka dhënë kësaj pyetje. Rruga e Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat është e qartë. Është vetëm çështje kohe. Është e rëndësishme që shqiptarët të kenë një vizion të qartë për të ardhmen e tyre.  Nëse Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor apo më vonë, kjo varet vetëm nga shqiptarët. Por një gjë duhet të jetë e qartë: statusi i venditkandidat është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë që kërkon shumë punë, përkushtim të madh, si dhe pak durim.
 
Nëse ju kërkojmë një përgjigje të sinqertë për pyetjen:"A do t’ju mungojë Shqipëria?", si do të përgjigjeshit?


Sigurisht që do të më mungojë Shqipëria. Është një vend që e dua në mënyrë të veçantë dhe ku, gjatë dy periudhave të ndryshme, kam kaluar shumë vite të jetës sime. Shqipëria për mua është si një atdhe i dytë. Një vend ku ndihem si në shtëpi. Shtëpia, thoshte Alessandro Manzoni, është vendi ku ndihesh mirë. Vendi ku je i rrethuar nga njerëz të dashur, nga miq. Kjo është për mua Shqipëria. Do të më mungojnë njerëzit e saj, miqtë e shumtë nga të cilët po ndahem, gjithë njerëzit me të cilët kam pasur kontakte të përditshme, me të cilët kam kaluar çaste të paharrueshme që do t’i mbaj gjithnjë me vete.
 
Ndërsa po përmbyllni mandatin e dytë në Tiranë, pothuaj të gjithë politikanët që keni njohur herën e parë janë ende në politikën me peshë. Ju vjen ndopak keq për këtë?


Kur lexova librin e shkrimtares shqiptare Ornela Vorpsi, që ka pasur një sukses të madh në Itali, "Vendi ku nuk vdes kurrë", mendova se shqiptarët ushqejnë ende njëfarë pesimizmi ndaj së ardhmes së vendit. Megjithatë, besoj se brezi i ri ka sot një frymë tjetër. E jeton më shumë vendin e vet, duke u angazhuar edhe në politikë për të ardhmen e vet. Është e vërtetë që ka politikanë që i kam njohur gjatë misionit tim të parë në Shqipëri dhe që vazhdojnë të jenë aktivë edhe sot. Por është po ashtu e vërtetë që ndihet një erë e thellë ndryshimesh me të rinj të shumtë të angazhuar në mënyrë aktive edhe në politikë dhe që tashmë po bëjnë ndryshimin në ndërtimin e Shqipërisë së të nesërmes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama