Egoizem diletantesk

Egoizem diletantesk

'Aleksis Cipras nuk ka më parasysh të mirën e popullit grek, por vetëm mbijetesën e partisë së tij Syriza. Megjithatë, prapa skenës në Athinë sundon prej kohësh frika'

Diçka nuk shkon në shtetin grek. Një qeveri e sapozgjedhur populiste premtoi në fillim të shkurtit se do ta mbajë vendin e falimentuar në Eurozonë, dhe njëkohësisht se do të merret vesh me donatorët ndërkombëtarë për paketa shpëtimi të përballueshme nga populli. Në fund të qershorit bankat greke qëndrojnë të mbyllura dhe janë vendosur kontrolle për lëvizjen e kapitalit. Pensionistë të dëshpëruar rrinë në radhë për të marrë para nga bankomatet, që shpesh janë bosh. Situata ka dalë krejtësisht nga duart. Megjithatë, me shpresë për të legjitimuar taktikën e dështuar, qeveria organizon të dielën e ardhshme një referendum, që sipas qendrës së kontrollit financiar grek kushton 110 milionë euro.

Demokraci e çuditshme

Në orët dramatike, pak përpara fundit, kryeministri Aleksis Cipras shfaq një mënyrë të kuptuari të demokracisë, që mund t’i çudisë demokracitë europiane. Në një intervistë të hollësishme për kanalin e parë televiziv grek të hënën në mbrëmje ai tha gjëra absurde: “Nëse nga referendumi për kërkesat e partnerëve të Greqisë do të dalë një ‘po’, ai do ta respektojë rezultatin, por nuk do t’i zbatojë planet. Por, nëse shumica do të votojë me ‘jo’, gjë për të cilën qeveria mobilizon të gjitha rezervat e saj retorike, atëherë Athina mendon se do të ketë një kartë të fortë në dorë në vazhdimin e bisedimeve”.

Kryeministri i papërvojë, që evokon vazhdimisht mandatin e popullit, paralajmëron se nuk do ta zbatojë vullnetin e popullit, që do të shprehet të dielën e ardhshme, në qoftë se ai nuk i përshtatet atij. Por, nëse grekët do të votojnë, siç shpreson Cipras, atëherë ai do ta përdorë votën si armë në negociatat me huadhënësit, të cilët i braktisi vetë javën e kaluar.

Një diletant bëhet figurë, që mban në dorë fatet e kombit

Në vendin që koketon gjithmonë me vetë-imazhin si “djepi i demokracisë”, sot fatet e vendit i kanë në dorë diletantë infantilë. Kryeministri grek përndryshe aq simpatik nuk punon për të mirën e popullit, por vetëm për mbijetesën e partisë së tij. Ashtu si dhe partitë e mëdha, që ai i ka sharë aq fort dhe që u dëmtuan aq shumë në zgjedhjet në janar, të cilat kanë marrë prej dekadash rrugën drejt falimentimit të sotëm.

Por Aleksis Cipras, që është bërë një figurë që mban në dorë fatet e kombit dhe ndoshta të të gjithë Bashkimit Europian, flet gjëra të pakuptimta për arsyen tonë. Por dukja të gënjen: Grekët priren të luajnë rolin e të fortit, kur kanë frikë. Prapa fasadës së rezidencës së Kryeministrit përhapet prej kohësh një agoni. Katër ministra porosisin pas dyerve të mbyllura për ndryshimin e kursit, një sërë deputetësh të Syrizës në Parlamentin Europian distancohen që nga e hëna nga linja zyrtare e partisë. Dhe të martën në mbrëmje qytetarët demonstrojnë në Athinë nën moton: “Ne duam Europën”. Një shans i fundit, i përgatitur vetë, për një Greqi tjetër, më të mirë!/DW


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama