Dukagjin vijon operacioni antidroge

Dukagjin, vijon operacioni antidroge

Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së dhe RENEA-s, dhe në koordinim me Policinë e Shtetit, kanë vijuar që në orët e para të mëngjesit të sotëm realizimin e operacionit policor për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit në Shkodër.

Ky aksion konsiderohet nga Ministria e Brendshme si aksioni i dytë më i rëndësishëm pas atij në Lazarat.

Në këtë operacion policor, gjatë ditës së sotme janë angazhuar 160 forca policore, një helikopter i Repartit të Helikopterëve RENEA, dy helikopterë të ushtrisë si dhe 15 automjete.

Pavarësisht kushteve klimaterike që janë paraqitur pak të rënduara për shkak të reshjeve të shiut, operacioni i nisur që në orën 7:00 të mëngjesit, nuk është ndërprerë për asnjë moment.

Policia e Shtetit ka njoftuar se në mbështetje të efektivëve që do të operojnë në terren për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, ka vënë në gatishmëri edhe dy grupe te specializuara të RENEA-s për shkak të ndonjë situate të papritur.

Në përbërje të këtyre forcave, janë angazhuar edhe oficerë të policisë gjyqësore si dhe 12 ekspertë kriminalistë të Policisë Shkencore, që do të bëjnë të mundur dokumentimin ligjor dhe fiksimin e marrjen e provave materiale në vendin e ngjarjes.

Në ditën e saj të parë të operacionit, uniformat blu janë qëlluar nga kultivuesit e bimëve narkotike, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Vetëm ditën e djeshme, në Dukagjin u dogjën mbi 34 mijë bimë narkotike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama