Dita Boterore e Librit te Filologjiku-Gjekmarkaj Patenten e organizimit te Panairit me 23 prill e ka Fakulteti

Dita Boterore e Librit, te Filologjiku-Gjekmarkaj: Patenten e organizimit te Panairit me 23 prill e ka Fakulteti

Agron Gjekmarkaj është shprehur se Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka patentën origjinale të organizimit të Panairit për Ditën Botërore të Librit. “Është mirë të këtë shumësi aktivitetesh në këtë ditë,- tha ai- por në vend që të dublojnë njëri-tjetrin dhe të organizohen në një ditë, do të ishte mirë të shtriheshin gjatë gjithë vitit”    

 

Megjithëse vëmendjen ditën e djeshme e mori Festivali i Librit dhe Arteve Pamore i organizuar në Muzeun Kombëtar, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka vijuar si çdo vit me aktivitetet në kuadër të Ditës Botërore të Librit.

 

Ky fakultet ka patentën ekskluzive për organizimin e Panairit të Librit çdo 23 Prill dhe dje ishte viti i shtatë që u organizua panairi dhe një sërë aktivitetesh me kryefjalë librin dhe problematikat e letërsisë shqipe. Agron Gjekmarkaj nga Katedra e Letërsisë është shprehur se Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka patentën origjinale të organizimit të Panairit për Ditën Botërore të Librit. “Është mirë të këtë shumësi aktivitetesh në këtë ditë, – tha ai- por në vend që  të dublojnë njëri-tjetrin dhe të organizohen në një ditë, do të ishte mirë të shtriheshin gjatë gjithë vitit”. Aktivitetet kanë nisur në orën 9 të mëngjesit  dhe kanë vijuar deri  pasdite vonë.

 

Gjatë panairit janë prezantuar disa tituj të rinj librash, si “Utopia” e studiuesit Sabri Hamiti, vepra e Arshin Pipës nga Katedra e Gazetarisë, e cila pasi është botuar në disa gjuhë të huaja, vjen e botuar në shqip nga kjo katedër, si edhe libri i polakut Zagajevski, përkthyer nga Bardhyl Londo. I pranishëm në aktivitete ka qenë edhe ambasadori i Polonisë në Shqipëri, ku midis të tjerash u diskutua edhe mbi letërsinë polake dhe përkthimet në shqip.

 

Në tryezën e rrumbullakët e organizuar në auditorët e fakultetit me kritikë dhe përkthyes mbi problematikat e librit, u vu theksi te librat anonimë që shihen si një shqetësim i madh i botimeve të sotme.

 

Viti 2013, sipas Dhurata Shehrit, ka qenë viti ku ka mbizotëruar letërsia shqip me 527 tituj nga 819 botime gjithsej. Mes përkthimeve për vitin 2013 kanë dominuar kryesisht ato të letërsisë amerikane, ndërsa shkrimi kritik ka prodhuar 40 tituj të rinj. Ndërsa shtëpitë botuese me botimet më të mëdha kanë qenë “Ada” me 84 tituj, e ndjekur nga Toena me 42, “Geer” me 32 dhe “Pegi” me 31 tituj.  Shtëpia botuese “Dudaj” renditet e gjashta me 25 tituj, ndërsa “Onufri” përgjatë këtij viti ka botuar 17 tituj të rinj.

 

Sipas Shehrit, në Kosovë botimet janë më të ulëta, ku në vitin 2013 janë botuar 191 vepra.

 

Përkthyesja Saverina Pasho u shpreh se letërsia jonë është në fazë foshnjore. “Një e metë e punës së shtëpive botuese, -u shpreh ajo, – është se ende nuk kanë ndjerë nevojën e tregut dhe të bëjnë përzgjedhje e politika editoriale të mençura”.

 

Në kuadër të festimeve për këtë ditë, studentët e Dramës në Departamentin e Letërsisë kanë vënë në skenë dramën “Këngët e  Milosaos”, duke e shfaqur për studentet, pedagogët dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Kumbaro tha se ky vit i kushtohet De Radës dhe ka një axhendë kushtuar shkrimtarit, e cila shtrohet përgjatë gjithë vitit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama