Dilema Britanike per Kosoven - Brenda apo jashte?

Dilema Britanike per Kosoven - Brenda apo jashte?

Kemp shkruante: “Nuk po e ekzagjeroj kur them se për të gjithë shqiptarët që kam takuar, Kosova përbënte një shqetësim të madh. Njerëz me pikëpamje krejtësisht të ndryshme, duke filluar nga Enver Hoxha dhe Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Vasil Andoni, Halil Maçi, të gjithë pranonin rëndësinë që kishte për Shqipërinë ndreqja e problemit të Kosovës”. Të gjithë ata i kërkonin Kempit “të siguronte nga Aleatët një deklaratë, ku të mos thuhej që Kosova do t’i kthehej Shqipërisë, por të thuhej se e ardhmja e saj do të vendosej nga një plebishit i mbajtur nën mbikëqyrjen e Aleatëve”, ose si alternativë, “qeveria jugosllave në mërgim në Londër të lëshonte një deklaratë, me të cilën do të pranonte një plebishit të tillë”

Oficerët Ndërlidhës Britanikë në Shqipëri dhe Kosova


Oficeri Britanik Ndërlidhës (British Liaison oficer - BLO)i projektuar nga Kajro për të shkuar në Kosovë, zbarkoi në Shqipëri në gusht të vitit 1943. Ai ishte majori Peter M.M. Kemp, me misionin e koduar Stepmother. Fillimisht Kempi qëndroi në çetën nacionaliste - partizane të Pezës, e në fund të vitit u largua për në Kosovë. Në Tiranë, në takime me njerëz nga krahina të ndryshme, me nivele të ndryshme kulturore dhe me përkatësi të ndryshme partiake, ai kuptoi vendin që zinte Kosova në konstruksionin mendor e shpirtëror të shqiptarëve, si dhe në historinë politike dhe ekonomike të tyre. Në një nga raportet e përgatitur për shefat e tij në Bari, Kemp shkruante: “Nuk po e ekzagjeroj kur them se për të gjithë shqiptarët që kam takuar, Kosova përbënte një shqetësim të madh. Njerëz me pikëpamje krejtësisht të ndryshme, duke filluar nga Enver Hoxha dhe Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Vasil Andoni, Halil Maçi, të gjithë pranonin rëndësinë që kishte për Shqipërinë ndreqja e problemit të Kosovës”. Të gjithë ata i kërkonin Kempit “të siguronte nga Aleatët një deklaratë, ku të mos thuhej që Kosova do t’i kthehej Shqipërisë, por të thuhej se e ardhmja e saj do të vendosej nga një plebishit i mbajtur nën mbikëqyrjen e Aleatëve”, ose si alternativë, “qeveria jugosllave në mërgim në Londër të lëshonte një deklaratë, me të cilën do të pranonte një plebishit të tillë” [PRO, WO 204/9536]. I ndodhur në këtë terren të ndjeshëm e plot trysni, më 29 shtator 1943, që nga Peza, majori Kemp i dërgoi një telegram shtabit të Kajros, të cilit i kërkonte të ndërhynte te qeveria jugosllave në emigracion me qëllim që kjo e fundit të bënte një deklaratë, ku t’i premtonte popullit të Kosovës se ai “do të lihej të zgjedhë lirisht midis qeverisë jugosllave ose qeverisë shqiptare në përputhje me Kartën e Atlantikut” [PRO. HS 5/66].


Kërkesa e Kempit iu përcoll Komitetit të Operacioneve Speciale (SOC-Special Operation Committee), komitet i përhershëm politik që vepronte pranë Forcave Ajrore për Ballkanin (Balkan Air Force - BAF), e që shqyrtonte probleme të rëndësishme politike dhe ushtarake të luftës në Ballkan. SOC e shtroi për diskutim kërkesën e Kempit në mbledhjen e 13 tetorit 1943. Por kërkesa u kundërshtua nga ministri britanik pranë qeverisë jugosllave dhe asaj bullgare në Kajro, R.C. Skrine Stevenson (më tej R.C. Skrine Stivenson), i cili ishte shprehur se: “Nuk ka gjasa që qeveria jugosllave të pranojë një kërkesë të tillë, dhe as është e përshtatshme të bëhet një kërkesë e tillë. Tashmë është e qartë se çdo kërkesë lidhur me kufijtë duhet të presë deri në Konferencën e Paqes” [PRO. ËO 201/2790]. Pas kësaj vërejtjeje SOC ra dakord që asnjë qasje nuk duhet bërë te qeveria jugosllave lidhur me të ardhmen e Kosovës.


Përgjigjja iu dërgua majorit Kemp nëpërmjet seksionit shqiptar në Bari, më 21 tetor 1943: “Me keqardhje [ju njoftojmë] se ideja për të marrë një deklaratë nga qeveria e Madhërisë së Tij dhe qeveria jugosllave [në Londër] për të ardhmen e Kosovës ose rajone të tjera të diskutueshme në kohën e tanishme janë absolutisht nul. Prandaj ju duhet të mbani qëndrimin se të tilla probleme janë jashtë kompetencave tuaja dhe se ju jeni të interesuar vetëm për çështje ushtarake. Këtë telegram përsëritjani gjeneralit Davies dhe Arthur G. “Andy” Hands”.
 
“Deklarata” e Titos për plebishit në Kosovë


Kur Edmund Davies u kap nga gjermanët më 8 janar 1944, këta të fundit gjetën në letrat e tij dhe telegramin e dërguar nga Kajro për oficerët ndërlidhës Kemp, Davies e Hands, ku mohohej mundësia e lëshimit të një deklarate nga ana e qeverisë britanike për një plebishit në Kosovë. Gjermanët e përdorën me shkathtësi këtë dokument duke e shpërndarë përmbajtjen e tij me anë fletushkash në Gjakovë [PRO. HS 5/79], gjë që diskreditonte politikën e Aleatëve në sytë e shqiptarëve të Kosovës.


Ndërkohë duket se me idenë e plebishitit në Kosovë po manovronte edhe Tito. Dokumentet britanike bëjnë të qartë se ideja për plebishit ishte një projekt i hedhur enkas në qarkullim nga Shtabi i Titos, që synonte të kundërbalanconte propagandën gjermane, të mbante me shpresë shqiptarët se fatet e ardhëm do të zgjidheshin prej vetë atyre, dhe ndërkohë të krijonte një mjegull te britanikët për qëndrimin e PKJ ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi. Një informacion të mjegullt rreth një deklarate të Titos për plebishit në Kosovë jep koloneli Vladimir Velebit, përfaqësuesi i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave [më tej: UNÇJ] në Kajro, i cili i ka thënë majorit “Billy” Maklin se “kjo deklaratë është arritur dhe se ai do të përpiqej t’i jepte asaj një publicitet sa më të gjerë për palën jugosllave”. Por Maklin është mosbesues ndaj fjalëve të Velebitit dhe në memorandumin e tij për Londrën, më 9 janar 1944, shkruan: “Po qe se kjo do të ishte bërë, atëherë kosovarët do të ndaheshin në mënyrë efektive nga gjermanët” [PRO. FO 371/43549].


Njoftimin e parë për një deklaratë të Titos për të ardhmen e Kosovës e dha më 6 dhjetor 1943 oficeri i BLO në Kosovë, Arthur G. Hands, i cili lajmëroi Kajron se më 4 dhjetor 1943, Shtabi i Përgjithshëm Jugosllav i udhëhequr nga Tito “kishte lëshuar një komunikatë që njihte të drejtën e kosovarëve për të zgjedhur qeverinë e tyre të pasluftës”. Por ky raport nuk u verifikua nga Kajro, pasi ambasadori i Britanisë së Madhe pranë qeverisë jugosllave, Skrine Stevenson, ashtu edhe Christopher “Kit” Steel, anëtar i SOC dhe përfaqësues i qeverisë britanike në Kajro për çështjen shqiptare ishin “të shqetësuar” dhe mendonin se “duhej shmangur çdo veprim që mund të nënkuptojë se qeveria britanike ka ndonjë interes për Kosovën”. Me sa duket informacioni për deklaratën e Titos ka tërhequr vëmendjen e niveleve të larta të FO dhe të SOE, të cilët kanë përdorur kanale më të sigurta për të mësuar të vërtetën. Më 21 mars 1944, Boxshall, shefi politik i SOE për Ballkanin në FO, i shkruan Douglas Howard, shefit të Departamentit të Jugut në FO, se “Gjeneral Fitzroy Maclean, Shef i Misionit Ndërlidhës Britanik pranë shtabit të UNÇJ, e pyeti Titon lidhur me komunikatën e lëshuar nga shtabi i tij më 4 dhjetor ... dhe se cili ishte qëndrimi i tij në të vërtetë”. Përgjigja e Titos ishte rrëshqitëse: “Populli i Kosovës, u shpreh ai, ka kërkuar autonomi lokale por AVNOJ [Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë] ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje” [PRO. FO 371/43550].


Që ideja e një deklarate mashtruese për plebishit në Kosovë është prodhuar nga vetë shtabi i Titos, dëshmon edhe një telegram i gjeneralit Fitzroy Maclean, përcjellë Zyrës së SOE në Bari, më 13 prill 1944. Mbështetur në dokumentet jugosllave që i ishin servirur nga shtabi i UNÇJ, Fitzroy Maclean njoftonte për vendimet e AVNOJ-t të miratuara në Jajcë të Bosnjes, në nëntor 1943, ku ndër të tjera, informonte dhe për një pikë të veçantë me këtë përmbajtje: “E ardhmja e Kosovës do të vendoset me plebishit dhe kufijtë në qoftë se është e nevojshme, do të zhvillohen në favor të Shqipërisë”.


Kryetarit të zyrës së SOE në Bari, Philip Broad, nuk i shpëtoi kjo pasaktësi. Broad ia bëri me dije ministrit të Jashtëm, Anthony Eden, raportin e gjeneralit Fitzroy Maklean, por nënvizonte se “mbajtja e një plebishiti në rajonin e Kosovës, i cili do të vendosë për kufijtë e ardhshëm në favor të Shqipërisë nuk përmendet në Rezolutën e AVNOJ-t”. Dhe shtonte se po të bëhej kjo “padyshim do të ngjalleshin pakënaqësi të mëdha midis serbëve, të cilët kanë lidhje të forta sentimentale me atë rajon, siç kanë pasur dikur me perandorinë e tyre mesjetare”.


Të mos harrojmë se ideja e së ashtuquajturës deklaratë e Titos për plebishit në Kosovë, u vu në qarkullim kur KQ i PKJ më 28 mars 1944 me anën e një letre të firmosur nga Milovan Gjilas, kishte shpërfillur dhe goditur në pikën më esenciale Rezolutën e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit në Bujan, 31 dhjetor 1943- 2 janar 1944, në të cilën shprehej “aspirata shumëvjeçare e popullit të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë”, kërkohej që e ardhmja e Kosovës të vendosej “në bazë të së drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje”, e rruga e vetme për këtë do të ishte “lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjakësor e rrogëtarëve të tij”.
 
Raporte të BLO nga Kosova: Shqiptarët nuk i besojnë politikës sonë të Pasluftës


Që në ditët e para të arritjes në Kosovë, oficerët ndërlidhës britanikë Hands dhe Kemp, u ballafaquan me vështirësi të shumta. Raportet e tyre të para nga Kosova për Force 266 në Bari, shënohen në dhjetor të vitit 1943. Ata raportonin për situatën e veçantë politike në Kosovë dhe kërkonin udhëzime. Seksioni shqiptar në Bari i përcolli raportet në Kajro dhe kjo e fundit i quajti ato të “shkëlqyera”, por i udhëzonte “të ishin të kujdesshëm të mos kontaktonin me jugosllavët”. Në raportet e tij, majori Kemp informonte Barin se para luftës, në Kosovë, shqiptarët ishin trajtuar nga serbët jo si minoritet kombëtar por si minoritet fetar, duke i quajtur si “myslimanë” ose “turq”, ndërsa ata gjithnjë e kanë konsideruar veten shqiptarë dhe janë me një “sentiment të fortë nacionalist”. “Shumica e tyre, shkruan Kemp, mendojnë se çdo plebishit i mbajtur nën jugosllavët, domethënë nën supervizimin e serbëve, do të kishte vetëm një rezultat, Kosovën nën Serbi”. Sipas majorit Kemp, “shqiptarët në Kosovë ishin të tmerruar nga reprezaljet e gjermanëve, por nuk kishin besim as te partizanët e Fadil Hoxhës, të cilët bashkëpunonin me shtabin e Titos”. Kempi kishte krijuar bindjen e thellë se BLO nuk do të mundnin të kryenin asnjë aksion ushtarak në Kosovë, pa u premtuar shqiptarëve vendas një plebishit të lirë.


Bari i sugjeroi Majorit Kemp që t’i ‘shmangte me takt’ pyetjet konkrete për të ardhmen e Kosovës. “Por ishte krejt e pamundur t’i shmangie ato pyetje, -shkruan Kempi në raportet e veta, -pasi ato ishin në mënyrë konstante pyetjet e para që më bëhen mua nga çdo njeri që unë takoja në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia partiake. Unë i bija rrotull muhabetit sa mundja, duke iu drejtuar për ndihmë Kartës së Atlantikut, por megjithëse unë e shmanga qëndrimin e Qeverisë së Madhërisë së Tij në çfarëdolloj mënyre, unë nuk mund të vazhdoja të bindja kosovarët për të kaluar në anën tonë dhe të merrnin armët për ne. Ata nuk i besonin politikës sonë të pasluftës ndaj tyre”.


Ndërsa në raportin përmbledhës të majorit Philip Leake, shef i Seksionit shqiptar në Bari, situata në Kosovë është “ekstremisht delikate”. Në raportin që i përcillej Kajros dhe seksionit jugosllav të Barit, SPM Leake parashtronte dhe disa rekomandime, si: partizanëve të Kosmetit t’u jepej ndihmë e kufizuar materiale dhe financiare, vetëm sa për të organizuar grupe të vogla për qëllime sabotazhi. Partizanët duhej të dekurajoheshin nga formimi i brigadave të mëdha, pasi ato kishin vlerë të vogël ushtarake dhe ndoshta do të përdoreshin për qëllime të brendshme. Ndërsa me nacionalistët dhe irredentistët të mbaheshin kontakte vetëm për qëllime zbulimi e për propagandë subversive. Atyre nuk duhej t’u jepej asnjë mbështetje materiale me përjashtim të pagesave për agjentët dhe kontaktet individuale. Nacionalistët nuk do të thirren për të ndërmarrë asnjë veprimtari kundër gjermanëve deri në tërheqjen finale [PRO. HS 5/79]. Është interesante se në një raport tjetër, majori Leake parashikon “trazira serioze ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë pas largimit të gjermanëve”. Prandaj ai rekomandonte që koloneli Hands “të evakuohet menjëherë nga rajoni i tij nëpërmjet territorit të kontrolluar nga partizanët jugosllavë, sapo gjermanët të tërhiqen nga Kosova” [PRO. HS 5/68]. Më 30 janar 1944, Zyra Strategjike e Kajros u dërgon kolonelit Hands dhe majorit Kemp këtë mesazh: “Mbani në mendje se ne nuk jemi të interesuar për operacionet jashtë kufijve të vjetër të Shqipërisë”.  


Nga dokumentet duket qartë se nuk mund të kërkohej një qëndrim britanik për Kosovën, jashtë politikës britanike me Jugosllavinë, ku Tito do të ishte aleati i vetëm. Në këtë kuadër kemi dy pamje:

 

• Njëra pamje është vështrimi i BLO në terren, të cilët kishin marrë porosi të mbështesnin grupet e rezistencës. Dhe në fakt, propozimet politike nga terreni ishin në funksion të kësaj detyre.

 

• Pamja e dytë janë vendimet politike të qeverisë britanike.


Oficerët ndërlidhës britanikë që vepronin në Kosovë apo edhe në Shqipëri nuk ishin në brendësi të strategjisë politike të qeverisë së tyre. Në të vërtetë, oficerët ndërlidhës në Shqipëri, e sidomos në Kosovë, e prekën konkretisht realitetin e hidhur etnik dhe e përcollën atë me besnikëri në qendër. Madje dhanë dhe alternativat e tyre në favor të një deklarate për një plebishit të lirë në Kosovë pas lufte. Por politikat nuk i bënin ata, politikat i bënte qeveria, madje edhe ajo në korrelacion me faktorë të tjerë ndërkombëtarë.


Kosova brenda apo jashtë shtetit shqiptar ka qenë dilemë, që diplomacia britanike dhe evropiane e ka mbajtur në sirtarët e saj. Lufta e Dytë Botërore ishte një çast i mundshëm për zgjidhje, në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Por, interesat e ndryshëm të vendimmarrësve të mëdhenj, si dhe dobësitë e statusit të vetë shtetit shqiptar, gjatë dhe në fund të Luftës, e penguan zgjidhjen e aspiratës kombëtare dhe legjitime për vetëvendosje. “Vezët” e Versajës u mbuluan nga “hiri” i Jaltës dhe më 1999, Kosova ishte e fundit që u largua nga Federata e shpërbërë, megjithëse historikisht ka qenë e para dhe disa herë radhazi e vetme, që ka artikuluar vendosmërisht të drejtën e saj për shkëputje.


*Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama