Dhuna ska falje per Vllaznine e Tiranen

Dhuna, s'ka falje per Vllaznine e Tiranen

I mbledhur ditën e hënë, më shumë se 2 javë nga zhvillimi i ngjarjeve të dhunshme gjatë dhe pas ndeshjes Vllaznia-Tirana në “Loro Borici” të Shkodrës, Komisioni i Apelit në Federatën shqiptare të Futbollit ka shqyrtuar kërkesat ankimore të palëve ankuese “KF Vllaznia” dhe “KF Tirana”, kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës, të marrë më 13 Shtator, duke i lënë ato në fuqi, apo të pandryshuara.

Pikërisht në pikat 1 dhe 2 të atij vendimi, “Disiplina” vendoste të dënonte dy ekipet e përfshira në këto incidente, Tiranën e Vllazninë, me nga 15 dhe 10 ndeshje për t’i zhvilluar pa praninë e tifozëve, ndërkohë që i sanksiononte klubet edhe me gjoba prej 500 mijë lekësh dhe 1 milion lekësh respektivisht. Pjesë e akteve të paprecedenta të dhunës në “Loro Borici” ishin edhe tifozët e tifogrupit “Tirona Fanatics”, të cilët janë përjashtuar deri në fund të sezonit nga hyrja nëpër stadiumet e Shqipërisë.

“Në mbledhjen e zhvilluar në 16:00, për shqyrtimin e kërkesave ankimore drejtuar Komisionit të Apelit nga ankuesit KF “Vllaznia” dhe KF “Tirana”, kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës së FSHF-së, të datës 13.09.2014, pika 1 dhe 2, Apeli, pasi u njoh me apelimet e paraqitur nga përfaqësuesit e KF “Vllaznia“ dhe KF “Tirana”, si dhe dokumentacionin e paraqitur nga Sekretariati Teknik, vendosi: 1. Lënien në fuqi të Vendimit të Komisionit të Disiplinës, date 13.09.2014, pika 1 dhe pika 2”, lexohej në procesverbalin e mbajtur këtë të hënë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama