Debati Pse Rusia e deshiron Ukrainen

Debati: Pse Rusia e deshiron Ukrainen

Ndërsa Moska vrapon të gllabërojë gadishullin e Ukrainës, vendet perëndimore duhet me të vërtetë të kuptojnë motivet e Putinit për të pasur ndonjë shans për t’i kundërshtuar ato

 

Gregory Feifer, Global Post

 

Shtrimi i kësaj pyetjeje mund të jetë e rrezikshme. Kur një historian i Moskës e krahasoi Putinin me Hitlerin për sulmin ndaj Ukrainës në një artikull gazete të dielën e kaluar, ai u pushua nga puna në një nga universitetet më prestigjioze të Rusisë. Gjithkund tjetër, gjithsesi, shumë mendojnë se është e logjikshme që të shtrohet kjo pyetje.

 

A mundet që Putini të ketë humbur kontaktin me realitetin?

 

Si është e mundur të mendohet se shtyrja e kufirit jugor të Rusisë drejt luftës civile i shërben Moskës në terma afatgjatë? Kjo pa përmendur dëmin që i shkaktohet reputacionit të vendit nga kryerja e një lloji pushtimi të një vendi të pavarur europian me teknika që shumë besonin se qenë mënyrat se si bëheshin punët shekullin e kaluar. (Ose së paku dekadës së kaluar, kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë, një fqinj tjetër.)

 

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet europianë debatojnë si t’u përgjigjen përgatitjeve të Moskës për të aneksuar Krimenë, presioni duket se ka pak gjasa të sjellë tërheqjen e trupave të tij nga gadishulli i Krimesë pa kuptuar më parë arsyet dhe motivet e këtyre veprimeve të Putinit.

 

Shëndeti mendor i Putinit vështirë se mund të vlerësohet, sepse ajo që mund të ngjajë si çmenduri për shumë amerikanë mund të jetë e bazuar në arsye praktike – jo në arsye perëndimore, por në arsyet e tij. Sjellja e tij reflekton logjikën e kulturës politike të Rusisë si diçka e kundërt me të arsyetuarit dhe vlerat e Perëndimit.

 

Ai mori përsipër rrezikun e sulmimit të Krimesë para së gjithash për shkak se ai sheh perëndizimin e fqinjit jugor të Rusisë si një kërcënim ekzistencial për regjimin e tij, ndonëse kjo nuk është një arsye e shprehur publikisht nga Kremlini.

 

Putini nuk beson me të vërtetë pretendimet e ngritura nga Rusia që Perëndimi qe pas rrëzimit të udhëheqësit pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukoviç, muajin e kaluar. As nuk duket se beson atë që e shpreh herë pas here se Uashingtoni kërkon të përmbysë Kremlinin dhe të grabisë pasuritë natyrore të Rusisë.

 

Në fakt, ai ka frikë nga shembulli që ukrainasit rebelë kanë dhënë për rusët, veçanërisht për rrezikun që zhvillimi i sundimit të ligjit dhe vlerave të tjera Perëndimore në Ukrainë mund të gërryejë themelet e qeverisjes së tij në shtëpi. Ai dëshiron që Ukraina të vijojë të shërbejë si barrierë ndaj reformave perëndimorizuese në mënyrë që sistemi thellësisht i korruptuar i kapitalizmit oligarkik – përzierja e bizneseve dhe politikës në të mirë të elitës sunduese – do të mbijetojë.

 

Si funksionon ky sistem? Dituria konvencionale është se Putini ka qenë në gjendje të sundojë për duzina vite për shkak të kontratës së pashkruar sociale me popullin e Rusisë. Për sa kohë standardet e jetesës vijojnë të rriten falë pasurisë së stërmadhe energjetike të vendit, Kremlini është i lirë të jetë aq autoritar sa i pëlqen të jetë.

 

Në fakt, korrupsioni siguron shumicën e lidhjes ngjitëse mes regjimit të Putinit dhe popullit. Më shumë sesa thjesht të pasurojë Putinin dhe oligarkët e tij, ryshfeti prek pothuajse gjithkënd, nga shoferët që paguajnë policinë rrugore për t’i shpëtuar ndëshkimit te shumat që paguajnë pronarët e bizneseve për të gjitha llojet e shkeljeve reale apo të imagjinuara.

 

Si sistemi de facto i Rusisë, korrupsioni i detyron njerëzit për shkak se u lejon autoriteteve të përndjekin pothuajse çdokënd që ata vendosin të përndjekin. Në të njëjtën kohë, ajo krijon shuma të mëdha parash duke u dhënë atyre ndjesinë se kanë një paketë pronësie në sistemin që u jep atyre diçka në këmbim.

 

Pronari i një dyqani te cepi që paguan policinë vendore për t’u siguruar që nuk do ta gjejë gjë e keqe ndien se ai i ka këmbët të lidhura nga konkurrenca pak blloqe më larg. Kjo është një nga mënyrat se si Kremlini ushtron një shkallë kontrolli nga lartë – poshtë në një vend të stërmadh dhe pa ligje. Ruajtja e këtij modeli është një nga objektivat më të fortë të Putinit.

 

Mes arsyeve të tjera për pushtimin e Ukrainës, Putini pretendon se synon të rikthejë madhështinë e Rusisë. Kjo heq vëmendjen e popullsisë nga padrejtësitë dhe ineficenca që shkakton sistemi i tij. Ky është një argument popullor mes njerëzve që kanë tendencën të urrejnë Perëndimin më të pasur dhe efecient, veçanërisht në variantin e errët që Perëndimi paraqitet nga rrjetet televizive të propagandës së Rusisë.

 

Ndërsa udhëheqësit e Perëndimit debatojnë se si t’i përgjigjen pushtimit rus të Ukrainës, disa po bëjnë thirrje për kujdes, duke argumentuar se kriza e Krimesë mund të ketë disa shkaqe të thella historike, një gamë konfuze pjesëmarrëse, si dhe po luhet në shumë nivele: Jo vetëm si një lojë gjeostrategjike e rrezikshme mes Rusisë dhe Perëndimit, por edhe si një betejë e brendshme mes Ukrainës Lindore pro-ruse dhe Perëndimit pro-europian. Gjithsesi, kjo nuk duhet të lërë në hije debatin mbi atë që duhet bërë.

 

Duke krijuar një përballje mes avokatëve të demokracisë dhe hapjes në njërën anë dhe autoritarizmit plaçkitës së Kremlinit nga ana tjetër, veprimet e Putinit përbëjnë një krizë serioze për Perëndimin. Përtej aftësisë së Ukrainasve për të vendosur për të ardhmen e vet, edhe kapaciteti i vendeve perëndimore për të promovuar interesat dhe vlerat e tyre është në pikëpyetje.

 

Një nga dallimet mes Putinit dhe udhëheqësve të Perëndimit është se Putini i merr vendimet në interesin e vet personal, jo në atë të vendit. Megjithëse kontrollimi i Krimesë – e cila përfshin edhe Sevastopolin, baza që Moska ka marrë me qira nga Ukraina për flotën e vet të Detit të Zi – ka rëndësi strategjike për Rusinë, ajo nuk është e mjaftueshme për të justifikuar shumë pasoja negative që rrjedhin nga pushtimi i Ukrainës.

 

Rusët do të mund të përfitojnë më shumë nga një Ukrainë me mirëqenie dhe e stabilizuar që ka marrëdhënie miqësore përveç marrëdhënieve gjuhësore, kulturore dhe historike me Rusinë. Putini, gjithsesi, do të parapëlqejë më shumë që ukrainasit të zhyten në një luftë të përgjakshme civile në vend që t’i lejojë të afrohen me Europën.

 

Një pjesë e fajit i përket edhe Perëndimit. Ata nuk iu përgjigjën pushtimit rus të Gjeorgjisë më 2008 – vendet perëndimore u përpoqën më shumë të rigjallërojnë marrëdhëniet me Moskën në vend që ta ndëshkojnë atë. Kjo e ka shtyrë Kremlinin ta konsiderojë pushtimin e Gjeorgjisë si një fitore të madhe.

 

Thirrja që Putini të tërheqë trupat nga Krimeja nuk do të funksionojë për shkak se krijimi i një krize për Perëndimin është pikërisht synimi i Putinit. Njësoj si modelet e tij sovjetike, Putini beson se që të kihet frikë dhe të urrehet krijon respekt. Më shumë sesa thjesht të humbasë kohë, duke shpresuar që Moska të dëgjojë zërin e arsyes – siç bëri sekretari i Shtetit, Xhon Kerri (John Kerry) këtë javë – është njësoj si të luash atë që Kremlini dëshiron të luash.

 

Vetëm një përpjekje e ashpër dhe e bashkuar për të izoluar Putinin ekonomikisht dhe politikisht mund të ketë ndonjë shans për të zgjidhur problemin përballë një regjimi që mikpret konfliktet për shkak se hapur i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare si një lojë me rezultat zero. Kjo mund të bëhet duke i bërë presion Putinit me atë lloj gjuhe që ai mund të kuptojë, duke e bërë të qartë se vijimi i qëndrimit të tij në Krime do të krijojë pasoja që mund të dëmtojnë sundimin e tij në shtëpi.

 

Kjo do të thotë që Kremlini duhet të izolohet politikisht dhe ekonomikisht me të gjitha mjetet e disponueshme paqësore: Përzënia e Rusisë nga G8, ndalimi apo kufizimi i blerjeve të gazit natyror nga Gazprom kur është e mundur, ngrirja e aseteve të zyrtarëve të Rusisë dhe biznesmenëve pranë Kremlinit, bojkotimin e Vodkës ruse, imponimin e kufizimeve për viza kundër një numri të madh zyrtarësh rusë – dhe vijimi i të gjitha këtyre masave derisa ushtarët rusë të tërhiqen nga Krimeja.

 

Edhe rusët duhet të nxiten t’i bëjnë vetes pyetjen nëse udhëheqësi i tyre ka shkuar përtej arsyes. Ai do të mbetet i paprekur nga presioni perëndimor për aq kohë sa është në gjendje të paraqesë veten si njeriu që i riktheu madhështinë Rusisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama