Celet konkursi per postet e Keshillit Mbikeqyres

Celet konkursi per postet e Keshillit Mbikeqyres

Ashtu siç kishte lajmëruar, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama njoftoi sot për nisjen e konkurrimit për postet e lira të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Rama ftoi gjithë shqiptarët që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës. Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë për një proces sa më të pavarur dhe të sigurt që do ta ngrejë Këshillin Mbikëqyrës në një stad të ri përgjegjësie profesionale.

Afati i fundit i dërgimit të letrave të interesit në adresën e çelur enkas për këtë rast do të përfundojë në 30 shtator.

Postimi i plotë i kryeministrit:

Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Evropiane fton shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës, të postojnë letrën e tyre të interesit në adresën e çelur enkas keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al

Ky proces është tërësisht i bazuar në vullnetin e mirë të qeverisë për të dhënë kontributin e saj që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur dhe më e sigurt nga situata e krijuar. Prandaj edhe pse ligji nuk përcakton apo rregullon ndonjë proces a procedurë shprehjeje interesi për mënyrën se si përzgjidhen kandidatët e Këshillit Mbikëqyrës nga propozuesit e tyre përpara se të votohen në Kuvend, ne e çelim këtë proces:

a) Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje

b) Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë

c) Për ta ngritur Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale

d) Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikëqyrës

Çdo i interesuar mund ta përcaktojë vetë nëse dëshiron ose jo që shprehja e tij e interesit të bëhet publike. Mbledhja e letrave të shprehjes së interesit në adresën keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al do të vijojë deri në datën 30 shtator.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama