Bulevardi te ruhen largesite e objekteve

Bulevardi, te ruhen largesite e objekteve

Përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë janë duke rikthyer në identitet sheshin “Nënë Tereza”. Këto janë ditët e fundit që punëtorët e Bashkisë së Tiranës po punojnë për rehabilitimin dhe zbatimin e projektit të Institutit të Monumenteve të Kulturës për këtë shesh. Specialistët e ndërtimit janë duke realizuar montimin e skenës ku do të mbajë meshën Papa Françesku, më datë 21 shtator. Ata vazhdojnë punën duke refuzuar që të flasin për detajet e projektit. Në punë e sipër na thonë se, çdo gjë është vënë në zbatim sipas projektit përkatës, por për këtë gjë mund të na përgjigjet vetëm zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni. Rreth e rrotull godinës së Universitetit Politeknik gjenden punëtorë edhe tektuk grupe të rinjsh që janë ulur në krah të Muzeut Arkeologjik, Rektoratit apo Universitetit të Arteve. I vetmi zotëri që menduam se do të na ndihmonte për shndërrimin e ndërtesave përreth, duke na bërë një krahasim me ato të para viteve ’90, është polici që ruan godinën e Rektoratit, i cili të krijon përshtypjen se është rreth të pesëdhjetave.

“Unë nuk mund të them asgjë për këto ndërtime, çdo gjë duket shumë mirë, ashtu siç ka dashur kryeministri i vendit, Edi Rama. Nuk kam çfarë të komentoj më tepër, pasi unë jam nga Kukësi dhe kam ardhur në Tiranë pas viteve ’90, nuk mbaj mend shumë nga ndërtimet e mëparshme, por gjërat po bëhen shumë mirë”, shprehet zotëria. Në projektin e afishuar nga Bashkia të bie në sy rindërtimi i shatërvanit, por edhe mbledhja e pemëve përpara këtyre godinave. Për këtë specialisti i monumenteve të kulturës, Gjerak Karaiskaj tregon për “Shekulli”-n, se rehabilitimi i këtij sheshi ka bërë që të rikthehet në vëmendjen e qytetarëve pamja që kishte asokohe ky korpus dhe xhirot që bëheshin përreth godinave në mbrëmje. Këto detaje, brezi që ka jetuar në Tiranën e para viteve ’90 i kujton me nostalgji ende edhe sot.

“Me përjashtim të shatërvanit, që ka qenë në fillim, e më pas është prishur sepse nuk kishte ujë dhe është rindërtuar përsëri, çdo detaj tjetër po i rikthehet qytetit të Tiranës, ashtu sikurse ka qenë. Mungesa e shatërvanit mund të zëvendësohet me statujën e Nënë Terezës, ndërsa lëvizja e makinave mund të vazhdojë siç ka qenë”, shprehet ai.

Karaiskaj e shikon si një lëvizje shumë pozitive vënien e këtij projekti në vend, madje na kujton se dikur është folur që çdo objekt i ndërtuar gjatë bulevardit duhet të ruajë një largësi të caktuar nga tjetri. “I gjithë bulevardi fillimisht u bë zonë e mbrojtur, sepse u vendos që të gjitha ndërtesat që kanë vlerë, apo që nuk kanë vlerë të ruanin të njëjtën largësi nga njëra-tjetra. Ky projekt duhet që të zbatohej për të gjitha objektet, jo vetëm te korpusi, por edhe në pjesën tjetër të bulevardit, te ‘2 Kullat’. Për dhjetë vjet ajo zonë u mbipopullua nga ndërtesat rreth e rrotull, kurse sot po u kthehet njerëzve siç ka qenë ”, përfundon Karaiskaj. Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani ka deklaruar për mediet qysh në fillim se projekti i hartuar nga IMK që po zbatohet nga Bashkia e Tiranës, synon të shndërrojë të denjë këtë shesh për vizitën e rëndësishme të Papës në kryeqytetin shqiptar.

“Projekti ynë është thjesht rehabilitim. Projekti i miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës parashikon sheshimin e shatërvanit, rehabilitimin e fasadave që rrethojnë sheshin ‘Nënë Tereza’, rregullimin e ndriçimit në shesh dhe, në përgjithësi është një projekt, i cili i kthen karakterin monumental këtij sheshi”, është shprehur drejtoresha e IMK-së.

Përveç restaurimit të fasadave të godinave të rëndësishme, që rrethojnë sheshin “Nënë Tereza” është ndërhyrë edhe në rregullimin e trotuareve, për të cilat janë përdorur pllakat e vogla që rrethojnë shatërvanin, i cili nuk do të jetë më. Ndërkohë që do të ndërhyhet në ndriçimin e këtij sheshi, ku në mes do të ketë një ndriçim më të lartë dhe përgjatë trotuareve do të ketë ndriçim më të ulët. Të gjitha fasadat e objekteve të rëndësishme do të ndriçohen. Në sheshin “Nënë Tereza”, deri më tani janë hequr rreth 6 biznese private. Fondi i miratuar për zbatimin e këtij projekti, nga Bashkia e Tiranës në Këshillin Bashkiak për 2014-n, është 75.027.975 lekë me TVSh.

Pallati i Fashos

Gherardo Bosio (1903-1941) i lindur në Firence të Italisë ka qenë një arkitekt dhe inxhinier urbanistik. Në vitin 1939 projekton në Tiranë “Pallatin e Fashos” (Casa del Fascio, 1939-40). Ky projekt përfshin: korpusin qendror të Universitetit të Tiranës, Universitetin e Arteve, Institutin Arkeologjik, stadiumin “Qemal Stafa”, Kryeministrinë, hotel “Dajtin”, Pallatin e Kulturës, Muzeun Historik Kombëtar etj. IMK vendosi që shkallaret e Korpusit dhe ato në krahë të Universitetit të Arteve dhe Rektoratit të zëvendësohen me materiale që shkojnë edhe me ndërtesat përreth. Ministria e Kulturës vendosi që statuja e Nënë Terezës, e realizuar nga skulptori Thoma Thomai të zhvendoset në aeroportin e “Rinasit”, ndërsa ajo e skulptorit Luan Mulliqi vazhdon të jetë duke u restauruar në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama