Brazili vjedh nje penallti Nejmari eshte per... Oskar

Brazili 'vjedh' nje penallti, Nejmari eshte per... Oskar

Kur thua futboll, ke thënë Brazil për një muaj kohë, nga 12 qershori deri më 13 korrik. Fluksi i emocioneve që do të prodhojnë kombëtaret më të mira të globit, që kanë fituar të drejtën të jenë në fazën finale të turneut më të madh në futboll, do të jetë unik në një vend që ka fituar më shumë se askush Kupa të Botës; pesë të tilla. Çdo gjë tjetër do të të dallojë ty nga të tjerët në bazë të tifozllëkut që bën kudo gjendesh, duke përcjellë përmes ekranit të televizioneve gjithçka ndodh në fushat e blerta.

 

Kurrë më parë një Botëror nuk ka gjeneruar aq shumë shpenzime, sa ky brazilian, i cili i tejkalon 11.000 milionë euro. Stadiumet janë rinovuar, ato të reja janë ndërtuar, përfshirë këtu edhe infrastrukturën e aeroporteve, rrugëve dhe hoteleve. Të gjitha janë bërë me qëllim që të sigurojnë një turne spektakolar, por me përvetësimet ekonomike ky Botëror ka sjellë një konflikt social në vendin e Sambas. Njerëzit e vendit organizator janë në përputhje me Botërorin, por jo me të njëjtin financim që ka ardhur nga xhepat e tyre. Është vlerësuar se gjashtë nga shtatë euro të investuara vijnë direkt nga arkat e qeverisë, kur një nga premtimet ishte që shuma e përgjithshme do të sigurohej nga fondet e investimeve private. FIFA i ka “larë duart”…

 

E megjithatë, nuk do të ketë kthim, siç është logjike, për Brazilin dhe brazilianët. Rreth 600.000 turistë pritet të jenë në këtë vend gjatë kohëzgjatjes së turneut. Pasioni dhe arsyeja nuk janë të papajtueshme në Brazil. Njerëzit në këtë vend e duan futbollin mbi të gjitha gjërat dhe e lakmojnë pa fund Kupën e Botës. Botërori më i mirë, sipas pritshmërive, hap dyert me diskutime dhe dyshime të shumta. Ndeshja hapëse ishte mes Brazilit dhe Kroacisë, ndërkohë që turneu do të vijojë në ditët pasuese sipas kalendarit përkatës. Topi nisi të lëvizë, festa dhe magjia e lojës më të dashur për kombet, futbolli, filloi!

Brazili-Nejmar, dueti që e nis mbarë


Ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2014 dhuroi emocione dhe spektakël futbollistik. Nisi me një autogol të Marselos, një moment pikant ky, dhe vijoi me dopietën e yllit të Barcelonës, Nejmar, si dhe “vulën” përfundimtare të Oskar, në limitin e kohës së rregullt. Që në ballafaqimin e parë të këtij turneu kemi një penallti, mjaft e kontestuar nga kroatët dh që ka nevojë për moviolë të hollësishme, e cila i shërbeu Brazilit për të superuar ballkanasit. Rezultati përfundimtar 3-1 i jep tri pikët e para në grup “Selecaos”, e cila duket në rrugën e pritshmërive maksimale karshi saj, e konsideruar një nga favorite kryesore për të triumfuar në Botërorin që zhvillohet në shtëpinë e saj.


Ndeshja Sfida nis e vrullshme për të dyja skuadrat, me rreziqe në portat respective në dhjetë minutat e para. Kovacic provon i pari në portën braziliane, ndërsa kundërpërgjigjet Nejmar. Në minutën e 11-të, kemi një dalje të bukur në krahun e majtë të Rakitic, që fut një top tokazi në zonën e “Selecaos”. Aty, në tentativë për të larguar rrezikun, Marselo e dërgon topin në rrjetën e tij. Kroacia e sheh veten në avantazh, ndërsa rrjeta e parë e këtij Botërori është një autogol. Një moment për t’u mbajtur mend. Reagimi i skuadrës së Skolarit është i menjëhershëm dhe i furishëm. Të ndihmuar edhe nga “lukunia” e tifozëve verdhejeshilë, lojtarët e Brazilit ndërmarrin aksione të shumta dhe sulme në ballë të gjerë drejt portës kroate, ku shtrëngohen ballkanasit. Rakitic dhe Modric mundohen që përmes qarkullimit të topit dhe pasimeve të gjata diagonal për te dyshja e sulmit ta kapin Brazilin në befasi, përmes kundërsulmit. Kjo është arma kryesore e lojës së Kroacisë, e cila tregohet më gjakftohtë, edhe pse duhet të përballojë një presion të madh, që vjen nga kundërshtarët në fushën e blertë, por edhe nga uturima e tifozërisë së shumtë në numër të brazilianëve. Nejmar, pasi ndëshkohet me të verdhë, përfiton nga një gabim në mesfushë i kroatëve dhe bën disa hapa para, duke goditur mbi vijën e 16-metrave të zonës kundërshtare. Topi prek shtyllën pingule të Pletikosas dhe përfundon në rrjetë. Rezultati barazohet. Minutat deri në fund të pjesës së parë zhvillohen tërësisht në gjysmëfushën e Kroacisë, e cila vuan në zotërimin e topit të parë, bën gabime në pasime dhe bie pre e presionit asfiksues të “Sambas”. Megjithatë, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes në ekuilibër rezultativ, duke ia lënë pjesës së dytë vulosjen e rezultatit të ndeshjes hapëse të këtij Botërori.


Pjesa e dytë Edhe ky fraksion loje ka një “violinë të parë”, brazilianët, që mbeten tërë kohës në fazën ofensive. Në këtë gjë e ndihmojnë edhe lojtarët kroatë, që e mbajnë së tepërmi topin në këmbët e tyre, angazhohen më shumë se duhet në veprime individuale, duke humbur befasinë e shpejtsinë në veprime. Mesfusha e Brazilit është tepër luftarake, sidomos në lojën për topin e parë, ndaj si lejon ballkanasit t’i afrohen portës së Hulio Sezar. Kovacic dhe Modric bien në “grackën” e kundërshtarit, duke mos arritur t’i japin fantazi e frymëmarrje lojës së Kroacisë. Kësisoji, strategjia e Kovac “cmontohet” në njëfarë mënyre nga Skolari dhe të tijtë. Olic mbetet i shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës, ndërkohë që në repartin ofensiv të ballkanasve ndihem mungesa e Mandzukic, i pezulluar për shkak kartonësh. Te mikpritësit e Botërorit ka shumë dëshirë, djersihet shumë në kërkim të golit të dytë dhe fitores, por kur vjen puna në finalizim edhe ata nuk janë të qartë. Të gjithë topat adresohen te Nejmar, që sjell pështjellim te prapavija kundërshtare, por nuk angazhohen sa duhet Fred dhe Hulk, që kanë më shumë hapësira veprimi.


Zëvendësimi i parë bëhet te Kroacia në minutën e 60-të. Del Kovacic, krejtësisht në hije, dhe futet Brozovic. Kundërpërgjigjet brenda dy minutash Skolari, me rrokadën Paulinjo-Hernanes. Të dy teknikët përpiqen të rregullojnë e freskojnë dicka në mesfushë, ku pas minutës së 60-të përqendrohet më së shumti loja. Janë momente kur ka rënë disi ritmi i Brazilit, ndërsa kroatët mendojnë më së pari të mos pësojnë gol tjetër dhe përmes daljesh sporadike të ndëshkojnë vendësit. Skolari ndërhyn edhe në repartin e sulmit. Ul në stol Hulk dhe hedh në fushë Bernard. Në minutën e 69-të kryesori japonez akordon një penallti disi të dyshimtë. Kontestojnë fort kroatët, por Nejmar vihet te pika e bardhë e penalltisë dhe dyfishon shifrat në minutën e 70-të. Rast për moviolë dhe shumë i diskutueshëm, por që i dha Brazilit fitoren e shumëdëshiruar, e cila u vulos nga Oskar në minutën e fundit të kohës së rregullt. Katër gola brazilianë në këtë sfidë hapëse të Kupës së Botës 2014, ku Nejmari regjistroi dopietë në portën e Pletikosës, ndërsa Marcelo preku rrjetën e Hulio Sezarit, me atë autogol. Pra, ky ballafaqim i pati të gjitha brenda vetes, duke dhënë sinjale se ky turne do të jetë vërtet spektakolar. Dueti Nejmar-Brazil e kaloi me sukses provën e parë, duke ecur në rrugën e pritshmërive, si njëri nga favoritët kryesorë për fitimin e Botërorit.

DEKLARATAT PAS NDESHJES
Kovaç: Ishte cirk, jo futboll


Trajneri i Kroacisë, Niko Kovaç, ka deklaruar pas ndeshjes se në fushë pati cirk dhe jo futboll. “Brazili e meritoi fitoren, sepse luajti shumë mirë, por ama Brazili nuk ka nevojë për ndihma të tilla nga gjyqtarët. Nuk më pëlqen që t’i akuzoj arbitrat, por ky i sotmi (djeshmi) nuk ishte në nivelin dhe në kategorinë e kësaj ndeshjeje dhe për pasojë shkatërroi gjithçka. Kur ndeshjen e vendos arbitri, nuk bëhet fjalë për futboll, por për cirk… FIFA ka si slogan të vetin ‘fair play’-n, por duhet të ketë parasysh se kjo vlen për të dyja skuadrat në fushë dhe jo vetëm për një”, – tha Kovaç pas ndeshjes.

“Golin tim ia dedikoj Skolarit dhe kritikëve”


Fakti që i ka zënë vendin në formacion Uillianit, irritoi shumë prej specialistëve të futbollit brazilian, por me ndeshjen e djeshme Oskar ka fituar bastin e tij dhe ka shpëtuar madje edhe trajnerin Skolari: “Nuk mund të them që kemi bërë një start pozitiv, por në të tilla evenimente është e rëndësishme ta nisësh me fitore. Ne ia dolëm dhe jemi krenarë për këtë, sepse do të kemi kohë për të korrigjuar gabimet e bëra. Një dedikim për golin? Pa dyshim trajnerit Skolari, i cili ka besuar gjithmonë tek unë dhe kritikëve të mi. Unë kam ardhur në këtë grup për të dhënë kontributin tim dhe mendoj se e bëra më së miri ndaj Kroacisë”.

“Shënova golin e parë, por në portën e gabuar”


Mbrojtësi i Brazilit dhe i Realit të Madridit nuk e ka nisur siç duhet Botërorin 2014, por Marselo kërkon ta marrë me ironi këtë gjë dhe premton se do ta shlyejë këtë gabim. “Më vjen mirë që jam unë autori i golit të parë në këtë eveniment, por fatkeqësisht e dërgova në portën e gabuar. Nuk është hera e parë që më ndodh kjo, por kurrsesi nuk jam dhe s’u demoralizova, sepse ndryshe do i kisha shqetësuar edhe më shumë shokët e mi. Lojë e dobët? Taktikisht ishim mirë, sepse zbatuam ato gjëra që na kërkoi trajneri, ndonëse vend për përmirësime ka. Mirëpo, në Botëror çdo ndeshje luhet si një finale, ndaj gabimet edhe mund të ndodhin”.

“Tani na ndajnë 6 sfida nga kupa”


David Luiz anashkalon kritikat për lojën jo shumë të mirë të Brazilit dhe duartroket ekipin përpara medias: “Në këtë Botëror duam të fitojmë Kupën e Botës dhe jo të mbahemi mend për lojën e bukur. Për të do të ketë kohë, ndaj mendoj se fitorja 3-1 kundër Kroacisë ishte një rezultat më se i merituar që tregon forcën tonë. U ndihmuam nga arbitri? Unë di që nga kupa tani na ndajnë vetëm 6 ndeshje…”.

 

Statistika mbi Brazilin dhe Kroacinë


    -Vendi organizator nuk ka humbur kurrë në ndeshjen e parë të edicionit, ku në 21 përballje, 15 janë fituar nga vendësit dhe gjashtë kanë përfunduar në barazim.
    – Tetë nga 12 ndeshjet hapëse të Botërorit kanë prodhuar maksimumi një gol.
    – Brazili ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në fazën në grupe, ndërsa dueli tjetër ka përfunduar barazim.
    – Kroacia ka pësuar 14 gola në 14 ndeshje të zhvilluara në Kupën e Botës, me një mesatare 0.85 gola për ndeshje, më e mira mes 34 ekipeve pjesëmarrëse në edicionin e këtij viti.
    – Në nëntë ndeshjet e fundit të Kroacisë në Kupën e Botës, kanë marrë gjashtë kartonë të kuq.
    – Brazili e kishte fituar ndeshjen e vetme në kompeticionin zyrtar kundër Kroacisë, pikërisht atë me rezultatin 1-0 në edicionin e vitit 2006, falë golit të Kakasë.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama