Bovilla WC-ja e disave ujesjellesi i disa te tjereve

Bovilla, WC-ja e disave, ujesjellesi i disa te tjereve

Ka mjaftuar reagimi i një teknicieni të cilësisë së ujit, që e gjithë media dhe publiku të kujtohej për Bovillën, ujëmbledhësin nga ku përcillet lënda bazë e jetës për kryeqytetin. Vërtetë, nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në rezervuar, por nuk i hasim më bagëtitë si kohë më parë. Mbeturinat janë po ato përreth: plastika të ndryshme, hedhur pa kujdes; lloj-lloj mbeturinash inorganike, përzier me shkurre; hi i mbetur nga ziafete dhe... uji si i veshur me një cipë

Rruga pas Zall-Herrit është njësoj. Pra, e pashtruar, ashtu si para tre vjetësh, kur kemi qenë për herë të fundit. Pluhuri i bardhë që ngrihet nga mjetet në formë reje sipër e bën më të vështirë ndërrimin me makinat e rënda, të cilat e kanë dërrmuar krejt rrugën e ngushtë. Që të shkosh në Bovillë, në rezervuarin nga ku merret uji për kryeqytetin, të duhet që të gjithë segmentin ta përshkosh pikërisht në këtë katrahurë pluhuri. Sali N., që e marrim më vete, shfaqet rastësisht mu tek xhamia e vogël, nga ku fillon e gjithë kjo rrugë deri në rezervuar. E gjithë zona futet nën juridiksionin e Zall Herrit. Referimi është po me të. Burri 70 vjeçar ka bujt’ te një i afërm në qytet...E pyesim për ujin, kurse ai na e kthen qetazi se gjithçka është e mirë! Edhe në këtë pluhur? Eh, do mbarojë, na thotë. Po ju në Tiranë, që e hani për ditë! Ka të drejtë. Po, ç’ti themi kur palët e interesuara për ujin hallakaten me njëra-tjetrën. Ndërmarrja e Ujësjellësit, Bashkia e Tiranës, Komunat e Cullit dhe të Zall Bastarit flasin dhe stërflasin për cilësinë, por gjendja në fund mbetet, sipas parametrave shqiptare... normale. Madje, një profesionist i ujit, përmes argumenteve teknikë e zvogëlonte fare rrezikun!
 
Drejt rezervuarit


“Nuk pata rehat dje. I thashë ene mikut dhe e kam majt dritaren hap...”. Pse e mbani kaq pis Bovillën?-e pyesim Saliun. “Pse çfarë t’i bëjmë?”- ma pret. Ka të drejtë, në mënyrën e vet. Befas, e kthen. “Tre herë kanë fillu gjoja me e asfaltu. Vinë në koh’ të zgjedhjeve, zakonisht”. S’është aq naiv. Blen. Çfarë duam aty?! Jemi ende pak larg ujëmbledhësit dhe nuk kemi dalë ende te syprina e ujit. Duhet të jemi të futur diku mes kanionit, ku Mali i Skënderbeut dhe Mali i Dajtit, këqyren mes vete. Burri është shumë i drejtpërdrejt. Por, sipas mënyrës së vet. “E kena t’pastër ujin”, ma pret. Vazhdojmë e shkëmbehemi me makinat e rënda që gërmojnë pafund Shkallën e Tujanit duke e shndërruar krejt. Plaku e nxjerr jetën me prodhimet e atyre tre dynym tokë të 7501, pasi kanë qenë pak frymë, “por të tjerëve u kanë ra më shumë”, më sqaron. Biseda në pak minuta kap gjithçka, madje edhe një djalë “të ardh nga dikund dhe që u vra në Siri”. Kur e pyesim për papastërtitë e Bovillës, për atë s’janë asgjë. Plastikat jo e jo, por edhe plehu që përdorin fshatarët, që ai e quan të mirë dhe çdo gjë tjetër. “Dhe, ujrat e zeza? Si i kanë bo t’parët”, më thotë
 
Intermexo


“Me gjithë masat që janë marrë unë mendoj se ende uji i rezervuarit të Bovillës, nuk është ujë i cilësisë së parë. Pra është i papijshëm. Edhe pse futet në impiantin e filtrimit ai sërish nuk pastrohet dhe unë mendoj se Tirana nuk e meriton të pijë këtë ujë. Duhet patjetër të bëhen gropa antiseptike për ujërat e zeza të banorëve që jetojnë rreth Bovillës. Duhen investime serioze. Ajo duhet të futet në karantinë dhe të mbrohet. Këtë nuk mund ta bëjnë vetëm komunat, por duhet një angazhim edhe i shtetit”, deklaroi pak ditë më parë Mehmet Metaj, ekspert studiues i Bovillës
 
Në Bovillë


Fjalë të tmerrshme, por që kaluan shpejt. Lajmi në Shqipëri ftohet brenda ditës. E sigurt, që do ia behë nëma tjetër, pas një dite. Burri flet shtruar, sikur gjërat janë vetëm këtu. Për të është parajsa. Nuk kam përgjigje se pse vazhdon kështu, se ç’bën me ujërat e zeza apo thasët me plehrat për bagëtitë, që lidhen me rezervuarin. Kur pyetjet shtohen, burri ka ‘mbërritur’ fare afër shtëpisë. Është aq i paqëm, sa i shkon realisht imazhi i Shvejkut rural. Ndahet dhe sakaq përshëndet përzemërsisht një shofer që me kamionin e vet ecën me një re pluhuri përreth dhe veç kësaj lëshon edhe një tymnajë nga pas. A është e mundur vallë një karantinë në këtë vend, ose si thoshte dikur një profesionist, që të rrethohej i gjithë vendi me disa rrethime përreth dhe të shpallej dhe të njihej si zonë e rrezikshmërisë së lartë? Nuk e dimë. Gjithsesi, pas 10 minutash në këtë katrahurë shfaqet asfalti i mbetur nga udha, e cila e përshkon mu në mes luginën që ndan Tiranën me Krujën dhe që poshtë shikon mrekullinë e kanionit. Diga tani shfaqet më e afërt. Ia mbërrijmë. Ah, është e njëllojtë situata. Është po ajo kabinë. Një sobë jashtë. Disa burra, ngjitur me njëri-tjetrin, merrem me fjalë. Një polic privat sillet atypari, i shkalafitur. Është pak i habitur se ka parë një makinë me të huaj në këtë vend. I marrim leje të fotografojmë. Andej tutje? Po. “Ikni, e bëni ç’të doni. Këtu jo”. Po andej? Jo. Është e bukur syprina e ujit, kur s’ka valëzim, por ngjyra e gjelbër nuk lë shteg dyshimi. Duhet të ketë filluar periudha e gjenerimit të algave. Disa shtresa lyrshmërie në ujë, në forma hartash disa metra katror, duken që nga diga. Liqeni u bëri të keqen banorëve pasi u përmbyti tokat. Banorët e komunave Zall-Bastar dhe Cudhi, ende sot s’janë të ndërgjegjshëm për statusin e ri. Zall-Bastari, Vileza, Bastari i Mesëm, Mneri i Sipërm, Rranxë dhe Bruzmal vazhdojnë presin drurët përreth, kullosin bagëtitë, bëjnë banjë, ziafete, gjuajnë për peshk dhe hedhin mbeturina. Si atëherë, kur ishte lum. Kemi një ndjesi kombëtare, që kur shohim ujë, duam të hedhim tinëz mbeturina, se nuk na sheh njeri! Kuptohet s’është aspak kështu. Specialistët pohojnë se edhe ujërat e zeza, që prodhohen prej tyre, mbathin tokën dhe jo më mbeturinat direkt. E kemi lenë sërish asfaltin dhe Digën nga pas, derisa makinën e lemë tek tabela e Ndalim-Qarkullimit.
 


Pisllëku


Është çudi që edhe disa vite më vonë, tabela qëndron në këmbë. Është sërish me gjurmët e plumbave. Por, njësoj. Kujtimi ndoshta më real i vitit 1997. Nga këtu mund të shikosh realitetin e Bovillës dhe atë që e thonë dhe e stërthonë specialistët për prerjet e druve, mbeturinat e shumëllojta etj. Lumi i Tërkuzës, nga ku u krijua ky impiant, s’ua ka hequr zakonet banorëve. Pellgu që e ka thellësinë maksimale rreth 53 metra e me thellësi mesatare prej 18 metrash e përshfaq hapur batërdinë, që i është bërë pyllëzimit. Është e kuptueshme sepse ndotja vjen veç prerjes së drurëve që përdoren për ngrohjen e 9 fshatrave me gati 1600 familje, edhe me përdorimin e bagëtisë, si mjetin kryesor të jetesës. Pastaj edhe pak bujqësi dhe kuptohet shërbimit. Ah, edhe kjo. Druri u duhet se e çojnë dhe në furrat e gëlqeres në Fushë-Krujë. Dhe, e kanë vërtetë një shfajësim (jetesa), edhe pse ato me ligj janë mbyllur tani. Një referim i 5-6 viteve më parë fliste për 12.000 kafshë shtëpiake, që patjetër duhet të kullosin afër dhe bimët mjeksore Salvia, Origanum, Thymus, Hypericum, Crataegus, Rosa, që mblidhen aty etj. Kaq. Ndërkohë, përballë nesh rrinë të mbledhura mbeturinat e lloj-lloj gjërash, që nga gjërat më ordinere, si plastika, shishe, kanaçe, rroba deri në mbeturina të erozionit. Qenia brenda e në sinoret e Parkut të Dajtit, as e ka ndihur fare si vend. Në fakt edhe me këto kushte, në një studim, ku përfshiheshin shumë parametra fiziko-kimikë dhe biologjikë, cilësia e ujit të Bovillës i përkiste kategorisë A1, të Standardit të Bashkimit Evropian 75/440, për ujërat sipërfaqësore që shfrytëzohen për ujë të pijshëm, sidomos për pH-in, BOD5, përcjellshmërinë, ushqyesit (nitratet, fosfatet) etj! Fitoplanktonet, pigmentet fotosintetike, zooplanktoni s’kishin prodhimtari të madhe.


...


Sikur të mos mjaftojë e gjitha ka edhe një mori gotash plastike në një cep, që duhet t’i kenë lënë nga mbarimi i ndonjë ziafet të ngeshëm katundor. S’kemi kë të pyesim. Ashtu si nuk e kuptoj edhe relacionin e vërtetë teknik, që uji është i pastër. Ani, dorën e egër të njeriut të zonës e sheh me erozionin e tokës prej zhvatjes së mbulesës bimore, gërryerjet masive, që i janë bërë nga heqja e druve, bagëtinë, gjurmët e zjarreve dhe shkarkimet e pohuara të ujërave të zeza të krijuar nga njeriu dhe nga kafshët. Të mendosh sikur të kishim mundësinë me barkën dhe të lundronim në të gjithë bregun, patjetër panorama e katrahurës do të ishte shumë më e plotë. Por deri këtu. Non plus ultra...


 Kam pak etje, por një burim që sjell ujë, ma heq etjen si me dorë prej ca mbeturinave aty. Një çizme femrash, që s’ia kuptoj dot arsyen e vendndodhjes aty, më konfuzon edhe më shumë. Një djalë që zbret nga një rrugë dytësore, do të futet me zor në muhabet. E largojmë. Ta mendosh, të kap lebetia dhe për ata që ambalazhojnë ujë. Ku i mbushin vallë?
...
Fotot që bëjmë janë të pamjaftueshme për të treguar se në çfarë gjendje është Bovilla dhe pellgu i saj ujëmbledhës, por një gjë e kupton se në varfërinë e banorëve, s’mund të kërkosh edhe ndërgjegje të veçantë. Sidomos në kohën ku jetojmë, ku njeriu për njeriun është vërtetë i pamëshirë. Bagëtia s’po duket. Kur e pyes njërin nga punëtorët e Digës, për to- më thotë se nuk ka pasur ndonjëherë kafshë!!! Imagjinata ime! Këtu e kuptoj hapur se më gënjen, pasi disa vjet më parë i kam fotografuar vetë dhe fotot mund të gjenden lehtë dhe në internet. Po ai, pak minuta më pas, më tregon se ato shkallët provizore ngjitur në shkëmb (vetëm 50 metra nga ana e kundërt e Digës), janë bërë që të kullosin bagëtia. “Këtu rriten herë pas here edhe pemë të mëdha, pamja e të cilave krijon herë pas here tek vrojtuesi nordik shqetësime për sa i përket dëmtimeve që pësojnë këto pemë nga bagëtitë dhe barinjtë e tyre”, kujtoj Georg von Hahn në udhëtimin e vet. S’ka ndryshuar shumë, vetëm se vishemi pak më ndryshe, i kujtoj hijes së tij. Ikim dhe shpejt rifutemi në vorbullën e reve të tymit, që lëshojnë dhe prodhojnë makinat e mëdha. Pranverë 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama