Bllokohet ish-Uzina Dinamo tregtaret Do te hyjme ne greve urie

Bllokohet ish-Uzina 'Dinamo', tregtaret: Do te hyjme ne greve urie

Tregtarët e ish-uzinës “Dinamo” protestuan sërish mëngjesin e djeshëm për mbylljen e tregut, pas aksionit të Policia Bashkiake. Edhe gjatë kësaj proteste nuk kanë munguar përplasjet e tregtarëve me punonjësit e policisë bashkiake, por edhe të policisë së kryeqytetit. Shkak për këtë është bërë bllokimi i mjeteve të transportit ushqimorë si furgonë dhe kamionë me mallra që të futeshin në ambientet e tregut. Sipas tregtarëve, nuk ka pasur asnjë njoftim për mbyllje të tregut, prandaj ata kërkuan një vendim, apo urdhër nga policia, për këtë vendim. Ata thanë shqetësimin duke thënë se, kamionët me produktet që ata shesin janë bllokuar përpara tregut nga policia pa asnjë lajmërim, duke u shkaktuar atyre një kosto të madhe. Ata shprehen se, puna e tyre në këtë treg vijon të mbetet e bllokuar që nga mesnata e një dite më parë. “Që nga ora 00:00 e natës strukturat e policisë na kanë bërë terror, ishin me skafandra dhe të blinduar. Nuk lënë asnjë biznes të hyjë në tregun “Dinamo”.

Janë mbi 500 biznese që janë bllokuar duke mos lejuar të furnizohen me mall. Nëse ata vazhdojnë të na pengojnë gjysma e dyqaneve të qytetit do të mbeten bosh”, thotë Fiqirete Kallaji, një grua tregtare bulmeti, rreth 45 vjeçare e veshur me përparëse të bardhë me flokë të verdhë. Gruaja tregon se ajo është e punësuar bashkë me familjen e saj aty, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. "Aty kemi investuar gjithë djersën tonë", u shprej ajo. Tregtarët sqarojnë se bllokimi i kamionëve ka një kosto të madhe për ta pasi shumica e produkteve që ata tregtojnë kanë një jetëgjatësi dhe një rezistencë të shkurtër. Nën temperatura të larta dhe duke qenë në kamionë frutat dhe perimet do të prishen duke u shkaktuar tregtarëve një humbje në biznesin e tyre. Tregtarët kanë tentuar të bllokojnë për disa minuta rrugën në hyrje të tregut tek ish-uzina “Dinamo”. Kjo ka çuar në përplasje me policisë bashkiake. Protesta e tyre u përshkallëzua rreth orës 09:50 dhe tregtarët janë përleshur me policinë. Mirëpo, situata u normalizua shumë shpejt dhe protestuesit e liruan rrugën.

Ata thonë se janë të vendosur për të mos liruar këto ambiente. Sipas vendimit të bashkisë dhe prefekturës ky treg duhet të mbyllet, dhe tregtarët  duhet të zhvendosen në tregun e ri të ndërtuar në rrugën dytësore të autostradës Tiranë - Durrës. Mirëpo tregtarët nga ana e tyre e quajnë këtë vendim të padrejtë. Ata akuzojnë bashkinë dhe prefekturën se po i detyron me dhunë të zhvendosen duke favorizuar kështu tregun e ri dhe duke e shndërruar këtë të fundit në një monopol. Avokati mbrojtës i tregtarëve, Dilaver Rexhepaj u shpreh për mediet se, tregtarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga instancat përkatëse, për ndalimin e hyrjes së kamionëve me mall në këtë treg. Gjithashtu ai është shprehur se tregtarët kanë qenë korrektë me detyrimet që duhet t’i paguajnë shtetit. Ky aktivitet është e vetmja mënyrë punësimi që ata të mbajnë familjet e tyre. Kjo ishte kryefjala e shumë protestuesve në hyrje të tregut. Shumica e tyre prej më shumë se 15 vjetësh, thonë se kanë investuar mjaft para në bizneset e tyre. Sipas tregtarëve mbyllja e tregut do të kishte një kosto mjaft të madhe për ekonominë e tyre familjare. Duke u zhvendosur në një treg tjetër ata do të humbasin klientët, por edhe investimin e shumë viteve që kanë bërë në këto ambiente.

Përgjegjësi i tregut: Do të hyjmë në grevë urie

Dhurim Ismailati u shpreh për gazetën “Shekulli” se protestat për moslejimin e mbylljes së këtij tregu nga ana e tregtarëve do të vijojnë edhe në ditët në vijim. “Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore. Në rast se do të tentojnë ta mbyllin tregun ne do të protestojmë para kryeministrisë, parlamentit dhe kudo, derisa të fitojmë të drejtën tonë. Nëse është e nevojshme do të hyjmë edhe në grevë urie”, u shpreh ai. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm tregtarët kanë marrë informacion se Policia e Rendit do të zbatonte urdhrin për mbylljen e këtij tregu. Kjo ka bërë që të mblidhet shoqata e tregtarëve të tregut të ish- uzinës “Dinamo” dhe të dalin në protestë. Përgjegjësi i tregut Dhurim Ismailati tregon se, në të gjitha pikat hyrëse të Tiranës, policia rrugore ka ndaluar furgonët dhe kamionët të futen në qytet për t’u shkarkuar tek tregu i ishuzinës “Dinamo”, duke i detyruar ata t’i drejtohen tregut të ri pranë autostradës Tiranë- Durrës.

Drejtuesve të mjeteve iu është marrë patenta dhe leja e qarkullimit dhe u është thënë se, pas shkarkimit të mallit tek tregu i ri në autostradë ato do t’u rikthehen. Përgjegjësi i tregut akuzoi Policinë Bashkiake se ka ushtruar dhunë ndaj tregtarëve dhe ka detyruar drejtuesit e mjeteve që tentonin të hynin në brendësi të tregut, të zbrisnin nga automjetet e tyre. “Subjekti ynë “Dinamo” sh.a, ka ngritur një padi kundrejt këtij vendimi arbitrar që është marrë për mbylljen e tij. Ne kërkuam në Gjykatën Administrative një inspektim të dytë. Në datën 25 gusht ne presim vendimin e kësaj gjykate. Shteti është Zoti ynë, kështu që në rrugë ligjore ne do të kërkojmë të drejtën tonë”, u shpreh ai. Dhurim Ismailati tregon se, kushtet në këtë treg janë më të mira se në të gjitha tregjet e tjera që gjenden në Tiranë. Është investuar që të krijohen ambiente me kushte të larta higjienike. Magazinat janë 9 metra të larta dhe mundësojnë kushte frigoriferike për ruajtjen në kushte optimale të produkteve. Nisur nga kjo situatë ai e sheh të paarsyeshme mbylljen e këtij tregu.   


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama