Beteja per avionet misterioze

Beteja per avionet misterioze

Nga dyshimet për trafik droge nga bazat ushtarake, tek loja politike për të fituar një tjetër betejë para publikut. Çfarë fshihet pas informacioneve “sekrete” dhe strategjia PS-PD për debatin e avionëve të drogës

 

Nga e enjtja në të enjte, temperatura politike arriti kulmin dhe shpërtheu në grotesk mes palëve në Kuvend. Kryefjalë ishte akuza e PD-së për implikimin e bazave ushtarake në trafik drogërash të forta. Sinjali i parë erdhi nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili pas padisë së pestë, dorëzuar në Prokurori nga Mimi Kodheli, zbuloi një copëz të atij që do të cilësohej një skandal i supozuar, por gjithsesi alarmant për elementët e përfshirë. Partia Demokratike pretendon se ish-baza ajrore e Gjadrit përdoret si aerodrom avionësh të vegjël, që marrin ngarkesa me drogë. Përveç Gjadrit, demokratët hedhin dyshime se avionë “renegatë” ulen edhe në Divjakë e Gjirokastër për të njëjtën arsye. Pas ish-ministrit Imami, stafetën e akuzave e mori ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i cili paralajmëroi se ka prova për një akuzë të tillë. Por bash atëherë kur pritej zbulimi i dokumenteve, politika shqiptare u hodh në fushën që njeh më mirë: atë të akuzave “pa doganë” nga foltorja e Kuvendit. Për opozitën, barra e provës i takon qeverisë!

 

Heshtja që vjen nga qeveria?

 

Nën breshërinë e akuzave dhe pyetjeve të përditshme, qeveria vendosi të ndjekë traditën e vet të heshtjes. Ministrja e Mbrojtjes, e kërkuar që në krye të herës nga PD për një seancë dëgjimore në Kuvend i kërkoi vërtet Prokurorisë që të hetonte akuzat, por nuk i ofroi asnjë të dhënë publikut të dyzuar mbi dyshimet për trafikun e drogës me avionë. Të kapur në beft nga opozita dhe paralajmërimi për nxjerrje në shesh të provave, mazhoranca u hodh në sulm, vetëm pasi u sigurua për ç’dokumente bëhej fjalë. E ndërsa Komisioni i Sigurisë refuzoi me kartonët e mazhorancës thirrjen në seancë të Mimi Kodhelit, kjo e fundit, në një intervistë për “MAPO”-n do t’i cilësonte tullumbace pa ngjyrë akuzat e opozitës. Ministrja Kodheli nuk mohoi megjithatë ekzistencën e një informacioni për këtë çështje, kur tha se detyra e saj është të ruajë dhe trajtojë me seriozitet informacionet e klasifikuara. Megjithatë, loja qe zbuluar! Palët kishin parë “kartat” e njëri-tjetrit dhe përballja finale i takonte seancës së të enjtes në Kuvend. Ish-kryeministri Berisha, i sprovuar në të shkuarën për akuza të këtij kalibri kërkoi shpjegime nga ministrja Kodheli dhe Rama për implikimin e bazave ushtarake në trafik droge. “Lidhur me Gjadrin, dua t’u informoj me përgjegjësi të plotë se Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë dhe shërbimet e tjera ushtarake kanë informuar me kohë të përbetuarën Kodhelin mbi gënjeshtrën”,-tha Berisha, duke kërkuar sërish shpjegime dhe transparencë. Kryeministri Rama u përgjigj fund e krye me ironi.  “Doktorit i shkojnë sms-të çdo natë se janë avionë që ulen në Divjakë. Nuk janë avionë, janë mushkonjat. Mushkonjat janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë vazhdimësisht opozitën dhe ajo përpiqet të pickojë opinionin publik”,-tha kryeministri në Kuvend. Përgjigja zyrtare e mazhorancës: Provat dërgojini në Prokurori. Për të, barrën e provës në një shtet demokratik e ka ai që akuzon!

 

Nën “mburojën” e sekreteve

 

Në kërleshjen mes llogoreve, politika po merr zvarrë edhe institucionet e Sigurisë. Bash atëherë, kur ato ishin në proces verifikimi të sinjaleve për ulje të dyshuar të avionëve në pistën e Gjadrit. Sepse sinjale ka, ndërsa prova ende jo! Burime të MAPO-s bënë me dije se ekziston një korrespondencë mes Policisë Ushtarake, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe SHISH për këtë çështje. Zanafilla vjen nga informatorë, të cilët kanë pohuar në kohë të ndryshme se kanë parë avionë të vegjël në fund të pistës së Gjadrit. Informacioni i fundit i ka mbërritur Ministrisë së Mbrojtjes nga shërbimi sekret në mars dhe një grup hetuesish kanë zbarkuar në Gjadër për të krehur zonën. Banorët e Gjadrit pranuan për MAPO-n se kanë parë ushtarakë të spastronin pistën e ish-aeroportit ushtarak, por asnjë gjurmë avioni apo të dhëna shtesë nuk janë mundur të gjenden. Këtyre të dhënave i referohet Partia Demokratike, kur pyet me ngulm ministren Kodheli nëse ka informacion për trafik të mundshëm me avionë. Përgjigja e ministres është: zero prova për implikimin e Forcave të Armatosura. Socialistët nga ana tjetër hedhin dyshime për Shërbimin Informativ Shtetëror, si furnizues të PD-së me dokumente sekrete. Por asnjëra palë nuk nxjerr dokumentet, me pretendimin se po ruan sekretin shtetëror. Dhe debati kalon nga akuza serioze për trafik lëndësh narkotike si dikur në Kolumbi, në një lojë të vjetër politike “e ka, kush e ka”. Qeveria përdor mungesën e provave, opozita ekzistencën e informacionit: shqetësimi kryesor i të dyja palëve është se kush do ta fitojë, edhe këtë betejë në publik.

 

Epilogu i një skandali 

 

E ndërsa politika po mban ndezur çështjen e avionëve të drogës, njësoj si telenovelat me shumë seri, Prokuroria ka nisur tashmë një hetim për këtë çështje. Kryeprokurori Llalla, në një deklaratë të pak ditëve më parë u bëri thirrje të gjithë protagonistëve të kësaj çështjeje që të dorëzojnë provat. “Prokuroria do u kërkojë të gjithë deputetëve që kanë ngritur dyshime lidhur me mundësitë e trafikimit të lëndëve narkotike me mjetet e ushtrisë, të paraqesin të gjitha faktet që disponojnë”, – tha Llalla. E njëjta gjë do t’u kërkohet edhe shërbimeve sekrete. E ndërsa Prokuroria është në pritje të fakteve, kjo çështje pritet të dominojë edhe në ditët e ardhshme arenën politike shqiptare. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha dje se një tjetër kërkesë për seancë dëgjimore me Ministren Kodheli do të dorëzohet në Kuvend. “Kryeministri dhe Ministrja e Mbrojtjes nuk mund t’i ikin transparencës para Kuvendit dhe publikut”,-tha dje Basha, teksa inkurajoi Prokurorinë të hidhte dritë mbi këtë çështje. Kryeministri nga ana e tij vazhdon ta cilësojë akuzë të fabrikuar, atë për trafik droge. “Vala e ethshme e sulmit mbi Ministren e Mbrojtjes ka vetëm një arsye: Frikë nga drejtësia”,-shkruan ai në Facebook. A është trafikuar drogë nga bazat e Ushtrisë? E kush do t’ia dijë! Faktet janë të kota në epokën politike të post-të vërtetës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama