Berisha kandidat per cmimin Fairer Play

Berisha kandidat per cmimin 'Fairer Play'

Besart Berisha mbetet një nga lojtarët më të dashur në Australi ku prej disa sezonesh militon në radhët e Brisbane Roar. Sulmuesi shqiptar është përzgjedhur në listën e 5 të nominuarve për çmimin “Fairer Play”, pavarësisht dy kartonëve të kuq që ka marrë gjatë javëve të fundit për shkak të ndërhyrjeve të ashpra ndaj kundërshtarëve. Sponsori zyrtar i kampionatit A-League, publikon 5 emrat e futbollisteve të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë për të ndihmuar tifozët. Në shpjegimin dhënë për Besart Berishën, atij i njihet kontributi që ka dhënë për të ndihmuar një të ri për të kaluar frikën e fluturimit me avion.

Berisha e ndihmoi të riun gjatë një udhëtimi rutinë në fillim të sezonit, ndërsa menjëherë pas kësaj ngjarjeje, i ati i djalit telefonoi në selinë e Brisbane Roar për të falenderuar personalisht lojtarin për gjestin e tij. Tifozët por edhe njerëzit e thjeshtë do të kenë disa ditë në dispozicion për të hedhur votën e tyre. Përveç Berishës, në listën e kandidaturave bëjnë pjesë edhe William Gallas i Perth Glory, Jerrad Tyson i Western Sydney, MIchael Theo i Brisbane Roar dhe Daniel McBreen i Central Coast Mariners.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama