Bazhdari dhe Ademi dy zonjat perplasen per Shkodren

Bazhdari dhe Ademi, dy zonjat perplasen per Shkodren

Në emisionin “Studio e Hapur”, kandidatja e mazhorancës për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari dhe kandidatja e opozitës, Voltana Ademi përballen për projektet që ato kanë për Shkodrën, çfarë është bërë deri më tani, ku dallojnë programet e tyre dhe çfarë duhet ndryshuar në administrimin e këtij qyteti

 

Si ka ecur fushata deri tani për ju, zonja Ademi? Ku po përqendroheni më shumë? Si ju kanë pritur shkodranët në terren?

 

Voltana Ademi: Takimet kanë qenë të frytshme, ka pasur pjesëmarrje, kontakti direkt është konkret, është real, është një mundësi për të diskutuar, sidomos nga afër, me njerëzit, për hallet e tyre. Kjo është e lodhshme, por unë kam pasur mundësinë që të jem në të gjitha komunat që përbëjnë tani Bashkinë e re të Shkodrës, në fshatra dhe në qytet gjithashtu. Nga kjo kuptova që është një risi në të bërit fushatë dhe në mënyrën se si bëhet fushatë. Kuptohet, unë vij nga një eksperiencë dhe karrierë politike dhe kam pasur mundësi ta shoh në Angli para 10 vjetësh, është një mënyrë shumë e mirë për t’i përfshirë njerëzit, për t’i bërë pjesë të zgjedhjeve. Fokus-grupet dhe grupet e interesit japin një input i rëndësishëm që është sa teknik dhe kontribut për ne, për të përmirësuar programin tonë dhe për të bërë diçka më shumë për to. Në këtë drejtim, ne kemi zhvilluar disa takime me grupe për çështje që lidhen me bujqësinë, agrobiznesin, artin, kulturën, traditën, shërbimin social, me rininë, pra janë grupe të rëndësishme. Personat në nevojë gjithashtu kanë qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Ne po e pasurojmë programin jo vetëm në territor, jo vetëm në takimet me banorët, por edhe në takime të fokusuara për çështje prioritare në programin që po prezantoj unë dhe Partia Demokratike në Shkodër.

 

E njëjta pyetje për ju, Bazhdari…

 

Keti Bazhdari: Është një eksperiencë shumë e bukur, magjike mund të them, jo vetëm të asaj që ne kemi mundësi të japim për komunitetin, imazhin, për rritjen e qytetarisë, për të shprehurit qytetar përmes fushatave, por edhe rritje personale, kupton shumë mekanizma të fushatës. Të qenit grua të bën të jesh më e matur, më e tërhequr, të jep mundësi të ofrosh një mënyrë, një model të ri në qasjen ndaj fushatave. Nuk është situata më e lehtë e mundshme, fushata zhvillohet në një ambient ku mbizotëron prej vitesh një forcë politike dhe ngritja e hapësirave për të dhënë një mesazh ndryshe kërkon fantazi, hapje dhe mbështetje me elementë që vijnë nga shoqëria civile. PS-ja më ka dhënë gjithë mbështetjen e saj për të përfshirë dhe bërë pjesë të programeve shumë elementë nga shoqëria civile, njerëz me potencial në qytet, një suport i mirë për fushatën. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të përafërta me rezultatet që do marrim.

 

Flasim për programet e njëra-tjetrës. E keni vërejtur atë të kundërshtares dhe çfarë keni parë?

 

Keti Bazhdari: Nuk është bërë një proces, ne nuk prezantojmë letra, por këta nuk kanë pasur proces për të arritur te ky program. Ne e kemi filluar këtë proces që një muaj më parë me gjithë grupet e interesit, me staf që ka ekspertizën e duhur, 90% nga shoqëria civile. Kemi tashmë një maket programi, të cilin ia kemi kaluar publikut. Kanë pasur mundësi ta ndjekin ‘live’ të gjithë qytetarët, jo vetëm të Shkodrës.

 

Pse thoni që kampi kundërshtar nuk ka asnjë projekt?

 

Keti Bazhdari: Përqendrimi i fushatës së kampit kundërshtar është kryesisht në 90% i përqendruar te fushata politike, te baltosja, merren me detaje pa lidhje, përfitojnë nga fushata dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë, dezinformojnë nëpërmjet internetit, përdorin elementë destruktivë për të dhënë mesazhe të pavërteta, që nga pozicionimi im politik, nëse vij apo jo unë nga PS. Kjo, pse bëhet? Sepse ndjejnë frikën e fuqishme të humbjes, për faktin se PD-ja nuk është mësuar në 20 vite të bëjë fushatë, forma e vetme është ideologjia, mbjellja e ideve fikse te njerëzit, në krye të saj ka elementë që nuk njohin sistem tjetër, në këtë dhe atë sistem. Këta persona marrin peng PD-në në Shkodër.

 

Voltana Ademi: Ne vijmë në propozimet tona në sajë të një historie, tradite, pune, eksperience, ekspertize, planifikimi strategjik territorial, që në fakt e kanë bërë njerëzit në Shkodër. E kanë parë këtë si mundësi për zhvillim gjatë viteve në Shkodër. Kam punuar në organizata të rëndësishme me ekspertë në Shkodër dhe kuptova që të gjitha grupet e interesit kanë qenë të përfshira dhe në Shkodër ka dokumente të rëndësishme që tregojnë linja të rëndësishme të zhvillimit, sipas sektorëve që kanë parë dritën e zhvillimit. Kjo është një bazë e mirë e zhvillimit, nuk e fillojmë asnjëherë nga viti zero. Unë e njoh mirë Shkodrën. Duke pasur eksperiencë në këtë kamp, kam pasur dijeni të shtoj dhe të përmirësoj atë që njerëzit duan në Shkodër. Kemi marrë konsensusin e njerëzve, me rëndësi është të kesh gjithëpërfshirje. Do ta realizosh këtë me pjesëmarrje.

 

Zonja Ademi, a ka tensione në fushatën tuaj? Zonja Bazhdari po thotë se ‘po mundohen të më baltosin’, thotë ‘po ka një lloj destruktiviteti’… Përgjigjja juaj, cila është?

 

Voltana Ademi: Ne, PD kemi qenë korrektë, vijojmë të jemi korrektë dhe do të kërkojmë që të respektohet procesi deri në fund. Nënkuptoj të gjithë hapat e procesit, që nga kursi politik, angazhimi politik dhe procesi që është shumë i rëndësishëm.

 

Keti Bazhdari: Nga kampi kundërshtar nuk kemi parë një proces që është zhvilluar; është bërë një proces, por sa për sy e faqe. Këta bënin takime me punonjës të bashkisë apo me simpatizantë të PD-së. Ne e monitorojmë si fushatën e tyre ashtu dhe tonën, por nuk kanë asnjë alternativë. Kanë marrë informacione apo plagjiatura nga organizata dhe i kanë përshtatur… Flas për plagjiaturë, sepse programi juaj ka dalë direkt pas tonit. Keni marrë frymën dhe strukturën tonë, plagjiaturë e pastër, ‘copy paste’ nga projektet e organizatave. Kemi marrë dhe ‘print screen’ nga interneti në mënyrë që të mos ndërrohet. Te menaxhimi i territorit, infrastrukturës dhe rritjes së konkurrueshmërisë në rajon, e marrë ‘copy paste’ nga një program i bërë nga “Eptiza” për projektin e zhvillimit të Shkodrës, projekt ky i mbetur në sirtarët e bashkisë nuk është cituar mirë që po merret nga ky program. Plagjiatura e dytë po prapë nga “Eptiza”, zhvillimi i zonave rurale. Projekte të lëna në sirtar i marrin ‘copy paste’ dhe mendojnë t’i fusin në program, po ashtu edhe zhvillimi i zonave urbane nga studimi i “Hydeas”. Aq kopjim është, sa plagjiatura 5 është marrë nga menaxhimi i Parkut Kombëtar Tomorr në Berat, të pacituar, po për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ky është sistemi. Ne kemi bërë 12 takime të mirëfillta me program me ekspertë të fushave.

 

Voltana Ademi: Kam pasur rastin të punoj për projektin e zhvillimit “Eptiza“ të të gjitha dokumenteve për disa bashki. Ne nuk fillojmë asnjëherë nga viti zero! Ekspertët që kanë punuar në Shkodër që janë pjesë e organizatave ndërkombëtare janë pjesë e punës në stafin tonë, historiku është pjesë e realizimit të strategjive, jemi mbështetur diku për programin tonë për një platformë të strukturuar. Për korrektesë, në webin që është i hapur për të gjithë, VoltanaAdemi.al, ju mund të gjeni gjithçka ne kemi realizuar me grupet e interesit.

 

Keti Bazhdari: Vetëm 3 takime keni bërë.

 

Voltana Ademi: Është një mundësi reale për të qenë gjithnjë të hapur.

 

Keti Bazhdari: Për sa i përket pjesës së programit, më duket tallje me qytetarët, se vjen për shkak të mentalitetit të kësaj force politike. Këta e kanë marrë votën aforfe, pa meritokraci. Punësimet në administratën e bashkisë janë bërë me nepotizëm dhe klientelizëm. Për pjesën e bashkisë ajo ka qenë përgjithësisht hermetike, nuk ka dhënë info as për vetë anëtarët e Këshillit Bashkiak, nuk është dhënë as lista e njerëzve që janë pjesë e organikës. Në bazë të studimeve të bëra, kur e morëm listën në mënyrë private, shumica e të pashkollëve janë vënë për shkak të militantizmit. Kjo është situata e Bashkisë së Shkodrës. Duke qenë një realitet i tillë, drejtuesit e kësaj force e kanë të vështirë të dalin nga këto konture dhe të dalin para qytetarëve me program tjetër. Kur ne shpallëm programin, u gjetëm ngushtë, e realizuam brenda natës, sepse kuptohet që shkodranët flasin me njëri- tjetrin, ndaj e kanë realizuar me ‘copy paste’. Për respekt duhej të ishin cituar.

 

Voltana Ademi: S’ka asnjë lidhje për të qenë përfundimisht për të thënë që ‘kjo që deklarohet sot, nuk është aspak profesionale’. Ne do qeverisim në një territor më të gjerë se një qytet nga Dukagjini në Velipojë. Dua të shpreh se, ajo që do duhet të diskutohet është si do mund të kthejmë mundësinë që njerëzit të jetojnë më mirë, të kenë më pak taksa, të kenë liri të krijojnë biznes, të jenë direkt të ndjeshëm ndaj shërbimit që u ofrohet. Në Shkodër, qeveria po bën administrim të dhunshëm dhe nepotik. Shpresoj të mos jetë ky modeli. Ne ndryshojmë drejtorë për afera të rënda politike; drejtor, spital, hipoteka, KESH janë raste të një mungese totale. Fakti që gjithë njerëzit janë larguar në mënyrë të padrejtë nga puna është i paprecedentë në Shkodër.

 

Keti Bazhdari: Dhe cila është alternativa juaj?

 

Voltana Ademi: E vërteta është që edhe LSI-ja ka ardhur dhunshëm në Shkodër…

 

Ç’do të thotë ‘ka ardhur dhunshëm’?

 

Voltana Ademi: Kjo do të thotë që po emërohen me dhunë drejtora politikë, nuk kanë fituar me konkurs, siç flet qeveria.

 

Keti Bazhdari: Shkodra u gjend në një gjendje kritike; jo vetëm Shkodra, por dhe gjithë Shqipëria, me borxhe e kompani që ishin drejt falimentimit. Unë kam parasysh drejtorinë e OSHEE-së, Shkodra nga viti 2013 doli ndër qarqet më të varfra, imazh të përgjithshëm që nuk anashkalon realitetin. Ne kemi bërë konsultime me shtresat më problematike si dhe me ekspertët dhe specialistët, për të ardhur në një program që mbështet zhvillimin ekonomik. Nëse mund të themi që shkodranët kultivonin hashash apo kursenin lekët e dritave që nuk paguanin, nuk është zhvillim ekonomik. Qeveria pati dy angazhime konkrete, që në këto bashki të ndihet era e shtetit, nuk ka pasur ditë pa vrasje… Ndërsa ka kohë që nuk ndihet era e krimit dhe problemeve, janë zhdukur shumica e aktiviteteve të jashtëligjshme.

 

Voltana Ademi: Ka dy vite që LSI dhe PS në Shkodër, ajo që ndodh në njësitë e majta dhe të djathta do të thotë se nuk ka investime. Opozita dikur thoshte, ‘60% borxhi publik dhe kemi arritur në 74%’. Kjo demonstrohet me mungesë totale investimesh, sidomos në Shkodër. Nëse investimet do ishin, do kishte edhe në Shkodër e Lezhë. Në Shkodër energjia elektrike vazhdon të mos matet, vijnë fatura të rënda aforfe. Janë rritur papunësia dhe taksat…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama