Banka e Shqiperise shtoi shpenzimet ne 7 vitet e fundit

Banka e Shqiperise shtoi shpenzimet ne 7 vitet e fundit

Guvernator i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani është zgjedhur në vitin 2004. Ai u rizgjodh në të njëjtin funksion në vitin 2011, dy vjet para përmbysjes së Sali Berishës nga pushteti. Sipas kundërshtarëve të rizgjedhjes së tij, kjo u bë falë një marrëveshje Berisha-Nishani, për të shpërblyer sipas tyre njeriun që financoi qeverinë, e ktheu bankën në paradhomë të pushtetit, mbushi bankën me familjarët e kupolës politike dhe i bleu qeverisë objektet shtetërore me paratë e shqiptarëve. Mandati i Fullanit mbaron në 2018, por shumica e që ka më tepër se një vit, nuk ka dhënë asnjë sinjal për shkarkimin e tij. Nën firmën e këtij të fundit, apo të Këshillit Mbikqyrës, në harkun kohor të 10 viteve që drejton BSH, ka 7-fishuar shpenzimet në Bankën e Shqipërisë. “Open-Data” ka investiguar shpenzimet e Fullanit në 9 vitet e fundit. Investimet në Bankën e Shqipërisë ndahen në dy nëngrupe si aktive fikse të trupëzuara dhe të patrupëzuara. Në zërin e aktiveve fikse të trupëzuara futen shpenzime për troje, ndërtesa, konstruksione të përgjithshme, pajisje, mjete transporti etj. Në zërin aktive fikse të patrupëzuara futen zëra si programe kompjuterike, kosto të shtypjes dhe prerjes së parasë të cilat kapitalizohen si aktive të qëndrueshme të patrupëzuara. Në pjesën më të madhe të viteve, peshën kryesore e zënë investimet e kryera në aktive fikse të trupëzuara, përveç viteve 2004 dhe 2009 ku peshën më të madhe e zënë aktivet fikse të patrupëzuara.

Nga viti 2004 deri në vitin 2006 kemi një ulje të vlerës totale të investimeve  të kryera nga Banka e Shqipërisë në aktive fikse të saj, ku në vitin 2006 janë kryer dhe investimet me vlerë më të vogël, në shumën 77 milionë lekë. Më pas, nga viti 2007 dhe deri në vitin 2010 kemi një rritje të këtyre investimeve nga ana e Bankës së Shqipërisë, ku në vitin 2010 shënohet dhe vlera më e madhe e këtyre investimeve, me një shumë prej 4.47 miliardë lekë. Kjo rritje kaq e madhe erdhi si pasojë e blerjes së ndërtesës së hotel “Dajti” në muajin shtator 2010 në bazë të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës. Vlera e blerjes ishte 4.07 miliardë lekë. Në vitin 2011 kemi një rënie të investimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë në vlerën 676 milionë lekë, për t’u pasuar me rritje të investimeve në aktive fikse në vitet 2012 dhe 2013, ku në vitin që lamë pas shuma e investimeve arriti në 1.64 miliardë lekë. Ka pasur një akuzë për fshehjen e borxhit nga BSH. Deputeti socialist, Erion Braçe, pati deklaruar se Guvernatori Ardian Fullani, ka fshehur borxhin publik për llogari të qeverisë Berisha. “Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka “zgjidhur gjuhën” dhe “po e bën me dhëmbë” kundër Sali Berishës. Veçanërisht për financat publike të rrënuara dhe borxhin publik jashtë çdo kufiri ligjor. Të gjithë po pyesin: Pse tani? Pse nuk foli kurrë sa ishte Berisha fuqiplotë? Po ua them unë: Ka frikë për veten në raport me ligjin”, shprehej deputeti socialist. Braçe i referohet një raporti, i cili tregon gjithë shkeljet skandaloze të Guvernatorit Fullani, i cili tashmë po bën të gjitha përpjekjet që t’i hyjë në zemër kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama”, - shprehej Braçe vitin e kaluar.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama