Banda e tritolit ne kerkim nje tjeter vrases

Banda e tritolit, ne kerkim nje tjeter vrases

Andon Mëhillaj u njoh dje me masën e sigurisë arrest me burg, ndërkohë që zbulohet se, kur ishte në arrati, është ndjekur për t’u vrarë nga dikush. Personi enigmatik, i njohur tashmë për prokurorinë, mund të jetë i rrezikshëm sepse kërcënon me vdekje porositësit.



Andon Mëhillaj i sëmurë me “kartelë”

Andon (Erion) Mëhillaj mund të ketë humbur vetëdijen, ndërsa këtë tezë e mbështet edhe avokati mbrojtës i tij. Njëri nga dy avokatët mbrojtës, Lazër Sokolaj, pas seancës deklaroi se, kërkoi një masë më të lehtë për Mëhillajn, për faktin se vuan nga sëmundje mendore, se ka kartelë mjekësore madje merr mjekim. Avokati deklaroi se Mëhillaj nuk pranon akuzat dhe se do të flasë më shumë ditët në vijim. "Është i terrorizuar, është i tronditur, është vetëdorëzuar. Ai do të jap shpjegime në një moment tjetër procedorial"- tha avokati. Rrëfimet pa asnjë lloj lidhjeje logjike faktesh kanë vënë në dyshime edhe grupin e prokurorëve që merret me hetimet e bandës së bombave me porosi.Gjithsesi, dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Behar Dobra dhe Ardian Nezha, kanë kërkuar dje lënien në fuqi e masës së arrestit me burg pa afat. Gjyqtarja Etleva Deda, nuk i mori parasysh pretendimet e avokatit duke lënë vendimin e marrë më parë në mungesë.

“Killeri” tjetër i bandës

Mëhillaj, emri i vërtetë i të cilit është bërë i njohur nga vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, ka dëshmuar fakte kontradiktore në polici dhe gjatë marrjes në pyetje në Tiranë. Por, pavarësisht pretendimeve të tij, reale apo edhe të dyzuara nga gjendje e rënduar psikike, kundër tij janë rrëfimet e pafundme të killerit që ka qenë “punëtor” i tyre. Rrëfimet e Julian Sinanajt kanë bërë që grupi i hetimit të zbulojë se në këtë vorbull të mbushur me vrasje, shpërthime dhe porosi për vënie minash me celularë, të jetë i përfshirë edhe një tjetër “killer”. Burimet janë tejet të rezervuara në lidhje me këtë fakt, por bëjnë me dije se, prej disa ditësh është vendosur një tjetër person në listën e të kërkuarve, i cili dyshohet se është edhe më i rrezikshëm se sa Julian Sinanaj. Prokuroria mban sekret emrin e personit, por jep siguri se shpejt pritet të bjerë në pranga me të njëjtën akuzë edhe ky person i bandës.

Vrasësi tjetër me pagesë

Julian Sinanaj në rrëfimet e tij, është ndalur disa herë tek një emër që, sipas tij, ka patur frikë se do të eliminohej prej tij. Gjithnjë,gjatë dëshmisë, Sinanaj ka pranuar se Erion (Andon) dhe Gentian (Genis) Mëhillaj mund ta vrisnin duke paguar atë person. Grupi i hetimit ka vijuar të dyshojë në dëshminë e Julian Sinanajt, por më pas dëshmitë janë kryqëzuar në këtë pikë. Ditën e enjte, që Erion Mëhillaj ka pohuar se, ndiqej për tu vrarë nga një person, ndërkohë që autori i dyshuar, që kishte konflikt me të dhe mund ta eliminonte, ishte në qeli qysh më 25 janar 2014. Gjithashtu, prokuroria ka verifikuar në detaje pozicionin e Ndriçim Gjokonës në rolin e vrasësit me pagesë, por ka rezultuar se deri në momentin e dorëzimit të tij në polici ai njihet vetëm si bashkëpunëtor i Julian Sinanajt. Kështu, prokuroria tashmë është e bindur se një tjetër personazh i fuqishëm i botës së krimit gjendet në këtë grup të rrezikshëm kriminal, ndërkohë që Sinanaj ka rrëfyer për të disatën herë të gjitha pazaret dhe porositë e ardhura nga Erjoni. Madje “killeri” iu ka treguar se, Erjoni për çdo porosi që kryente kishte edhe kodin e tij të folurit, ku fiksonte finalizimin eaktit që duhej të kryhej nga Jualiani.

Anton Mehillaj
Ne foto Anton Mehillaj ne Gjykate

Killeri kundër Erjonit

“Asnjëherë nuk e mora vesh se përse u vra biznesmeni Agron Çela. Është ngjarja më e vështirë për mua. Mbaj mend atëherë që Erjoni më tha: Këtë njeri e dua të vdekur!” Kështu është shprehur Julian Sinanaj në lidhje me ekzekutimin barbar që i ka bërë Çelës, të cilin është detyruar ta vrasë në sytë e fëmijëve të viktimës. Sipas të dhënave të prokurorisë, në të gjitha rrëfimet e Sinanajt, është i vetmi moment për të cilin vijon të ndjejë keqardhje. Nga sa ka rrëfyer, Juliani ka refuzuar të kryejë atë krim edhe natën e vrasjes pasi e ka ndjekur burrin shumë gjatë dhe asnjëherë nuk ka mundur ta gjejë të vetëm, por gjithnjë në prani të fëmijëve të tij. Por killeri ka thënë gjatë marrjes në pyetje se jam detyruar nga Erioni që ta vras me çdo kusht atë natë. Njëkohësisht në dëshmitë kundër 39-vjeçarit Mëhillaj, Juliani është shprehur edhe për ekzekutimin e një personi që nuk kishin mundur ta kryenin bashkë me Gjokonën. Për këtë ekzekutim që do të kryhej me anë të shpërthimit të telekomanduar, Erjoni i kishte vënë kusht që të siguronte një minë të telekomanduar dhe do t’ia jepte Marion Mitros. Ky është personi që është vënë në pranga për atentatin ndaj Besnik Dervishit, prefektit të Vlorës.



POLICIA

Dy versione për celularin e minës në makinën e Dervishit

Policia e Tiranës ka bërë me dije se ka arrestuar dy net më parë një person i cili dyshohet se është grabitës makinash. Sipas të dhënave ai është 25 vjeç dhe quhet Redon Asllani, nga Tirana. Sipas policisë, Asllani ka pranuar se celularin me të cilin është montuar mina e telekomanduar që është gjendur në makinën e Dervishit ia kishte grabitur një taksisti dhe ia kishte shitur Julian Sinanajt. Në fakt, bazuar në regjistrin kombëtar shtetas shqiptar me këtë emër është një i ri nga Elbsani që ende nuk i ka mbushur 24 vjeç. Megjithatë në lidhje me të vërtetën e celularit që është sekuestruar poshtë makinës së prefektit Dervishi, disa ditë pas zbulimit të atentatit të bujshëm, bëri me dije se policia shoqëroi një djalë të ri. Ai është mbajtur në policinë e Tiranës për 24 orë ndërkohë që fillimisht ka mohuar që telefoni të jetë i tij. Kjo i ka çuar hetuesit deri tek dyshimi se, i riu ishte edhe personi që kishte organizuar atentatin. Hetimi intensiv e ka detyruar të riun të pranojë se telefoni ishte i tij dhe se e kishte shitur në tregun e zi. Hetuesit e çështjes e kanë marrë të riun dhe e kanë çuar në treg dhe djali i ka dërguar tek tregtari që ia kishte shitur, por në ballafaqim doli se tregtari nuk e mbante mend djalin. Pas verifikimeve dhe mbajtjes së gjurmëve të gishtërinjve, djali është lënë i lirë. Atëherë grupi i hetimit ka vijuar të gjurmojë kartën e AMC-së që ishte përdorur për të realizuar shpërthimin. Numri mësohet se është blerë në mënyrë të rregullt në një dyqan AMC-je me kartë identiteti të një vajze rreth 18 vjeç. Dyqani ku është blerë është në një qytet të Shqipërisë së Mesme dhe “e zonja” e kartës ishte banuese në po këtë qytet. Si djali i telefonit, ashtu edhe vajza e kartës AMC, kanë rezultuar persona që nuk shërbejnë për hetimin e atentatit të dështuar, derisa u zbulua nga dëshmitë e Sinanajt se atë minë e ka porositur Marion Mitro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama