Avioni mund te jete shperbere ne ajer

Avioni mund te jete shperbere ne ajer

Zyrtarët që po hetojnë zhdukjen e një avioni malajzian me 239 njerëz në bord po përqendrohen te mundësia që avioni u shpërbë në ajër, tha një burim për agjencinë Reuters dje. Fluturimi MH370 i Malaysia Airlines u zhduk në 11 mijë metra lartësi mes Kuala Lumpur dhe Pekinit në orët e para të së shtunës. Skuadrat e kërkimit nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse kanë gjetur mbetjet e avionit apo jo, megjithëse Vietnami bëri të ditur se ka gjetur disa mbetje të cilat nuk mund t’i konfirmojë se i përkasin avionit të zhdukur.

“Fakti që nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë mbetje deri tani duket se sugjeron se avioni u shpërbë në mbi 11 mijë metra lartësi”, tha burimi.

Nëse avioni do të kishte rënë i paprekur nga një lartësi e tillë dhe do të shpërbëhej vetëm pasi të godiste ujin, skuadrat e shpëtimit sipas gjasave do të mund të gjenin mbetje në një zonë të përqendruar.

Deri tani nuk ka të dhëna se çfarë mund ta ketë shkaktuar rrëzimin e avionit, por autoritetet po analizojnë të dhënat mbi dy pasaporta, një italiane dhe një austriake, të cilat rezulton se janë vjedhur në Tailandë dy-tre vjet më parë.

Autoritetet e Malajzisë thanë se janë përqendruar te puna për gjetjen e avionit, por kanë refuzuar të bëjnë komente. Gjithsesi, burimi tha se paralelet më të afërta me këtë situatë qenë shpërthimi i një avioni indian më 1985 mbi Oqeanin Atlantik, si dhe tragjedia e Lokerbit më 1988. Në të dyja rastet, avionët po fluturonin në rreth 10 mijë metra lartësi kur bombat shpërthyen në bord.

Policia e Indisë dhe ajo e Kanadasë prej kohësh kanë ngritur sugjerimin se avioni indian u bombardua nga ekstremistë Sikh që jetonin në Kanadanë Perëndimore si hakmarrje për sulmin e Indisë mbi tempullin e Artë Amritsar, qendra më e shenjtë e Sikhëve.

Bombardimi i avionit Pan Am 103 mbi qytetin skocez Lokerbi vrau 259 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, si dhe 11 njerëz në tokë. Një operativ i shërbimit sekret të Libisë u dënua për sulmin.

Interpol tha se së paku dy nga pasagjerët në bordin e avionit malajzian e ndoshta më shumë, kanë përdorur pasaporta të vjedhura.

“Megjithëse është tepër herët për të spekuluar mbi ndonjë lidhje mes pasaportave të vjedhura dhe avionit të humbur, është një shqetësim i madh fakti që një pasagjer qe në gjendje të hipë në një avion duke përdorur pasaportë false të listuar në databazat e Interpolit”, njoftoi agjencia.

Zyrtarët në SHBA dhe Europë gjithsesi thonë se deri tani nuk ka asnjë provë për bombardimin e avionit që ka humbur që prej 48 orësh dhe se arsyet e përdorimit të pasaportave të falsifikuara mund të jenë nga më të ndryshmet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama