Avioni i zhdukur pergjigjen ekspertet

Avioni i zhdukur, pergjigjen ekspertet

Teori të panumërta qarkullojnë këto ditë në lidhje me zhdukjen e fluturimit "MH370", me 239 persona në bord. Fluturimi i nisur nga Kuala Lumpur drejt Pekinit thjeshtë është zhdukur nga faqja e dheut dhe pas pesë ditë kërkimesh, asnjë gjurmë nuk është gjetur që të mund të tregojë vendndodhjen e tij apo atë që ngjau me këtë fluturim.

Disa ekspertë britanikë të aviacionit i dhanë përgjigje pyetjeve kyçe të "Daily Mail".

1. Përse të afërmit dëshmojnë që telefonat vazhdojnë të bien?

"Nëse kjo është e vërtetë, është e sigurt që ata janë në tokë dhe se avioni nuk ka rënë në ujë", tha njeri nga ekspertet. "Megjithatë, dyshoj që kjo të jetë e vërtetë, pasi në rastin e një aksidenti, forca e impaktit, zjarri dhe elementët e tjerë do të shkatërronin përfundimisht pajisjet".

2. Një teori thotë se avionët janë rrëmbyer nga dy gjuajtës vietnamezë, që i kanë dërguar në një destinacion të panjohur në vend. A mund të jetë e vërtetë?

"Boeing 777 është një ndër avionët më të mëdhenj dhe me ato përmasa, ai nuk mund të ulet kudo dhe aq më pak në mes të asgjësë. Një avion i tillë kërkon një pistë dy kilometra për t'u ulur, nuk mund të fshihet në xhungël", u përgjigj eksperti.

3. Përse kutia e zezë nuk tregon ku ndodhet avioni?

"Kutia e zezë dërgon një sinjal që ndihmon në lokalizimin e avionit, por sinjali kapet vetëm në 1-2 mijë metra distancë, e nëse ka përfunduar në ujë kjo reduktohet. Duhet të ndodhesh pranë për të kapur këtë sinjal".

4. Përse nuk është gjetur asnjë mbetje, asnjë pjesë e avionit?

"Kjo më duket shumë e çuditshme edhe mua", tha njëri nga ekspertët. "Avionët nuk përbëhen vetëm nga metali. Në një pjesë të madhe ata kanë plastikë dhe madje edhe valixhe që do të pluskonin mbi ujë. Edhe kur "Air France" ra në Atlantik në 2009-n, një pjesë e madhe e bishtit u gjet e paprekur në sipërfaqe".

5. A ka zona ku një avion thjesht mund të zhduket nga radari?

"Ka plot zona të tilla. Pjesë të Afrikës, shumë pjesë të brendshme të Rusisë apo xhungla e Malajzisë, sa për të dhënë një shembull. Për këtë arsye avionët modernë përdorin një teknologji tjetër, të quajtur "transponder", e cila transmeton gjthmonë një sinjal të vendndodhjes, shpejtësisë dhe lartësisë së avionit".

6. Përse nuk u dërgua një kërkesë për ndihmë?

"Kur një pilot ka një emergjencë në bord, gjëja e parë që bën është ndërrimi i sinjalit të transponderit. Fakti që kodi i transponderit nuk u ndryshua tregon se gjithçka që ndodhi, ka qenë shumë, shumë e shpejtë dhe e befasishme".

7. Një pilot i një avioni tjetër tha se u lidh me "MG370" pak përpara se të zhdukej dhe se mund të dëgjonte vetëm pëshpërima. Çfarë do të thotë kjo?

"Të gjithë pilotët kanë frekuenca në të cilat flasin. Por, edhe kompania ka frekuencat e saj dhe shpesh pilotët i ndryshojnë për të folur mes tyre në fluturim. Teknikisht është e jashtëligjshme, por kjo është një praktikë e përhapur në aviacion. Pëshpërimat mund të ndodhin pasi të dy flasin në të njëjtën frekuencë, në të njëjtën kohë dhe kjo krijon një problem të njohur radiofonik, por mund të tregojë edhe që në bord pilotët po asfiksoheshin nga mungesa e oksigjenit apo që veshja e jashtme mund të ishte shpuar, duke nxjerrë jashtë oksigjenin dhe krijuar një vorbull të fortë ere.

8. Sa mundësi ka që një pasagjer me probleme mendore apo i frymëzuar nga ndonjë ideologji e mundshme të ketë marrë kontrollin e avionit, duke shkaktuar katastrofën.

"Kabina e pilotëve është e mbyllur dhe mund të hapet vetëm nga brenda. Megjithatë, linjat e mëdha mbajnë të fshehur diku në avion nga një sopatë për çdo rast. Një fanatik mund të ketë gjetur sopatën dhe të ketë hyrë në kabinë, por kjo ka shumë pak gjasa dhe është shumë e vështirë që sopata të gjendet pa dijeninë e stafit".

9. A mund të ketë shkaktuar aksidentin qëllimisht piloti?

"Raste të tilla ka pasur. Një pilot mund të fikë transponderin, duke e shndërruar avionin të padukshëm për radarin. Nëse merr kontroll të plotë, një pilot mund të bëjë çfarë të dojë, por kjo ka gjasa ekstremisht të ulta të ndodhë".

10. Avioni ndërroi drejtim, përpara se të zhdukej. A mund që një pilot thjesht të ndryshojë drejtimin e tij nëse verifikohen probleme?

"Pilotët nuk mund të ndërrojnë drejtim pa u konsultuar me kullën e kontrollit. Kjo u lejohet vetëm në rast të ndonjë urgjence ekstreme, kur janë në një korridor kur poshtë tyre ka avionë të tjerë. Në këtë rast duhet të devijojnë 90 gradë në të majtë ose të djathtë".

11. Nëse ka pasur një shpërthim. Përse nuk është kapur nga satelitët?

"Asnjë vend në botë, as SHBA-të, nuk kanë aftësinë për të ndjekur me satelitë gjithçka që ndodh në botë në çdo sekondë. Madje në rastin e një shpërthimi, do të ishte një çudi që ai moment të kapej ekzaktësisht nga satelitët", komentoi njëri prej ekspertëve të panelit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama