Avioni i zhdukur nje mister i paprecedente

Avioni i zhdukur, nje 'mister i paprecedente'

Zhdukja e avionit malajzian tri ditë më parë konsiderohet si një “mister i paprecedentë” tha shefi i aviacionit civil të Malajzisë dje, ndërsa kërkimi masiv detar dhe ajror nuk ia ka dalë të gjejë asnjë gjurmë të avionit me 239 njerëz në bord.

Dhjetëra anije dhe avionë nga 10 vende të ndryshme kërkuan detet përreth Malajzisë dhe Vietnamit të Jugut ndërsa janë ngritur shumë pyetje mbi gabime të mundshme në kontrollin e sigurisë dhe nëse kemi të bëjmë me një rast bombe apo pengmarrjeje. Avioni Boeing 777-200ER qe nisur nga Kuala Lumpur e Malajzisë për në Pekin. Ai iku nga radarët një orë pasi qe nisur.

Zona e kërkimit do të zgjerohet gjatë të martës, bëri të ditur Azharuddin Abdul Rahman, kreu i aviacionit civil të Malajzisë. Ai tha se pengmarrja e avionit nuk mund të përjashtohet si pistë ndërsa hetuesit po eksplorojnë të gjitha mundësitë.

“Për fat të keq ne nuk kemi gjetur asgjë që të mund të jetë një objekt nga avioni, aq më pak, vetë avionin”, tha ai.

Azharuddin tha se dy njerëz që duket se kanë hipur në avion me pasaporta të vjedhura duket se kanë kaluar të gjitha procedurat e kontrollit të sigurisë para nisjes. Rreth dy të tretat e 227 pasagjerëve në bord dhe 12 anëtarëve të ekuipazhit qenë kinezë. Mes pasagjerëve qenë edhe 38 malajzianë, shtatë indonezianë, gjashtë australianë, pesë indianë, katër francezë dhe tre amerikanë.

Kina ndërkohë nxiti Malajzinë të përshpejtojë kërkimin. “Incidenti ndodhi më shumë se dy ditë më parë dhe ne shpresojmë që malajzianët e kuptojnë tërësisht nxitimin e Kinës, veçanërisht për anëtarët e familjeve”, tha ministrja e Jashtme e Kinës. Ndërkohë, disa mbetje të identifikuara nga Vietnami në zonën e kërkimit rezultuan se nuk kishin lidhje me avionin e zhdukur. Mungesa e mbetjeve sugjeron se ndoshta avioni është shpërbërë në lartësi të madhe, rreth 10 mijë metra mbi tokë, gjë që mund t’i ketë shpërndarë mbetjet në një territor shumë të gjerë.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara rishikoi masivisht pamjet e marra nga satelitët spiunë amerikanë për provat e ndonjë shpërthimi të mundshëm në lartësi, por nuk zbuloi asnjë shenjë. Avioni u zhduk në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Nuk pati sinjal alarmi nga avioni i zhdukur, gjë që për ekspertët sugjeron një katastrofë të papritur dhe të shpejtë. Avioni Boeing 777 ka një nga rekordet më të mira të sigurisë mes avionëve civilë në shërbim. Rrëzimi i vetëm fatal i mëparshëm i këtij avioni qe ai i 6 korrikut të këtij viti, kur u përplas me detin në San Françisko duke vrarë tre njerëz.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama