Avioni i zhdukur misteri me i madh i kohes sone

Avioni i zhdukur, misteri me i madh i kohes sone

Avioni i humbur të shtunën e kaluar me 239 njerëz në bord vijon të mbetet një mister i pazgjidhur pavarësisht se po kërkohet nga avionët dhe anijet e 12 shteteve. Avioni humbi kontaktet me kontrollorët e trafikut ajror një orë pasi qe nisur nga Kuala Lumpur me drejtim Pekinin. Për gjashtë ditë me radhë, teknologjia më e përparuar e botës, përfshirë avionë vrojtimi amerikanë, satelitë spiunazhi amerikanë dhe kinezë e mjete të tjera nuk kanë arritur të identifikojnë vendin ku avioni mund të ketë rënë.

Avioni i kompanisë Malaysia Airlines u zhduk nga ekranet e radarëve të kontrollit ajror rreth orës 1.30 të shtunën e kaluar, një orë pasi qe nisur. Para se të zhdukej, nuk pati asnjë informacion për ndonjë problem në bord apo ndonjë defekt teknik.

Zhdukja po konsiderohet si një nga misteret më habitëse në historinë e aviacionit modern. “Është e jashtëzakonshme se me të gjithë teknologjinë që ne kemi një avion mund të zhduket në këtë mënyrë”, tha Toni Tiler (Tony Tyler), kreu i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA).

Hera e fundit që avioni u shfaq në radar qe kur ai po i afrohej gjuhës së Gjirit të Tailandës. Teoritë se çfarë mund të ketë ndodhur janë të shumta dhe të gjitha janë kontrolluar një nga një, por deri më sot, asgjë nuk ka treguar vendin se ku mund të gjendet avioni. Zona e kërkimit është zgjeruar në qindra kilometra det me një sipërfaqe të përgjithshme prej 93 mijë kilometrash katrore, përmasat e një vendi si Hungaria. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë avionin më të avancuar të përgjimit detar, P-8A Poseidon, për të vijuar kërkimet.

Një kompani amerikane ka publikuar në internet pamjet e kapura nga satelitët e saj në zonë dhe u ka bërë thirrje të pasionuarve të vëzhgojnë me sy të lirë fotografitë për të identifikuar çdo mbetje të mundshme.

Të afërmit e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, ndërkohë janë duke pritur për të mësuar fatin e njerëzve të vet. Ndërsa acarimi u rrit si pasojë e dështimit për të gjetur ndonjë gjurmë të avionit, Kina rriti presionin mbi Malajzinë për të përmirësuar koordinimin e mjeteve kërkuese.

Malajzia është kritikuar për punë të dobët në menaxhimin e fatkeqësisë.

Shtetet e Bashkuara ndërkohë njoftuan dërgimin e ekspertëve të vet në Kuala Lumpur për të ndihmuar në operacionet e kërkimit. Deri tani nuk është përjashtuar asnjë pistë e mundshme për zhdukjen. Dy nga pasagjerët u zbuluan se kishin përdorur pasaporta false, por dukej se ata qenë emigrantë të paligjshëm.

Avioni Boeing 777 është një nga avionët më të sigurt komercial në shërbim. Ai ka vetëm një rrëzim fatal.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama