Asnje shenje nga avioni malajzian i zhdukur

Asnje shenje nga avioni malajzian i zhdukur

Australia do të vendosë brenda pak ditësh nëse do ta ndryshojë apo do ta zvogëlojë misionin e kërkimit për avionin e zhdukur të fluturimit 370 të “Malaysia Airlines”, por theksoi se do të diskutojë me të gjitha vendet e përfshira në kërkime.

 

Ambasadori i Australisë në OKB tha se vendet do të “rigrupohen dhe vendosin” nëse asgjë nuk gjendet në seksionin e Oqeanit Indian që aktualisht po skanohet nga një nëndetëse pa pilot e ushtrisë amerikane. Ndryshimet pritet të prekin përpjekjet për të gjetur mbetje në sipërfaqen e detit përmes patrullimit me avionë e anije dhe mundësinë për të kontraktuar kompani private për zëvendësimin e disa aseteve ushtarake që po përdoren aktualisht.

 

Koordinatorët e kërkimit pritet të rivlerësojnë edhe kalkulimet matematike që janë përdorur për të identifikuar burimin e sinjaleve akustike të mbledhura nga pajisjet e posaçme në sipërfaqen e detit dhe që mendohet se kanë ardhur nga kutitë e zeza të avionit të zhdukur.

 

Kërkimi për avionin dhe 239 pasagjerët e anëtarët e ekuipazhit vijon tashmë prej 44 ditësh. Një nëndetëse pa pilot po patrullon rrathë me diametër 10 kilometra në tabanin e detit rreth 1600 kilometra në veriperëndim të qytetit të Perthit në Australi.

 

Nëndetësja ka kryer tetë misione në det të thellë pa gjetur asgjë deri tani. Ajo ka patrulluar gjysmën e sipërfaqes së përcaktuar dhe autoritetet thanë se e gjithë sipërfaqja do të mbulohet me patrullim deri javës tjetër.

 

Aktualisht ky është misioni më i shtrenjtë i kërkimit për një avion të humbur në histori. Australia ka premtuar se nuk do të dorëzohet deri sa ta gjejë avionin, pavarësisht kostove. Secili prej vendeve të angazhuara po mbulon kostot e anijeve dhe avionëve të angazhuar prej saj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama