Argjentina kualifikohet me shpirt ne dhembe

Argjentina kualifikohet me shpirt ne dhembe

Çështje centimetrash: atyre pak që janë mes topit të gjuajtur nga Di Maria, i cili kalon dorezat e të pakalueshmit deri në atë moment, Benalio, dhe atyre pak që janë mes shtyllës së goditur nga Xhemaili dhe portës së mbrojtur nga Romero. Gjithçka në 3 minuta, gjithçka në 3 minutat e fundit të shtesës së shtesës. Argjentina falënderon zotin e topit dhe pret edhe ajo biletën në çerekfinalet e Botërorit pasi mundi Zvicrën 1-0 në fund të 120 minutave, 5 të fundit të të cilave ishin me të vërtetë drithëruese. Në fund, helvetët duhet të dorëzohen, por jo vetëm ndaj forcës së një kundërshtari teknikisht superior, por edhe prej mungesës së fatit për atë top të mesfushorit të Napolit që u ngul në shtyllë ende pa përfunduar festa e amerikano-jugorëve.


I shpëton Romero - Është Botërori i skuadrave të vogla që luajnë pa frikë dhe me kurajë, dhe i të mëdhave që vuajnë. Kështu, pas Brazilit, Holandës, Francës dhe Gjermanisë është radha e Argjentinës për të vuajtur. Kjo Zvicër, ashtu si ajo e paraardhësve të saj (2-2 historik me Brazilin në Botërorin e 1950- s) lufton për çdo top me mish e me shpirt (duke i lënë ndonjë kafshim herë pas here këmbëve të Mesit dhe Di Marias) dhe dublon rivalët sa herë topi kalon 30 metrat e fundit të fushës. E shkëlqyer puna në mbrojtje e Inlerit dhe Behramit që u japin mundësinë fantazistëve të nisen në kundërsulm. Në këtë mënyrë, edhe rastet më të mira në pjesën e parë i kanë europianët: Romero fillimisht duhet të shpëtojë një të djathtë të Xhakës, pastaj e rigjen topin në duar kur Drmiç, i nisur nga Shaqiri, vendos të bëjë një parabël në hyrje të zonës, por që përfundon me një psherëtimë lehtësimi të Mesit me shokë.


Benalio ngre murin - Sabeja, i cili e di që kjo nuk është Argjentina e tij, në pushim u kërkon të tijve të ndryshojnë marshin. Dhe kështu ndodh. Mesi merr për dore ekipin dhe bashkë me kapitenin zgjohen edhe Di Maria e Roho. Luhet me një portë dhe Benalio duhet të presë topat që i vijnë nga të katër anët. Pas një gafe të Romeros, pas një goditje të Shaqirit, statusin e superheroit e merr portieri i Volfsburgut. Fillimisht shpëton një të majtë të hidhur nga brenda zone të Rohos, pastaj fluturon për të devijuar në këndore një gjuajtje me kokë të Higuainit. E në fund dopio- ndërhyrja në tentativën e Mesit dhe Palasios. Dhe në fund, edhe bardhekaltrit respektojnë “traditën” e Brazilit dhe Gjermanisë: shtesën.


Di Maria dhe fati - Pjesa e parë e shtesës kalon pa ndonjë rast për t’u shënuar. Duket sikur Argjentina bën Zvicrën dhe Zvicra Argjentinën. Zvicra qarkullon topin dhe rrëmben edhe “ole”-të e tifozëve të shtëpisë, që si ultras të Korinthiansit vërshëllejnë Argjentinën, sepse këtu adhurohet beniamini që mungon, Tevez. Benalio fluturon pas një të majte të Di Marias. Sfida mes tyre përsëritet edhe disa minuta më vonë, por për mbrojtësin ekstrem kësaj radhe nuk ka lavdi. Mesi tërheq Zvicrën në spritin e tij dehës përpara syve të të birit, Tiago, shërben për Di Marian, dhe e djathta milimetrike e sulmuesit të Realit përfundon në rrjetë. Nuk janë shënuar ende brohoritjet e popullit “albiceleste”, por djemtë e Hicfeld nuk dorëzohen. Në shtesë, topi i Xhemailit, i goditur me kokë pas kryeveprës së Shaqirit, ndalet në shtyllë me Romeron e dorëzuar. Shaqiri ka shansin e fundit me një goditje nga 20 metra dënimi. Por nuk është momenti i tij për të hyrë në histori me topin që përplaset në barrierë. Argjentina e fortë, por edhe me fat pret biletën në Brazilia.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama