Aplikimi i CEZ sa do shtrenjtohen faturat e energjise

Aplikimi i CEZ, sa do shtrenjtohen faturat e energjise
Familjarët do ta blejnë një kilovat energji elektrike gjatë vitit të ardhshëm, minimumi me 0.36 lekë më shtrenjtë. Kjo është rritja që CEZ Shpërndarja ka kërkuar të aplikohet në çmimin e energjisë elektrike për abonentët familjarë që konsumojnë deri në 300 kilovat/orë energji në muaj. CEZ ka dorëzuar kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike pranë ERE-s që më datë 1 shtator duke shoqëruar edhe me tabelën e rritjeve për secilën kategori. Aktualisht, familjarët e paguajë një kilovat energji për një konsum më pak se 300 kilovat me çmimin 7.7 lekë.

Ndryshe nga konsumatorët që shpenzojnë më pak se 300 kilovat/orë, rritja e kërkuar është më e madhe për ata që e kalojnë këtë kufi. Për çdo kilovat energji mbi kufirin 300 kilovat gjithnjë për konsumatorët familjarë, CEZ kërkon një shtrenjtim të çmimit me 0.66 lekë. Çmimi aktual për këtë kategori është 13.5 lekë, ndërkohë që çmimi i propozuar nga CEZ Shpërndarja është 8.06 lekë për kilovat/orë.

Siç bëhet e qartë edhe nga tarifat e propozuara, CEZ Shpërndarja nuk ka kërkuar heqjen e fashave këtë vit, ndryshe nga një vit më parë. Heqja dorë nga kjo kërkesë vjen pas kundërshtimit një vit më parë të ERE-s për heqjen e fashave të tarifimit si dhe ndikimin që do të kishte kjo në shtrenjtimin e faturave për pjesën më të madhe të abonentëve familjarë, CEZ Shpërndarja ka propozuar mbajtjen e tyre, por rritjen edhe më tepër të çmimit për energjinë e konsumuar mbi 300 kilovatë. Heqja e fashave do të prekte veçanërisht shtresat në nevojë, të cilët konsumojnë më pak se 300 kilovat/orë energji në muaj ndërsa, do të favorizonte ata që harxhojnë më shumë, kryesisht faturat që shënojnë mbi 600 kilovat/orë.

Nëse kërkesa e CEZ Shpërndarjes do të merret parasysh në masën e kërkuar, përllogaritet që një faturë energjie për konsumatorë familjarë me 300 kilovat të shpenzuar të kushtojë 130 lekë më shumë. Aktualisht, një faturë e tillë kushton 2772 lekë, por me çmimin e ri të propozuar nga CEZ Shpërndarja do të kushtojë 2902 lekë. Kjo vlerë është vetëm për kërkesën e CEZ Shpërndarjes dhe nuk janë përfshirë edhe rritjet e kërkuara nga KESH dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Sipas CEZ-it, kërkesa për rritje bazohet në treguesit e inflacionit në nivelin e 3.6 %, rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare si dhe kostoja e certifikimit të matësve. Vendimi për çmimin pritet të merret nga bordi i ERE-s në fillim të muajit dhjetor.

Kërkesë edhe nga KESH dhe OST

Kërkesa e CEZ për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk është e vetmja. KESH dhe OST njëkohësisht kanë dorëzuar pranë ERE-s kërkesat e tyre për rritjen e çmimit, ku pritet që rritjen më të madhe të kërkojë kompania e prodhimit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare u sakrifikua vitin e shkuar në shërbim të plotësimit të kërkesës së CEZ-it për rritjen e përfitimeve të kompanisë nga njëra anë dhe mos shtrenjtimit të çmimit përfundimtar për konsumatorët. Në këtë mënyrë, Enti Rregullator i Energjisë vendosi uljen e çmimit të energjisë që KESH ia shet CEZ-it dhe mbajtjen të pandryshuar të çmimit që çekët ia shesin konsumatorëve. Të dhënat paraprake flasin për një kërkesë për rritje në masën 200 për qind nga ana e KESH në raport me vlerën 1.48 lekë për kilovat/orë që ia shet aktualisht CEZ-it.

Çmimi final që paguajnë konsumatorët për një kilovat energji përbëhet nga kostoja e prodhimit të KESH-it, kostoja e transmetimit nga HEC-et tek linjat e operatorit të shpërndarjes nga OST-ja dhe nga kostoja e CEZ Shpërndarjes. Kostos së kompanive i shtohet edhe fitimi i përllogaritur i kompanive.

Kërkohet rritje çmimi edhe për furrat e bukës

CEZ kërkon rritjen e çmimit të energjisë edhe për furrat e bukës. Aktualisht, furrat e bukës të furnizuara me tension të mesëm e paguajnë një kilovat energji me 7.1 lekë, ndërsa ato me tension të ulët me 7.6 lekë. Nga ana e saj, CEZ kërkon një rritje minimalisht me 0.66 lekë për kilovat/orë për furrat që furnizohen me tension të ulët dhe 0.59 lekë për kilovat/orë për furrat që furnizohen me tension të mesëm. Kështu, një kilovat energji për furrat që furnizohen me tension të mesëm propozohet të bëhet 7.69 lekë, ndërsa për ato me tension të ulët 8.26 lekë. Deri më tani, Enti Rregullator i Energjisë kishte ndjekur një politikë të moderuar në drejtim të çmimit të energjisë për furrat e bukës duke miratuar rritje të lehta të tij me qëllim ruajtjen e konsumatorëve nga shtrenjtimi edhe i çmimit të bukës. Në kushtet kur janë shtrenjtuar lënda e parë dhe karburantet, një rritje e çmimit të energjisë edhe për furrat do të ishte pika e ujit që do të “derdhte gotën” duke detyruar bukëpjekësit që të shtrenjtonin bukën masive për konsumatorët.

 Çmimi energjisë

Është                      Kërkohet

Familjarë nën 300 kW/h                    7.7 lekë                  8.06 lekë

Familjarë mbi 300 kW/h                    13.5 lekë                14.16 lekë

Tregti dhe shërbime (t. ulët)               12.2 lekë kW/h     13.14 lekë

Tregti dhe shërbime (t.mesëm)          10 lekë kW/h        10.73 lekë

Furra, fabrika mielli (t. ulët)               7.6 lekë                  8.26 lekë

Furra, fabrika mielli (t.mesëm)         7.1 lekë                  7.69 lekë

 

Fatura për familjarët

Aktual                   Propozohet

300  kW/h             300 kW/h

2 772 lekë             2901.6

400 kW/h              400 kW/h

4 392 lekë             4608 lekë

500 kW/h              500 kW/h

6 012 lekë             6 300 lekë

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama