Anija antike e Butrintit ben xhiron e botes

Anija antike e Butrintit bën xhiron e botës

Lajmi i zbulimit të anijes antike në rajonin bregdetar të Butrintit rreth një muaj më parë po bën xhiron e botës. Media të rëndësishme në të gjitha vendet kanë paraqitur faktet e zbulimit. Fotografi por edhe të dhëna të tjera mbi kohën e kësaj anijeje, rreth ekspeditës nënujore dhe çfarë do të bëhet më tej, kanë zënë vend në rreth 30 media. Ndër to edhe gazeta të rëndësishme amerikane si “The Associated Press”, “US Today”, “Washington Post”, “International Hearald Tribune”, etj. Një vend pasqyrimit të këtij lajmi i ka kushtuar edhe stacioni i njohur televiziv “Discovery Channel”, i specializuar në emisione të tilla. Foto dhe disa të dhëna nga zbulimi, i janë përcjellë publikut këto ditë. Një muaj më pare, lajmi u përcoll nga të gjitha mediat shqiptare, si një zbulim i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore nënujore. Një artikull i shkruar në një nga gazetat më të mëdha amerikane, “The Associated Press”, tregon detajet e zbulimit. Identifikimi i skeletit të anijes ishte rezultati i ekspeditës së parë nënujore, shqiptaro-amerikane në këto brigje. Artikulli i kësaj gazete citon specialistët shqiptarë dhe ata amerikanë, rreth gjetjes së rëndësishme. E mbuluar me guacka të vogla, me erën e funddetit, një amforë 2400-vjeçare ndodhet në një banjë kimike në muzeun e Durrësit, në brigjet adriatike të Shqipërisë.

Pjesë e një anijeje të mbytur, në të cilën ndodheshin dhe 60 enë të tjera qeramike, poçja historike ose amfora 67 centimetra, ishte zbulimi më i rëndësishëm i atij që organizatorët e quajnë ekspedita arkeologjike e parë nënujore në këtë vend të vogël të Ballkanit, e drejtuar nga ekspertë amerikanë e shqiptarë”, thuhet në faqet e gazetës. Një muaj më parë, lajmi i një zbulimi të tillë u përcoll edhe në të gjithë median shqiptare. Mjetet teknike të anijes “Hercules” identifikuan mbetjet në fund të detit dhe të gjithë ishin entuziastë për rezultatet. “Preke, preke! Është fat të prekësh këtë amforë. Po prekni diçka që është bërë përpara se të lindte Platoni”, kështu është përshkruar në gazetë entuziazmi i George Robb, drejtues i misionit dhe anëtar i Florida-based RPM Nautical Foundation. “Ekspedita e nisur në korrik dhe që zgjati një muaj ishte hapi i parë për bërjen e hartës nënujore të pasurive kulturore të bregut shqiptar, në të cilën do të përcaktohen edhe pozicionet e anijeve të mbytura nga antikiteti deri në mesjetë përgjatë 360 kilometër të bregdetit shqiptar. Auron Tare, koordinatori nga pala vendase, shprehet se autoritetet shqiptare shpresojnë të arrijnë një marrëveshje 5-vjeçare për ekspeditat nënujore me RPM, një fondacion jofitimprurës. “Kjo do të jetë një shtytje për të nxitur kërkimet arkeologjike nënujore që deri më tani nuk kanë ekzistuar”, - shprehet ai. “Do të jetë një promovim i mirë për turizmin lokal dhe mund të na çojë në krijimin e një muzeu arkeologjik nënujor”. Arkeologu Adrian Anastasi shprehet se këto ekspedita do të ndihmojnë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që gjendet nën ujë nga grabitësit e këtyre pasurive. Ky problem ka qenë shumë shqetësues pas kolapsit të viteve ’90 në Shqipëri.


Datimi i anijes në shekullin e IV para Krishtit, mund të jetë e vetmja e kësaj periudhe që gjendet në fund të detit shqiptar. Përcjellja e këtij lajmi në shumë site interneti të këtyre gazetave kryesore ndoshta në ditët në vijim do ta çojë më afër një publiku më të gjerë, ndërsa në Shqipëri pritet viti i ardhshëm për të parë se cilat do të jenë rezultatet e një ekspedite të dytë.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama