Anija Nje rrefim per shqiptaret pertej Adriatikut

'Anija' Nje rrefim per shqiptaret pertej Adriatikut
Filmi “Anija”, prodhim italo-shqiptar, me regji të Roland Sejkos, sillet për publikun shqiptar në rrjetin e kinemave “Imperial” me mbështetjen e “DigitAlb”

Mars 1991. Një anije u nis nga Porti i Durrësit për të mbërritur në anën tjetër të Adriatikut. Qindra njerëz, të lodhur nga varfëria dhe diktatura, kishin hipur aty, në anijen që shtynte ngadalë detin dhe dallgët për të mbërritur tek ëndrra… Por a do të gjenin vërtet ëndrrën në brigjet italiane? Roland Sejko, regjisor, ka qenë vetë një nga ata njerëz që mbërriti në vendin fqinj Itali, përmes emigracionit. Ashtu si bashkatdhetarët e tij, dhe ai jetoi të njëjtat ndjesi, ndërsa anija ecte nëpër natë. Ai ka rrëfyer me mjeshtëri, që në vitin 1991, u arratis në kuvertën e njërës prej mërgatave të “Eksodit shqiptar”. Në kujtim të atij udhëtimi, por dhe të ëndrrës së shqiptarëve për të ndryshuar botën, ai realizoi vite më pas një film mbi emigracionin të quajtur “Anija”. Filmi është një prodhim italo-shqiptar dhe do të sillet për publikun shqiptar në rrjetin e kinemave “Imperial” me mbështetjen e “DigitAlb”. Filmi trajton emigracionin shqiptar në Itali, nga mbërritja dramatike e “flotës” së parë të anijeve të mbushura me emigrantë të rraskapitur, e cila mbart të gjitha ngjyrimet e një eksodi biblik.

“Anija” ndalet më pas në jetët dhe historitë e këtyre emigrantëve, rreth 20 vjet më vonë, duke ofruar një panoramë përfshirëse dhe të sinqertë të shqiptarëve përtej Adriatikut. Ky është rrëfimi i një arratisjeje dhe i një udhëtimi në rindërtimin filmik të tri eksodeve të mëdha të shqiptarëve. Ndryshe nga dokumentarët e tjerë që janë përqendruar kryesisht mbi mbërritjen, kjo vepër filmike eksploron mbi të gjitha nisjen e anijes, duke u munduar të shtjellojë arsyet e arratisë, duke treguar për herë të parë mësymjen në bordin e anijeve. Përmes fotografive të dokumentuara 21 vjet më parë prej fotografëve dhe televizioneve italiane, Sejko ka gjurmuar portrete e personazhe, për të mësuar se ku kanë përfunduar disa prej protagonistëve të atyre ditëve të jashtëzakonshme. E kanë realizuar ata vallë ëndrrën e madhe që morën me vete shumë vite të shkuara? “Për mua, eksodi nuk ishte fenomeni eksod, por në radhë të parë njerëzit që e përbënin.

Imazhi im kryesor që kam pasur dhe vetë turma është ajo që e quajmë eksod. Më interesonte që në mes të kësaj turme të futesha dhe të nxirrja fytyrat që e përbënin për të treguar se nuk është një masë e plotë, pa jetë, që thjesht lëviz në bazë të një mekanizmi të pakuptueshëm, por e bërë nga njerëz me dëshirën, shpresën, çmendurinë e vet në disa raste dhe që doja të shkoja t’i takoja sot. I nxjerrë sot pas 20 vjetësh, jo vetëm për të kuptuar arsyet që i kishin çuar drejt asaj, por për t’i njohur këta njerëz”, thotë Sejko. Në film ne shohim jetët e reja të atyre njerëzve që guxuan për një jetë më të mirë, duke ecur përmes rrezikut dhe të panjohurës. Agroni, një personazh i intervistuar, thotë se tashmë ka një jetë të re dhe të suksesshme, po kështu dhe Qaniu, një ish i internuar që tashmë jeton me muzikën…

Sejko ka preferuar ta ndërtojë filmin mbi protagonistët, mbi jetën dhe mendimet e tyre, pa futur në të elemente të politikës së kohës, apo situatës shoqërore. “Ajo që kam dashur është të sillja njerëzit që përbënin turmën. Ku janë? Pse vendosën të largohen? Sepse s’është bërë asnjë dokumentar për ta. Shumë tregojnë mbërritjen, ndërsa mua më interesonte nisja. Pasqyrimi i ngjarjeve politike, ose më mirë i ngjarjeve shoqërore, është i rëndësishëm, pasi publiku italian duhet të kuptojë se cilët janë shqiptarët para se të hipin në anije. Por këto i sjell vetëm nëpërmjet atmosferës që përcjell muzika. Duket sikur ajo tregon në një farë forme shtypjen. Shumë kolegë italianë mbetën të mahnitur nga muzika që kam përdorur gjatë shpërthimit të eksodeve”, thotë regjisori.

Në film ne dëgjojmë këngën “Qengji i vogël” si një simbolikë e nisjes së anijes që lidhet me fëmijërinë dhe rritjen e një shqiptari po kështu dhe tingujt e Bob Dylanit “When the ship comes in”, kur anija kthehet në Vlorë. “Nga ai tekst kam shkëputur një frazë që e kam shkruar gjatë gjithë kohës, “Dielli do të respektojë çdo fytyrë në bordin e anijes”. Ky për mua ishte motivi përse kam bërë këtë ndërthurje”, thotë Sejko. Për të mbërritur te personazhet që ishin në atë anije, regjisorit i është dashur kohë. Dy vjet më parë ai hapi një rubrikë me temën “Edhe unë isha në anije” në gazetën “Bota shqiptare”. Qindra dëshmi mbërritën në postën e gazetës, një pjesë e të cilave shërbeu për dokumentarin, si dhe u pasqyrua në gazetë.

Eva përlotet
Nëse do të kthehesha në kohë, do të ikja sërish me anije


Eva është një prej emigranteve të intervistuara nga Sejko në këtë film, e cila përlotet teksa thotë se “I vetmi person që duhet të ishte i lumtur për kthimin e saj për herë të parë në Shqipëri pas disa vitesh, ishte nëna e saj”. “Eva e mbyll dokumentarin në një mënyrë të mrekullueshme. Këtë jo vetëm që nuk e ndërprisja dot, por pas intervistës ka pasur një heshtje për disa minuta. Por poeticiteti është një element i rrezikshëm në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve, pasi mund të bjerë shumë kollaj në sentimentalizëm. Shumë prej personazheve para kamerës mund të qanin”, thotë Sejko.

Teksa rrëfen Eva thotë se nëse do të kthehej në kohë do të ikte sërish me anije. “Jam i bindur se jo vetëm Eva, por dhe unë dhe të tjerët do ta bënim sërish. Ai ishte momenti që ndryshoi jetët tona. Deri në momentin që zbritëm nga anija, ishim thjesht njerëz që po iknim, më pas u bëmë emigrantë që duhet të ndërtonim një jetë tjetër”, thotë Sejko. Filmi është prodhuar nga: “Propaganda-Al”, Istituto Luce Cinecittà-It dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë/ ANCC, MIBAC, Direzione Generele Cinema etj., regjia Roland Sejko, skenari Roland Sejko, fotografia Sabrina Varani, montazhi Luca Onorati, muzika Robert Bisha, zëri Gianluca Scarlata, producent Lekë Sokoli.

Dokumentari vjen në gjuhën italiane, me titra shqip. Roland Sejko punon pranë Institutit Luce (shtëpia filmike më e vjetër në Itali) dhe merret me aktivitete të ndryshme si arkivist, prodhim dhe shpërndarje filmash. Që nga viti 1999, Sejko ka themeluar dhe drejton gazetën në shqip, të përdyjavshmen “Bota Shqiptare” për komunitetin shqiptar në Itali. Në 2008-n, Sejko shkroi me Mauro Brescia filmin e suksesshëm dokumentar “Vendi përballë”, ku materiali arkivor i përzgjedhur shërben si kronikë e historisë së Shqipërisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama