A perdorim vertet 10 te trurit?

A perdorim vertet 10% te trurit?

“Vlerësohet se shumica e njerëzve përdorin vetëm 10% të kapacitetit të trurit të tyre”, ka thënë profesor Norman, i intepretuar nga aktori Morgan Freeman, në trajlerin e filmit të ri “Lucy”. “Imagjinoni sikur të mund të përdornim 100% të tij. Gjëra interesante do të fillonin të ndodhnin”, vijon ai. 

 

Në filmin që do të shfaqet të premten e ardhshme në SHBA dhe në 22 gusht në Britaninë e Madhe, Lucy (që interpretohet nga Scarlett Johansson) detyrohet të punojë si shpërndarëse droge për një bandë tajvaneze. Mirëpo droga që injektojnë në trupin e saj “del nga sistemi”, duke i lejuar përdorimin e “100% të trurit”. Rrjedhimisht, mes shumë gjërash, Lucy e gjen veten papritmas duke lëvizur objekte me mendje, duke mos ndjerë dhimbje dhe, madje, fiton aftësinë për të mbajtur mend sasi të jashtëzakonshme informacioni.

 

Në njëfarë mënyre, miti që ne përdorim vetëm 10% të trurit tonë është me të vërtetë frymëzues. Kjo, pasi mund të na motivojë për t’u përpjekur më tepër për të hyrë në rezervuarin e kreativitetit dhe potencialeve tona. Madje, në treg ka produkte që premtojnë të “shkyçin” 90% tjetër. Në fakt, gjysma e mësuesve të shkencave ekzakte dhe 2/3 e publikut mendojnë ende se ky mit është i vërtetë. 

 

Cila është zanafilla e këtij keqkonceptimi? 

 

Ne mund t’i gjejmë rrënjët e hershme të këtij besimi tek psikologu Uilliam Xhejms (William James), i cili shkroi në librin e tij “Energjitë e njerëzve” (1907) se “ne përdorim vetëm një pjesë të vogël të burimeve tona të mundshme mendore dhe fizike”. Mund të biem dakord me këtë pohim, por me siguri, Xhejmsi nuk synonte vërtet që ta linte trashëgimi mitin e 10 përqindëshit. 

 

Por dikush tjetër e ka synuar këtë. Louell Tomaz (Lowell Thomas), në parathënien e librit të Deil Karnegit (Dale Carnegie) “Si të fitojmë miq dhe pushtet” (How to make friends and influence people) e riinterpretoi pohimin dhe siç duket, e përzieu me disa nga idetë e tij. Tomas shkroi se “profesor Xhejmsi i Harvardit ka thënë se një person normal zhvillon vetëm 10% të aftësive të tij latente (të fshehta) mendore”. 

 

Çfarë thonë faktet?

 

Të dhënat e fundit tregojnë se truri e ka trefishuar madhësinë e tij origjinale gjatë 2 milionë viteve të evolucionit njerëzor. Truri merr 20% të energjive tona ditore. Po ashtu, ai është aq eficient, saqë ka giruse të evoluara që kanë rritur në mënyrë dramatike  volumin e tyre kortikal (volumin e sipërfaqes në kurriz të volumit total), krahasuar me speciet e tjera. Nëse ne përdorim 10% të trurit tonë, kjo do të thotë se ne po evolojmë në mënyrë efektive në drejtimin e kundërt – dhe madje, shumë shpejt. 

 

Një mënyrë e provuar për të kuptuar se përdorim 10% të trurit tonë është përmes rezonancës magnetike dhe tomografisë së shpërndarjes së pozitronit, dy teknika imazherie që tregojnë fushat e aktivizimit të trurit në kohë reale. Studimet me teknikat e imazherisë na tregojnë se jo vetëm që përdoren shumë zona të trurit kur performohen detyra të ndryshme, por edhe se aktiviteti midis zonave është tepër dinamik.

 

Miti i 10 përqidnëshit është krijuar edhe nga diçka tjetër: pavarësisht se truri ka rreth 100 miliardë neurone, ky tip qelizash tejkalohet nga qelizat gliale. Ato janë përgjegjëse për ruajtjen e  homeostazës dhe largimin e sëmundjeve. Raporti i qelizave gliale me neuronet është 10 me 1.  

 

Nëse rimendoni sesa veprime ijuduhet të kryeni teksa po lexoni këtë tekst, duke përdorur një numër shumë të madh muskujsh, atëherë mund edhe të rimendoni mitin e 10 përqindëshit të përdorimit të trurit. 

 

A përdorim vërtet 10% të trurit tonë?

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama