4 filma ne Marubi

4 filma ne 'Marubi'
Këtë javë Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” do të shfaq në ambientet e saj katër filma të ndryshëm. Ditën e hënë, datë 21 shkurt, ora 19:00, Akademia në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias do të projektojë filmin "A Poet On The Frontline" të regjisores Gabrielle Pfeiffer. Filmi është një prodhim i vitit 2003, i cili i kushtohet shkrimtarit polak Ryszard Kapuscinski. Kapuscinski është një korrespondent i njohur i luftës si dhe një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore. I njohur ndryshe si "Indiana Jones me bllok", Kapuscinski është legjendë për kolegët e tij, pasi ka kërkuar të vërtetën për përvojën njerëzore në vendet më të rrezikshme. Regjisorja Gabrielle Pfeiffer udhëton me Kapuscinski-n në katër vende dhe ngërthen karakterin e tij të vërtetë, pasionin, humorin dhe demonët që e mundojnë.

Filmi ndërthur fëmijërinë e Kapuscinski-t si refugjat në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore, me përvojën e tij të mëvonshme në fushat e betejës të Botës së Tretë, në një rrëfim poetik të tragjedisë dhe absurditetit të luftës. Filmi shqyrton edhe kufirin mes gazetarisë dhe letërsisë, si dhe sfidat me të cilat përballet shkrimtari në kuadrin e censurës. Të mërkurën, datë 23 shkurt, ora 19: 00, Akademia në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri do të shfaq një film francez. Të enjteve, ora 19:00, Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” organizon të enjten e saj klasike, ku zakonisht shfaq një film të huaj. Të premteve, ora 19:00, në kuadrin e “ Të premtes së kinemasë spanjolle” në këtë Akademi projektohet një film spanjoll. Filmat janë në gjuhën origjinale me subtitra në anglisht.

Hyrja është e lirë

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama