17-vjecari shqiptar portier i Panathinaikos dhe shpresa e kombetares greke

17-vjeçari shqiptar, portier i Panathinaikos dhe shpresa e kombetares greke
Një 17-vjeçar, i lindur nga prindër emigrantë shqiptarë, bëhet shpresa e kombëtares greke

Është vetëm 17 vjeç dhe quhet Stefano Kapino. Skuadra e madhe greke i besoi këtij të riu portën e vet në një ndeshje të vështirë, të zhvilluar në “Tumba” ndaj PAOK-ut të Selanikut. Ishte me te vërtetë një shkëlqim i portierit të ri, i cili na befasoi kur mësuam se ishte shqiptar. Ky talent i shkëlqyer nuk është se doli mbrëmë. Jo. Edhe pse shumë i ri, rruga për të ardhur te Panathinaikosi ka qenë disi e gjatë. E megjithatë, ai ka arritur t’i shpëtojë syrit të vëzhguesve shqiptarë. Stefano Kapino është një shpërthim i tipit “Nini”.

Duke kërkuar të fshehtat e këtij talenti të madh, që sipas mediave greke është portieri i së ardhmes së kombëtares së këtij vendi, mësojmë se ai ka filluar të luajë me moshat e vogla me skuadrën inferiore Ateo të Koridalosë. Por që nga viti 2007, më saktë që nga qershori i këtij viti, ai kishte nënshkruar të luante në akademinë e Panathinaikosit. Që atëherë ai u bë pjesë e këtij ekipi, duke luajtur me U-18 dhe U-21. Duke parë aftësitë e tij të shkëlqyera, Kapino u aktivizua edhe me përfaqësueset U-17 dhe U-19 të Greqisë.

Trajneri i njohur portugez, Ferrera, i cili drejton Panathinaikosin, duke parë aftësitë dhe talentin e këtij të riu, e bëri 17-vjeçarin pjesë të ekipit të të rriturve. Kështu që me 17 shtator 2011, Kapino debutoi në superligën greke, duke zëvendësuar Orestis Kamezis në një ndeshje kundër Atromiosit. Në ndeshjen ndaj PAOK-ut, që u zhvillua të dielën në Selanik, portieri i ri 17-vjeçar ishte i shkëlqyer, duke i mahnitur të gjithë me paraqitjen e tij. Madje ai ishte siguria e Panathinaikosit në fitoren e çmuar 3-1 ndaj vendasve.

Mediat greke e vlerësojnë Stefano Kapinon si një portier shumë të talentuar, si për Panathinaikosin, ashtu edhe për kombëtaren greke.

Po kush është Stefano Kapino? Ai, si shumë fëmijë të tjerë të prindërve dhe familjeve të ardhura nga Shqipëria, ka lindur në Greqi, më 18 mars 1994. Është i gjatë 196 centimetra dhe mban në fanellë numrin 40. Duke kërkuar në sajtin e Panathinaikosit, mësojmë se portieri i talentuar i ardhur nga Shqipëria, që nga viti 2007 stërvitet me ekipet e ndryshme të Panathinaikosit.

Ka luajtur 4 ndeshje në superligën greke me ekipin e të rriturve, ndërkohë që me përfaqësuesen U-17 të Greqisë është aktivizuar gjatë viteve 2009-2011, ku ka zhvilluar 14 ndeshje, ndërkohë gjatë këtij vit është bërë pjesë e U-19-s, ku ka luajtur 5 ndeshje. Debutimin në një ndeshje të kampionatit europian për moshat ai e ka bërë me 24 tetor 2009 ndaj Norvegjisë.

Si ramë në gjurmët e Kapinos?

Ndërkohë që po zhvillohej ndeshja PAOK-Panathinaikos, 17-vjeçari që mbronte portën e jeshilëve po bënte një paraqitje shumë të mirë dhe tërhoqi vëmendjen jo vetëm të sportdashësve, por të mbarë opinionit sportiv grek. Një nga komentatorët, të cilit me sa duket i shkau goja, përmendi prejardhjen e tij nga Shqipëria. Kaq u desh që të ndizej situata dhe të fillonim kërkimin e tij. Jo vetëm atë mbrëmje, por edhe gjatë ditës së nesërme, shumë emigrantë shqiptarë ndjenin njëfarë krenarie për këtë futbollist të talentuar, ndërkohë që qenia e tij shqiptar merr vulën e pranimit teksa në sajtin e tij në gjuhën angleze, midis të tjerave lexojmë: “Është një futbollist grek me origjinë shqiptare…”

A i dëgjon kush kambanat e alarmit?

Kemi kohë që shkruajmë për këtë temë, pra për talentet shqiptare që luajnë në Greqi, por me sa duket federata jonë e futbollit, edhe pse duhet pranuar se ka bërë një punë të mirë për evidentimin e tyre, duke hapur edhe zyrat e talenteve, tregon se diçka nuk po shkon mirë. Nëse nuk arritëm të evidentonim në kohë Konenë, apo Ninin, të cilët luajnë tashmë për kombëtaren greke, nuk duhej të na kishte shkuar pa u zbuluar ky portier i talentuar. Këtu nuk e kam fjalën thjesht te zyra e talenteve në Greqi.

Mbi të bie në radhë të parë përgjegjësia, por nuk është pa përgjegjësi edhe sektori përkatës në federatën tonë futbollit. Aq më shumë kur Stefano Kapino ka kohë që aktivizohet me ekipet kombëtare të moshave të Greqisë. Ne nuk jeni Brazili, që mund të prodhojmë me shumicë talente aq sa t’i nënvlerësojmë, apo të mos dimë t’i zbulojmë. Talentët tanë janë me pikatore.

Them për talentë të këtij kalibri. Ndërkohë që kombëtarja jonë vuan për njeriun e besuar të portës, 17-vjeçari shqiptar mbron portën e një prej skuadrave më me emër të Greqisë, Panathinaikosit, fanellën e së cilës e kishte veshur më parë një emër i madh, si Bledar Kola, i cili, edhe pse ka licensën më të vlerësuar se të gjithë të tjerët, edhe pse është i vetmi shqiptar që si trajner (dhe jo si zëvendës) ka drejtuar një ekip me emër si AEK në superligën greke dhe në Kupat e Europës, përsëri nuk vihet në listat e kandidatëve për trajner të kombëtares. Kush më mirë se ai mund ta bënte trajnerin e kombëtares?

Po kthehem sërish te portieri i talentuar Stefano Kapino. A është vonë për t’i bërë një ftesë për në kombëtare? Unë do të thosha jo. Le ta provojmë një herë, paçka se mediat vendase tashmë i kanë vënë vulën kësaj pune, teksa e konsiderojnë “një portier shumë të talentuar për Panathinaikosin dhe kombëtaren greke”.

Kush është Stafano Kapino

Stefan Kapino lindi më 18 mars 1994, në Athinë, ndërkohë që në vitin 2007 u inkuadrua në akademitë e Panathinaikosit. Në sezonin 2007-2008 u caktua portier bazë i skuadrës së fëmijve, ndërsa në sezonin 2008-2009 fiton titullin në kampionatin U-18 kundër Olimpiakosit. Që nga viti 2009 vëzhgoi një pjesë të stërvitjeve të skuadrës së madhe dhe në vitin 2010 propozohet që të caktohet portier i tretë, pas Xhovras (sot portier i Palermos në Itali) dhe Karnezit. Në ndeshjen për kupë me AEK-un është në 18-she të një ndeshjeje zyrtare.

 

Pasaporta

Emri: Stefan
Mbiemri: Kapino

Ditëlindja: 18/3/1994
Vendlindja: Athinë
Gjatësia: 196 cm
Pesha: 85 kg
Pozicioni: Portier
Numri i fanellës: 40
Kontrata i përfundon më 30/6/2014

 

Mediat greke bëjnë të ditur ato çfarë i bashkon dhe i ndan futbollistët e ardhur nga Shqipëria, që përfaqësojnë Greqinë

Çfarë thonë për “asët” shqiptarë të Panathinaikosit?

Lojtarët e Panathinaikosit folën për trajtimin e emigrantëve të brezit të dytë në sport. “Asët” e Panathinaikosit, Sotir Nini, Elin Dhimuço dhe Stefano Kapino, kanë një histori të ndryshme. Elin Dhimuço, që në këtë moment luan në Maltë, deklaron se në Greqi erdhi në moshën 2-vjeçare dhe se ai vetë ka ndjerë racizëm. “Erdha në Greqi në moshën 2-vjeçare, pasi këtu kisha disa të afërm. Kam nënshtetësi greke, jam i pagëzuar ortodoks dhe emri im është Harallambos.

Fatmirësisht, në jetën time nuk kam pasur asnjë problem. Qysh i vogël dija të flisja mirë greqisht dhe as në shkollë, as si lojtar, nuk më ngacmoi njeri. Kur shkova te Panathinaikosi dhe njerëzit më njohën, në dy-tri raste dëgjova disa sharje apo komente raciste, por jo diçka të rëndësishme. Megjithatë, në përgjithësi nuk më pëlqejnë këto gjëra, flasim për shqiptarë apo zezakë,” – theksoi ish-mesfushori i Panathinaikosit.

Ai gjithashtu foli edhe për ndeshjen e kombëtares së Shpresave kundër asaj shqiptare në “Leoforos Aleksandras”. Atëherë disa shkuan në stadium vetëm e vetëm për të sharë lojtarët e kombëtares shqiptare. “Ishte momenti më i keq për mua. Nuk ndihesha aspak mirë, sepse më preku shumë. Në pushimin e pjesës së parë trajneri Nikos Noplias e kuptoi dhe më bëri zëvendësim” – tha mesfushori 22-vjeçar.

Për të njëjtën temë foli edhe Stafano Kapino. Portieri shpresëdhënës 17-vjeçar ka lindur në Greqi, nuk di shqip dhe të gjithë jetën e tij, derisa u bë banor i Peanias e kaloi në Koridalo. Atje u rrit me familjen e tij, atje shkoi në shkollë, atje ka shokët e tij. “Asnjëherë nuk më ngacmoi njeri, ndërsa shumica nuk e di se nuk jam 100% grek”, -deklaroi Kapino.

Në shkrim flitet edhe për jetën e Sotir Ninit, jo vetëm për vitet e fundit që të gjithë e dinë. “El Ninio” lindi më 3/4/1990 në fshatin Kudhës, që ndodhet disa kilometra larg Himarës. Në moshën 3-vjeçare prindërit e tij, Harilla dhe Jolanda, vendosën të transferoheshin në Greqi, së bashku me të tre fëmijtë e tyre, Sotirin, Grigorin dhe Fotininë. Stacioni i parë në Greqi ishte Zakinthos, mbasi atje ishin vendosur disa të afërm, ndërsa mbas tre vjetësh familja Nini u transferua në Nea Ionia, ku banon edhe sot./sportishqiptar

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama